Dom Shtjefën Kurti, martiri pa varr
Njëzet vjet kërkime kanë hedhur dritë mbi jetën e tij, por nuk ia kanë dalë të gjejnë varrin
“Kur unë kam lindur, ai ishte në burg. Për herë të parë, e kam parë pas amnistisë së 5 majit më 1963. Shkoi të banonte te kisha prapa 15-katëshit. Atje gjendej ‘Shtëpia e Priftit’”, tregon 59-vjeçari Nikolin Kurti, nipi i Dom Shtjefën Kurtit, priftit të nderuar që vijoi të pagëzonte fëmijë edhe pas mbylljes së kishave dhe xhamive në vitin 1967. Ekzekutimi makabër i priftit 73-vjeçar në vitin 1971, ndërgjegjësoi botën perëndimore për ferrin komunist shqiptar.
“Natën e dytë pas lirimit erdhi në shtëpinë tonë. Babai po rrinte te dera e shtëpisë. Nga njëra anë priste të vëllain nga ana tjetër shihte se mos përgjonte ndokush”, rikujton Nikolini, në atë kohë, dymbëdhjetë vjeç.
“Qe një burrë i gjatë, i hollë. Filloi të na ngacmonte për njohuritë mbi historinë dhe gjeografinë. Na provokonte në italisht. Pas dy javësh e caktuan prift në Gurrëz të bregut të Matit, Komuna e Fushëkuqes. Axha tjetër qe atje. Ne shkonim me tren deri në Laç gjatë verës dhe takoheshim me axhën, i cili filloi të na mësojë italishten”.
Katër vite më vonë, puna e Dom Shtjefnit si prift u ndërpre. Kisha u kthye në magazinë, e më pas në Vatër të Kulturës Popullore, një lloj i ri kulti i fesë komuniste. Dom Shtjefni nuk u dorëzua. Vijoi të kryente pagëzime në ilegalitet.
“Në qershor të vitit 1970 u arrestua për herë të dytë. E spiunuan dhe e akuzuan për vjedhje dhe sabotim të pronës socialiste. Në korrik të vitit ‘71 u bë një gjyq i hapur para popullit që zgjati tri ditë. Ai u mbrojt ashpër. U dënua me pushkatim si anëtar i grupit armiqësor të Durrësit. Më 29 shtator 1971 u pushkatua. Në mars të vitit 1973 lajmi u përhap nëpër botë dhe familja më në fund u informua”, rikujton Nikolini.
Dom Shtjefni iu nënshtrua një gjyqi popullor që zgjati për tri ditë. Ai nuk i bëri lutje për falje Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Vrasja e tij shkaktoi telashe të shumta për qeverinë komuniste. Media ndërkombëtare raportoi gjerësisht mbi ngjarjen.
“Im atë dëgjonte lajmet te RAI dhe në mars të vitit 1973, dëgjoi folësen që raportoi se Dom Shtjefën Kurti qe ekzekutuar. Po në të njëjtin çast, zhurmuesi i televizionit shqiptar hyri në punë dhe sinjali u ndërpre”, tregon Nikolini. Dokumentet e grumbulluara prej tij në Arkivin e Shtetit Shqiptar, në Kosovë e në Maqedoni, flasin për tronditjen e shkaktuar nëpër botë.
Në Nju Jork, emigrantët shqiptarë atje sulmuan përfaqësinë e shtetit komunist në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por u ndaluan nga qeveria dhe u mjaftuan me goditje me vezë. “Që pas viteve ’90 kërkuam eshtrat e tij”, thotë Nikolini. “Shkuam në Shishtufinë ku thuhej se qenë varrosur të pushkatuarit, por nuk gjetëm asnjë dokument.
Në vitin 1993 Kisha Katolike gjeti eshtrat e Mark Dushit dhe Zef Bicit. Bënë një përkujtimore dhe vunë tre arkivole, ku njëri qe bosh. Arkivolet i dërguan te kisha Shna Ndout te gjimnazi “Partizani”. Tani janë në katedralen e Tiranës. Varri i Dom Shtjefën Kurtit mbetet bosh.
Vitin e kaluar, Agroni e mori në telefon Nikolinin dhe i dha lajmin. Një nga dëshmitarët e pushkatimit thotë se një prej varreve të zbuluara i përket Dom Shtjefën Kurtit. U gjet një orë xhepi dhe disa sende të tjera identifikuese. “Mora në telefon përfaqësuesit e kishës. Ishim shumë të lumtur që më në fund axha do të ketë një varr të denjë. Por kisha, e cila e ka Dom Kurtin në proces lumturimi, kërkoi analizat e ADN-së. Pesë anëtarë të familjes sime dhanë kampione gjaku për analizat që u kryen në Bari. Profesoresha që kreu analizat tha ‘kjo është puna më e mirë që mund të bëj në jetën time. Të identifikoj eshtrat e një martiri të kishës’”, tregon Nikolini.
Përgjigjja qe negative. Eshtrat e zbuluara nuk i përkasin Dom Shtjefnit. Dokumentet për varrin e tij ka gjasa që gjenden ende në arkivin e Shërbimit Sekret Shqiptar, i cili u krijua në vitin 1994 duke u ndarë nga Ministria e Brendshme, por tërhoqi me vete një pjesë të konsiderueshme të dosjeve. Për turpin e shtetit demokratik shqiptar, Shërbimi Informativ vijon të ruajë si sekret edhe informacionin që mund të sjellë zbulimin e varreve.
“Për të gjithë udhëheqësit komunistë që u ekzekutuan në atë kohë, arkivat u hapën. U hapën edhe në kohën e qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Vetëm për antikomunistët mbahen ende sekret”, thotë Nikolini.
“Në vitin 2002, i dërgova një shkresë zyrtare Ministrisë së Brendshme ku i kërkoja informacione arkivore mbi ekzekutimin e axhës. Më kthyen një përgjigje zyrtare me shkrim ku thuhej se nuk dispononin asnjë informacion. Tani rezulton se kanë gënjyer.”
Sipas një procesverbali të zbuluar vonë, lista me emrat e të ekzekutuarve në varrin masiv 313 ekziston. Aty shkruhet se trupi i pajetë i Dom Shtjefën Kurtit është përdorur si kadavër në morg. Asgjë nuk dihet më tej. Dihet vetëm se diku në ndonjë qoshe arkivi, procesverbali i ekzekutimit me gjithë emrat e përgjegjësve dhe ndoshta me të dhëna më të hollësishme, qëndron në pritje. Pret që ndërgjegjja jonë kolektive të zgjohet dhe t’u japë një varr rreth 2500 njerëzve të pafajshëm që u ekzekutuan kur të gjithë shqiptarët e tjerë heshtnin dhe në fakt, vijojnë të heshtin.
#