PS humb këshillin e qarkut Berat, 4 këshilltarë votojnë për LSI-në
Frika e deputetit socialist të Beratit, Erion Braçe se LSI po blinte këshilltarë të PS-së për votat e këshillit të qarkut, doli e vërtetë. Sot gjatë votimit për kryetar të këshillit të qarkut ka fituar kandidati i LSI-së i mbështetur nga PD-ja duke marrë katër vota të këshilltarëve socialistë. Disa javë më parë Braçe pati denoncuar publikisht LSI-në se po bën pazare për të blerë këshilltarët socialistë. Ndërsa sot Braçe pranon se skema funksionoi pavarësisht presionit të tij publik ndaj këshilltarëve që të mos shiteshin dhe ndaj drejtuesve të LSI-së.
Braçe pranon se PS humbi sot në mesdite Kryetarin e Këshillit të Qarkut Berat. Koalicioni “i majtë” i drejtuar nga PS kishte 27 këshilltarë nga 51 gjithsej, pra, shumicë të qartë. Por 4 këshilltarë të majtë votuan për kandidatin e Berishës dhe Metës. I pari, socialist, pjesëmarrës në garën brenda partisë, intelektual dhe gjithnjë i emëruar në funksione nga PS; i dyti kryetar i një komune malore, i treti, një fshatar që jeton në varfëri; i katërti, aleat i PUK. I pari tha se votoi për inat, i dyti se ishte i fyer rëndë, i treti ishte pjesë e një skeme shantazhi, i fundit është nën gjykim për falsifikim. Braçe duket se ka përjetuar shumë këtë fakt për shkak se është deputet i këtij qarku. Ndërsa më tej ai fajëson partinë që nuk e mori seriozisht paralajmërimin e tij të hershëm për shitjen e këshilltarëve në mënyrë që ta ndalonte.
Ju pata thënë: Tradhtia është kthyer në sistem në PS! Udhëheqja më vuri dikë nëpër gazeta të më shante! Ja pasoja!. Komentet e Braçes janë bërë në faqen e tij në Facebook, ku komunikon rregullisht me miqtë e tij. Pak ditë më parë PS humbi dhe shumicën në Këshillin Bashkiak të Fierit për shkak të blerjes së votave nga LSI.