E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS feston ditën e çlirimit, Rama: Ta falënderojmë Saliun që i rri larg 29 nëntorit

Monumenti "Nëna Shqipëri"

Partia Socialiste ka festuar sot 67-vjetorin e çlirimit. Përfaqësues të lartë të saj dhe kreu i partisë Edi Rama ishin të pranishëm tek monumentin i Dëshmorëve të Kombit Nëna Shqipëri ku dhe vendosën buqeta me lulen në nderim dhe respekt për të rënit në luftën nacional-çlirimtare.

Në mesazhin e rastit Rama u shpreh se kjo është dita në të cilën dëshmohet se shqiptarët u vendosën në anën e duhur të historisë.

Thjeshtë fare gëzuar ditën e çlirimit të vendit 29 nëntorin, ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme, të triumfit mbi të keqen. Ditën që u kujton të gjithë shqiptarëve se në orët e këqija të historisë paraardhësit tanë u vendosën në anën e duhur të historisë. Ditën që e bashkon Shqipërinë me forca e lirisë dhe demokracisë, tha kreu i PS-së.

Rama foli edhe për debatin që vazhdon mes forcave të djathta dhe atyre majta mbi datën e çlirimit të vendit, pasi ato vazhdojnë të festojnë këtë në data të ndryshme. Lideri i opozitës në këtë kontekst tha se historia nuk mund të zhbëhet.

Ditën që askush nuk mund të fshijë as nga kujtesa dhe as nga librat e historisë. Ditën që e bën qesharak dhe me turp këdo që përpiqet të vejë dorë mbi të, u shpreh Rama me tastin e festës së 29 nëntorit.

Pak minuta pas ceremonisë, Rama ka shkruar në Twitter: Ta falënderojmë Saliun që i rri larg 29 nëntorit. S’mund të shesësh detin, vjedhësh popullin, importosh plehra dhe festosh ditën e çlirimit.

*   *    *

29 Nëntori shënon 67-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Edhe sivjet, ashtu siç është bërë traditë vitet e fundit, politika shqiptare feston e ndarë. Maxhoranca ka festuar një ditë më parë si Ditën e Flamurit, edhe atë të Çlirimit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës pritet të nderojnë sot të rënët për çlirimin e vendit me anë të homazheve në Varrezat e Dëshmorëve.

Kreu i opozitës ka zgjedhur që Festën e Pavarësisë ta ndajë me shqiptarët e Kosovës, ndërsa sot pas kthimit, pritet që ai të zhvillojë vizita edhe në familjet e dëshmorëve.

Gjatë qëndrimit treditor në Kosovë, Rama u takua me Presidenten Atifete Jahjaga, kryetarin e Parlamentit, Krasniqi, kryeministrin Thaçi, kreun e LDK-së, Isa Mustafa e atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rama promovoi edhe librin e tij, Kurban.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›