E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSU, serumet e shiringat në kazanët e oborrit të spitalit



zirina llambro

Disa konferenca të njëpasnjëshme u mbajtën dy javë më parë për mbetjet spitalore. Ministrat përkatës të Shëndetësisë dhe Mjedisit, i cilësuan ato një kërcënim mjaft serioz për shëndetin e qytetarëve. Ata pranuan se spitalet tona lënë për të dëshiruar në përpunimin dhe eliminimin e këtyre mbetjeve. Sakaq u theksua se do merreshin masa për të ndryshuar kryekëput situatën. Madje veç mirëmenaxhimit të përditshëm, që u kërkua në grumbullimin e mbetjeve, u shkua edhe më tej. U premtuan ndërhyrje edhe në legjislacion. Por me gjithë zhurmën e bërë për këtë risk madhor, të paktën në spitalin më të madh në vend asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse gjatë ditës sheh në kazanët e plehrave qese të zeza të lidhura mirë, në darkë gjithçka është shumë më e qartë. Përballë hyrjes së madhe të QSU, prapa spitalit infektiv, dy ditë më parë të gjithë koshët e mbeturinave ishin të mbushur plot. Nëse rastësisht rruga të binte aty pari, menjëherë fajin do t'ia hidhje makinës së plehrave, e cila edhe pse ora shënonte 21:30 nuk kishte ardhur të zbrazte kazanët. Ky reagim të vinte natyrshëm duke i parë nga larg. Mjafton të afroheshe disi për të parë se nuk ishin të mbushur me mbeturina të zakonshme.
Serumet dhe shiringat
Shishe serumesh bosh që vareshin jashtë kazanëve. Shiringa pa fund e gjithfarë mbetjesh të tjera spitalore, që duhet të gërmoje mirë nëpër plehra për t'i gjetur emrin. Në tokë qese të zeza të shqyera nga qentë e rrugës, që janë vizitorët më të shpeshtë ditë e natë në spitalin "Nënë Tereza". Edhe ato të zbrazura nga fasho, age e materiale të tjera që përdoren nëpër shërbime. Nuk do shumë mend që të kuptosh se në këto ditë të nxehta, hedhja në këtë mënyrë "barbare" e mbetjeve spitalore, nuk do të thotë as më shumë as më pak se, ambientet e jashtme të QSU janë një vatër e vërtetë infeksionesh. Ato mund t'i marrë gjithkush edhe gjatë ditës, kur qentë e macet që gërmojnë kazanët janë sërish në qarkullim, apo me tulilloj mënyrash të tjera. Siç duket, personat përgjegjës që merren me grumbullimin e mbetjeve e kanë pasur shumë më të lehtë t'i hidhnin aty sesa t'i depozitonin pranë krematoriumit të spitalit. Papërgjegjshmëria, siç pohojnë burime brenda QSUT-së, është e përditshme. Që furrnalta, e cila djeg të gjitha materialet e ngelura, nga trajtimi i pacientëve me ilaçe është jashtë standardeve, tashmë është çështje e vjetër. është diskutuar dhjetëra herë që krematoriumi duhet zhvendosur nga spitali. Por, pavarësisht se ndot frikshëm ajrin, të paktën eliminon rrezikun e marrjes së një sëmundje nëpërmjet këtyre mbetjeve. Me të tillë mënyrë që trajtohen shiringat e përdoruara, serumet apo masat tumorale e fashot e plagëve, spitali më i madh në vendin tonë dëshmon edhe njëherë që është një vatër e vërtetë infeksionesh. Sado të përpiqen sanitaret e personeli mbështetës për dezinfektime apo të tjera procese sipërfaqësore, fotot flasin qartë për situatën ku gjendet QSUT sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›