Pastrimi i parave, gjobiten 6 banka
Erald Kapri
Bankat private, në mjaft raste refuzojnë të japin informacionin e kërkuar nga autoritete për dyshimet mbi transaksione të dyshimta për pastrim parash. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në raportin për vitin 2009, evidenton qindra raste të dyshimta të transaksione bankare apo raste të tjera të dyshuara për pastrim parash. Por pavarësisht se bankat e kanë të detyruar me ligj që të raportojnë çdo transaksion parash, veçanërisht shuma mbi 6 milionë lekë, mjaft prej bankave në vend nuk kanë qenë të gatshme të ofrojnë informacionin e kërkuar nga shërbimet e inteligjencës shqiptare, me arsyetimin e mbrojtjes të të dhënave të klientëve të tyre. Në këtë pikë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të parave ka gjobitur 6 banka në vend, pikërisht se ato kanë refuzuar në dhënien e informacionin të kërkuar. Gjatë vitit 2009 ka pasur afërsisht mbi 135 raste të evidentuara si të dyshimta për pastrim parash, të cilat më pas i janë dërguar për ndjekje të mëtejshme organit të prokurorisë ose policisë. Drejtori i DPPPP-së, Arben Doçi tha dje se deri tani janë bllokuar më shumë se 3.7 milionë euro, si dhe mbi 1 mijë metra katrorë pasuri të paluajtshme, të vëna në rrugë të jashtëligjshme. "Kemi bllokuar afërsisht 3.7 milionë euro, mbi 31 milionë leke dhe 1060 m2 pasuri te paluajtshme, që janë një shumë e konsiderueshme krahasuar me të gjitha vitet që nga krijimi i njësisë së Inteligjencës Financiare, rol që e luan Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e krijuar që në 2001", tha Arben Doçi, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të parave. Duke i referuar rasteve të zbuluara, shihet se pjesa më e madhe e parave vijnë direkt nga trafiku i drogës dhe ai i prostitucionit, ndërsa pjesa tjetër i takon korrupsionit të zyrtareve. "8 për qind e këtyre rasteve janë të lidhura me veprën e korrupsionit dhe në këtë kontekst ne kemi bashkëpunuar ngushtë dhe me IDKP dhe nga ky bashkëpunim kanë dalë dhe informacionet për njësitë e përbashkëta hetimore për të hetuar më tej këto çështje", tha më tej Doçi.
Raporti
Sipas raportit vjetor, në vitin 2009, nga subjektet banka janë raportuar 186 RAD (raport i aktivitetit të dyshimtë). Nga shqyrtimi dhe analiza e RAD-ve të vitit 2009, 21 (11%) prej tyre kanë rezultuar me elementë të mjaftueshëm dyshimi, të cilat pas investigimit financiar janë referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve të zbatimit të ligjit.
Nga krahasimi i fluksit mujor të raportimit, vihet re një shpërndarje e shpërpjesëtuar, me një rritje të theksuar në fund të vitit, si dhe e përqindjes së tipologjive, ku mbi 90% e tyre janë: transferta me jashtë si, shlyerje detyrimi personal dhe përdorimi i llogarive personale për qëllime biznesi, rezulton qartë se dërgimi i raporteve të veprimtarisë së dyshimtë nga bankat është parë kryesisht si objektiv statistikor për t'u arritur, se sa si detyrë permanente gjatë gjithë kohës dhe për të gjithë komponentët e veprimtarisë bankare. Duke krahasuar me vitin e kaluar, numri i raportimeve të noterëve është rritur ndjeshëm.
SHISH, 81 raste të financimit të terrorizmit
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ Shtetëror kanë punuar së bashku në hetimin dhe shkëmbimin e informacionit të mëse 81 çështjeve, për hetime financiare të rasteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. DPP i ka kushtuar vëmendje çdo të dhëne për dyshime të mundshme për financim të terrorizmit. Kjo është pasqyruar në monitorimin e vazhdueshëm të listave të zeza të përditësuara të Këshillit të Sigurimit të OKB- së, në sistemin bankar dhe subjektet e tjera të ligjit. Nga raportet e veprimtarisë së dyshimtë, të ardhura nga bankat e nivelit të dytë, është bashkëpunuar për dy raste me DPPSH dhe SHISH, për investigime të mëtejshme.
Raportimet financiare online, kusht për vizat
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka raportuar në disa takime të Komitetit Ndërinstitucional për Liberalizimin e Vizave, në kuadrin e plotësimit të detyrimeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Europian. Detyrimet kryesore të DPP-së kanë qenë: drejtimi i procesit të draftimit dhe konsultimit të një strategjie kombëtare "Për hetimin e krimit financiar", përfundimi brenda vitit 2009 i raportimit on-line nga bankat pranë Autoritetit Përgjegjës, përfundimi i draftimit dhe miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit, rritja e shkallës së përdorimit të mekanizmit bllokues ndaj transaksioneve të dyshimta.
Të dhënat e 2009
3.7 milionë euro të bllokuara, si dhe 1060 m2 pasuri të paluajtshme.
186 RAD (raport i aktivitetit të dyshimtë) janë raportuar nga bankat.
21 prej tyre kanë rezultuar me elementë të mjaftueshëm dyshimi dhe janë ndjekur nga organet hetimore.
194 raste të dyshimta janë referuar në organet e zbatimit të ligjit, për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.
81 çështje shkëmbim informacioni për hetime financiare është bërë së bashku me SHISH-in.
114 raste për kërkim informacioni në njësitë e huaja të inteligjencës.
36 kërkesa për informacion ka pasur nga njësitë e huaja për informacion.
37 masa administrative janë vendosur për shkeljet e hasura, shkeljet e konstatuara nga subjektet e ligjit, me total prej 69,296,500 Lekë, ose 3 herë më shumë se një vit më parë.
250,000 lekë është gjoba minimale ndërsa 8,000,000 është maksimalja