E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vocaj letër Ramës: Të zgjidhim kaosin rrugor në Tiranë

Në letër, kreu i policisë shkruan se pavarësisht masave të marra nga strukturat e kësaj drejtorie, situata paraqitet e rënduar në disa prej akseve më të rëndësishme në kryeqytet.

“Bllokimi i sheshit “Skënderbej” ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, gjë e cila është evidentuar gjatë gjithë këtyre ditëve, ku si pasojë e devijimeve të trafikut, shumë kryqëzime dhe rrugë kanë marrë një ngarkesë tej normave dhe të pa përballueshme nga shërbimet e policisë. Vazhdimi i zbatimit të kësaj skeme do të përkeqësojë më tej situatën e trafikut rrugor në qytet, si dhe jetën normale të qytetarëve”, shkruan Vocaj.

Sipas tij, akset më problematike nga bllokimi i këtij sheshi, janë: Rruga e Kavajës nga 21-Dhjetori drejt sheshit “Skënderbej”, Rruga e Durrësit nga Zogu i Zi drejt sheshit “Skënderbej”, Rruga “Dëshmorët e 4-Shkurtit” nga Semafori i Muzeut Historik Kombëtar deri tek kryqëzimi me Bulevardin “Zhane D`Ark”, Bulevardi “Zogui i I-rë” në të gjithë gjatësinë e tij, drejt sheshit “Skënderbej”, Segmenti rrugor “Dedë Gjon Luli” në të gjithë gjatësinë e saj, Rruga e Dibrës në të gjithë gjatësinë e saj drejt sheshit “Skënderbej”, Rruga “Hoxha Tahsim” nga Unaza në Rrugën “Bardhyl” deri tek sheshi “Sulë Pasha” si dhe Segmenti rrugor nga kryqëzimi i Rrugës “5-Maji”, Siri Kodra, Karl Gega, Jordan Misja deri tek Don Bosko, etj.

Në fund të letrës, kreu i Policisë së Tiranës shkruan se “ofrojmë të gjithë ekspertizën profesionale dhe bashkëpunimin tonë në kërkim të një zgjidhje të problemeve të shkaktuara nga zbatimi i skemës së trafikut të kërkuar nga autoritetet e Bashkisë së Tiranës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›