E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen dy makina, rëndë në spital 4 vetë

 

FIER - Aksident i rëndë ndodhi dje në mëngjes në aksin Fier- Vlorë. Dy makina u përplasën duke shkaktuar plagosjen rëndë të katër personave. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” ku një automjet tip Mercedes Benz me targë FR 9257 B, që po udhëtonte në drejtim të Vlorës, është përplasur me një makinë tip Golf me targë VL 3494 C. Mësohet se përplasja ka qenë e fortë, por jo fatale, për katër personat që udhëtonin brenda makinave. Fill pas përplasjes, të lajmëruar nga qytetarët, në vendin e ngjarjes mbërritën ambulancat dhe policia. Katër të plagosur u çuan me urgjencë në spitalin e Fierit, pasi gjendja e tyre ishte e rëndë. Por pasi kanë marrë ndihmën e parë, mjekët konfirmuan se janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi i hetimit që mbërriti në vend bashkë me ekspertët e qarkullimit, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ndërtimin e dinamikës së këtij aksidenti. Por një punë e tillë ka kërkuar një angazhim disa orësh, duke bërë që trafiku të bllokohet për disa orë, duke formuar një varg me automjete prej rreth 3 km. Megjithëse aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, trafiku është rënduar menjëherë pasi aksi u bllokua për rreth 3 orë e 30 minuta. Aksi Fier- Vlorë shpesh herë është përfshirë nga aksidentet, edhe për shkak të fluksit të sezonit të verës. Frekuentimi i bregdetit të jugut, sidomos gjatë fundjavës, e bën këtë rrugë thuajse të papërshkueshme, ndaj dhe mundësitë për aksidente janë më të mëdha. Burime nga policia rrugore e Fierit bëjnë të ditur se për të evituar aksidentet e për të shmangur bllokimin e trafikut, pikërisht në këtë aks janë vendosur forca të shumta policore, të cilat ndihmojnë në lëvizjen e automjeteve dhe zhbllokimin e rrugës. Për aksidentin e djeshëm vazhdojnë ende hetimet për gjetjen e shkakut të përplasjes që çuan në plagosjen e katër shtetasve. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›