Republikanët mbledhin Asamblenë Kombëtare, Mediu shpalos programin elektoral
Republikanët kanë mbledhur dje Asamblenë Kombëtare në të cilën kryetari Fatmir Mediu ka shpalosur programin elektoral të PR-së. Mediu është shprehur se PR-ja do të vazhdojë të mbrojë çështjen e pronës, duke mbrojtur të drejtat e ish-pronarëve. Ai gjithashtu u shpreh se republikanët do të mbështesin dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Mediu u shpreh i bindur se koalicioni i djathtë do të fitojë dhe një mandat të dytë qeverisës për shkak të reformave të ndërmarra. “PR-ja do të vazhdojë të kërkojë me këmbëngulje, ashtu sikurse ka bërë deri sot, të drejtat e pronarëve, deri në kthimin e tyre në mënyrë të ligjshme e të drejtë. PR-ja gjykon se çështja e pronës nuk mund të shtyhet pa fund, pasi është kthyer në një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe barrierë për investimet e huaja. Nëpërmjet Grupit të saj Parlamentar Partia Republikane ka mbrojtur në Parlament e qeveri të drejtat e pronarëve e jo ato të shtetarëve dhe kështu do të vazhdojë të bëjë dhe në të ardhmen pasi kjo është bindje themelore e jona”, - është shprehur Mediu. Kryetari i PR-së theksoi se shëndetësia është një tjetër pikë kyçe e platformës së bërë nga Partia Republikane. Duke marrë shkas nga reformat e bëra deri më tani në fushën e shëndetësisë, Mediu nënvizoi faktin se deri tani është punuar shumë. Megjithatë, pavarësisht këtyre, kreu i PR-së, tha se kjo është një fushë për të cilën gjithnjë kërkohet mbështetje dhe investime të mëdha. “PR-ja vlerëson se reforma në shëndetësi është dhe duhet të jetë një prioritet i qeverisjes së djathtë. Mangësitë e krijuara ndër vite, duhet të riparohen me modernizim të mëtejshëm të sistemit shëndetësor dhe vijim të reformave decentralizuese, duke synuar kështu forcimin e kapaciteteve menaxhuese, ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për popullatën si dhe përmirësimin e financimit shëndetësor në shërbimin parësor dhe atë spitalor”, - nënvizoi kreu republikan, Fatmir Mediu.
16 Maj 2009