E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS gati draftin për ligjet me 3/5-at

08/02/2012  Socialistët përgatitin oponencën për Kodin Penal dhe Kodin Civil

“Berisha me depenalizimin kërkon të justifikojë veprimet e tij”

Ligjvënësit socialistë do të kundërshtojnë amendamentet e paraqitura për Kodin Penal lidhur me shfuqizimin si vepër penale të fyerjes dhe shpifjes. Një fakt i tillë faktohet në vetë relacionin e përgatitur nga grupi kuvendor socialist, përkatësisht nga deputetët anëtarë të Komisionit parlamentar i Ligjeve. Në analizën ligjore që disponon gazeta, bëhen të ditura si kundërshtitë e socialistëve, ashtu dhe argumentet e tyre ligjore, të shoqëruara me propozime konkrete. Përmes një memoje dorëzuar deputetëve të PS-së në mbledhjen e djeshme sekretari për çështjet ligjore në këtë parti Fatmir Xhafaj sqaroi kolegët e tij arsyet se pse nuk pranohen propozimet e qeverisë për Kodin Civil dhe atë Penal

Amendamentet

Me vendimin nr. 262, datë 4.05.2007, është propozuar shfuqizimi i disa neneve të Kodit Penal, si fyerja (neni 119), shpifja (neni 120), vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit të shtetasve, fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja (neni 227), veprimet fyese ndaj himnit dhe flamurit, vepra penale që cenojnë marrëdhëniet me shtete të tjera, kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik (neni 235), fyerja për shkak të detyrës (neni 239), shpifja për shkak të detyrës (neni 240), shpifja ndaj Presidenti të Republikës (neni 241), vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit, fyerja e gjyqtarit (neni 318), vepër penale kundër drejtësisë.

Kundërshtimi

Ligjvënësit socialistë propozojnë që nenet 119, 120, 239 dhe 240 të mos shfuqizohen në tërësi. “Kodi Penal në nenin 1/b të tij sanksionon gjithashtu mbrojtjen e dinjitetit të njeriut.

Rrezikshmëria e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes rezulton e veçantë në kontekstin shqiptar dhe për më tepër shpifja e fyerja janë dy vepra të ngritura në institucion pikërisht nga njeriu që kërkon sot t’i dekriminalizojë ato - kryeministri i vendit Sali Berisha. Në njëfarë kuptimi Sali Berisha po kërkon të shpëtojë nga përgjegjësia penale të vetmen armë të kulturës dhe sjelljes së tij politike”, - thuhet në analizën ligjore të PS-së. Për këtë arsye propozimi i socialistëve është “të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen më gjobë”. Në lidhje me nenin 229 socialistët gjykojnë se veç faktit që Konventa Europine nuk njeh si shkak legjitim për kufizimin e lirisë së shprehjes mbrojtjen e marrëdhënieve me shtetet e tjera, duhet thënë se edhe përmbajtja e tij nuk përkon aspak me atë të kreut në të cilin është përfshirë. Sipas tyre, veprimet fyese ndaj himnit dhe flamurit janë konsideruar si kundërvajtje penale, në një kohë që kreu titullohet "Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Mbrojtja e zyrtarëve

“Neni 227 i Kodit Penal krijon një mbrojtje të posaçme për përfaqësuesit zyrtarë të shteteve të huaja me qëllim mbrojtjen e marrëdhënieve me shtetet e tjera. Kjo mbrojtje e posaçme nuk justifikohet nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut si një shkak legjitim për kufizimin e lirisë së shprehjes, mbasi personat publikë janë më të ekspozuar ndaj opinionit publik dhe për këtë arsye të drejtat e tyre janë më të kufizuara në drejtim të reputacionit.”

Neni 268 i Kodit Penal

“Poshtërimi botërisht i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar ose dëmtimi apo bërja qëllimisht e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës së Shqipërisë, të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj”, - propozon PS-ja, duke kundërshtuar që një vepër e tillë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›