E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi e shpiku minoritetin boshnjak për hatër të krushkut-armik të Berishës, Luan Malltezi, apo...?

>Nga Kastriot Myftaraj
Në kompetencat e Presidentit të Republikës të përcaktuara me Kushtetutë nuk është ajo për deklarimin e minoriteteve etnike në Shqipëri. Në Shqipëri ka vetëm tre minoritete të njohur zyrtarisht, ai grek, malazez dhe maqedon. Presidenti Topi ka detyrimin që të lëvizë brenda kufijve të këtij realiteti ligjor, derisa me ligj nuk është njohur ndonjë minoritet tjetër etnik. Parlamenti shqiptar ka bërë mirë që nuk ka njohur me ligj të tjera minoritete etnike, edhe pse kërkesa të tilla ka pasur. Në këtë linjë nuk ka arsye pse të nxitohemi, derisa vende që pretendojnë të jenë kampionë botërorë në liritë dhe të drejtat e njeriut, si Franca, nuk njohin fare minoritete etnike, edhe pse në Francë ka popullsi konsistente nga kombet fqinje në krahinat kufitare, gjermanë, italianë, baskë në Alzasë-Lorenë, Korsikë, Savojë etj. Franca sigurisht që e ka bërë këtë gjë për të evituar çdo premisë destruktiviteti në vend, se për hir të së vërtetës minoritetet etnike veprojnë si viruse në trupin e kombit dhe shtetit ku janë, pavarësisht nga retorika që bëjnë. Për të njëjtën arsye edhe Greqia ka ndjekur shembullin e Francës dhe nuk i njeh minoritetet. Shqipëria nuk ka pasur pak probleme me tre minoritetet që njeh, sidomos me atë grek. Në këtë sens, duket krejt i papërgjegjshëm veprimi i Presidentit Topit që bëri një vizitë në një zonë ku banon një komunitet me origjinë boshnjake, pranë Shijakut, ku Presidenti i Republikës me ato që tha, duke pasur në sfond flamurin boshnjak e njohu praktikisht minoritetin boshnjak në Shqipëri dhe u shpreh për përmbushjen e të drejtave të tij. Çështja nuk është aq tek njohja e minoritetit boshnjak, por tek fakti se kështu hapet Kutia e Pandorës dhe dalin e të tjerë që kërkojnë të njihen si minoritet, duke filluar që nga vllehët, goranët, gollobordasit etj. Në Shqipëri ka shoqata vllehësh që pretendojnë se vllehët e Shqipërisë janë vllaho-helenë, si dhe shoqata goranësh e gollobordasish që pretendojnë se këta janë bullgarë. Një dreq e di se çfarë do të bëjnë nesër romët e magjypët e vetëquajtur egjiptianë, pasi të jetë hapur loja me minoritetet. Ata sot i josh PBDNJ për t u quajtur si helenofonë dhe disa prej tyre janë në forumet e larta të kësaj partie.
Sot është e qartë se ka një agjendë të përpunuar në qendrat antishqiptare për ta shpërbërë kombin shqiptar duke e paraqitur si një miksturë minoritetesh të krijuara artificialisht. Një agjendë të tillë ndjek Fondacioni Soros në Tiranë, i cili ka arritur deri atje sa të sponsorizojë një konferencë nga ku ka dalë një dokument ku iu sugjerua parlamentit shqiptar që në kodin zgjedhor të përcaktohen vende fikse në parlament për minoritetet etnike si në Kosovë. Çështja është se ku duhet ta kategorizojmë shpikjen presidenciale të minoritetit boshnjak? Boshnjakët e Shqipërisë kanë ardhur në vendin tonë si refugjatë kur Bosnjë- Herzegovinën e mori Austro-Hungaria me vendim të Kongresit të Berlinit në 1878 dhe jo në 1875 siç tha Presidenti Topi. Boshnjakët refugjatë qëndruan në Shqipëri me një truk. Autoritetet osmane thanë se anija që po i çonte ata për në Izmir ndaloi në Durrës se u prish dhe ata zbritën në tokë derisa të riparohej anija, dhe mbetën deri më sot. Autoritetet osmane në Shqipëri i mirëpritën ata se kishin luftuar me armë kundër austro-hungarezëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se këta boshnjakë me kalimin e kohës u shqiptarizuan si të thuash, dhe sot mund të quhen shqiptarë të mirë. Një provë për këtë gjë është fakti që krushku i Berishës, Luan Malltezi, vjehrri i Argitës, i cili është me origjinë nga ky komunitet boshnjak i Shqipërisë, ia ka vënë emrin të birit Jamarbër dhe jo Jamboshnjak.
Është absurde që ata të fitojnë të drejtat e minoritetit, siç kërkojnë disa prej tyre dhe siç u premtoi Presidenti Topi kur u premtoi mësimin e gjuhës boshnjake në baza zyrtare. Kjo është vetëm pikënisja se pastaj ata do të kërkojnë që gjuha boshnjake të bëhet zyrtare në komunën dhe bashkinë ku ata përbëjnë 20% të popullsisë, siç ndodh me shqiptarët në Maqedoni, pastaj do të kërkojnë që t u njihet e drejta e deklarimit të kombësisë boshnjake në një regjistrim të popullsisë, të cilin do ta kërkojnë bashkë me minoritetet e tjera, pastaj do të kërkojnë vend fiks në parlament siç e kanë boshnjakët në Kosovë e kështu me radhë. Çështja është sa të hapet loja. Në rast se do të njihet minoriteti boshnjak në Shqipëri, atëherë do të lindë problemi se sa është numri i tij, dhe kjo do të rihapë debatin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike që është kërkesë e hershme e liderëve të disa minoriteteve të vetëshpikura, dhe kështu do të hyhet në disa komplikime të padëshiruara. Presidenti Topi duhet ta mësojë, në rast se nuk e di, që minoritetet etnike njihen vetëm në mënyrë të ndërsjellë mes vendeve kufitare. Bosnjë- Herzegovina nuk është vend kufitar me Shqipërinë. Ne kemi eksperiencën e keqe të Kosovës, e cila e njeh minoritetin boshnjak, duke i dhënë të gjitha të drejtat, duke përfshirë dhe atë të vendeve fikse në parlament, e megjithatë Bosnjë- Herzegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Merret vesh, zemërgjerësia në këto çështje nuk shpërblehet. Në tubimin e boshnjakëve në Borakë të Xhafzotajt Presidenti foli si në një muhabet paçeje tek Pata.  Ende mbetet mister motive i Presidentit Topi. Mos ndoshta ai e bëri këtë gjë për të nxitur krushkun e Berishës, Luan Malltezin, i cili është i pakënaqur që nuk u bë deputet dhe as nuk mori post nga Berisha, prandaj gjithë ditën në Bibliotekën Kombëtare shan krushkun-kryeministër, ndërsa shkencëtari Sherif i çon dhe i merr librat nga sporteli si ordinance i tij intelektual? Duket se Presidenti Topi po e josh Malltezin që të kandidojë për Polin e Lirisë të Shehit, Ngjelës dhe Ndokës në Qarkun e Durrësit, duke kërkuar të marrë votat e boshnjakëve. Një tjetër hipotezë për motivin e Presidentit Topi mund të jetë ajo se Presidenti Topi, i cili edhe pse pretendon se është nga një familje qytetare tiranase nuk po arrin të tregojë rrënjët e vjetra të saj me dokumente, në fakt është me origjinë nga këta boshnjakë, disa prej të cilëve erdhën nga Shijaku në Tiranë kur kjo u bë kryeqytet. Kjo duket edhe më e besueshme se vështirë që Presidenti Topi do të rrezikonte kaq shumë për Malltezin, edhe pse e ka mik.
Cilatdo që të jenë motivet e Presidentit Topi, aventura e tij boshnjake është tejet e rrezikshme, është një atentat ndaj kombit shqiptar dhe ndaj Kushtetutës së Shqipërisë.

Last Updated on Sunday, 25 January 2009 09:06

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›