E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe PD "kundër" Topit për faljen e të dënuarve

Partia Socialiste, me anë të deputetëve të saj në Komisionin e Ligjeve, ka kundërtshuar mënyrën e faljes së të dënuarve nga presidenti i Republikës.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan gjithashtu që personat juridikë të mos kenë të drejtën e kërkesës së faljes, të zgjatet afati kohor i kthimit të përgjigjes nga ana e Presidentit si dhe të shihet me vëmendje raporti i personit të falur me familjarët e viktimës.

Relatori i këtij projektligji, deputeti Viktor Gumi, gjatë mbledhjes së djeshme vlerësoi se projektligji i paraqitur është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe sjell një trajtim të ndryshëm, korrekt dhe bashkëkohor të faljes sipas praktikës evropiane. Ai theksoi se bashkë me amendamentet e paraqitura mund të vijohet me shqyrtimin e mëtejshëm në komision e më pas edhe në seancë plenare.

Një element i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe përcaktimi i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social.

Në vijim, anëtarët e komisionit, si nga opozita ashtu edhe nga maxhoranca diskutuan mbi përmbajtjen e projektligjit duke vlerësuar rëndësinë e tij për sa i përket përcaktimit të kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan në parim projektligjin duke vendosur miratimin nen për nen të tij në mbledhjen e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›