E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, ambasadorët: Duhet dialog politik mes palëve

Gjatë prezantimit të presidencës polake nga Ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska, si dhe në deklaratën e përbashkët të trojkës së ambasadorëve vihet theksi tek domosdoshmëria për dialog mes palëve në funksion të integrimit të vendit.

TIRANË Domosdoshmëria e kthimit të dialogut në vend dhe angazhimi i politikës në proceset integruese të vendit, ka qenë kryefjala e djeshme e trojkës së ambasadorëve, por edhe gjatë prezantimit të prioriteteve të Presidencës polake nga Ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska. “Situata është tepër e komplikuar. Kjo situatë mund të zgjidhet tepër lehtë. Kërkohet vetëm që palët të ulen në tavolinë së bashku dhe të mësojnë nga këto që kanë ndodhur, për të shmangur gabimet e së kaluarës. Nëse nuk ka dialog, herët a vonë do të dalin të tjera probleme", - tha dje në një konferencë për shtyp, ambasadorja polake, Tatarzynska. Ndërsa Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, duke qenë në një zë me deklaratën e komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule, theksoi se këto muajt e fundit është parë polarizim dhe mosbesim. ”Ajo që dëshiroj të shoh është që besimi të shkojë në rritje dhe polarizimi në ulje. BE e KE janë gati të vazhdojnë të ndihmojnë në proces. Ne të gjithë kemi besim se palët do të luajnë rolin e tyre” - tha Sequi. Si ambasadorja polake, ashtu edhe ambasadori Sequi, kërkuan nga vendet aspirante që të tregojnë vendosmëri në përmbushjen e kritereve.

Deklarata e trojkës

Thuajse në një zë ka qenë edhe qëndrimi i trojkës së ambasadorëve, i bërë publik dje pas konferencës për shtyp, që lidhej me prioritetet e presidencës polake. Në një dalje para mediave, tre diplomatët, ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi, zv/ambasadorja amerikane Deborah Jones dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollafrth përsëritën apelin drejtuar politikës shqiptare, për domosdoshmërinë e kthimit të dialogut në vend dhe angazhimin e politikës në proceset integruese. “Palët politike duhet të angazhohen në dialog dhe të punojnë për integrimin e vendit”, - tha ambasadori Sequi.

Ai ftoi palët të angazhohen bashkarisht për reformën zgjedhore, deklaratë e cila u mbështet edhe nga dy diplomatët e tjerë, zv/ambasdadorja amerikane në Tiranë Deborah Jones, dhe Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Ky i fundit deklaroi gjithashtu se dialogu i shërben të ardhmes integruese të Shqipërisë dhe një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›