PS i lexon keq rezolutat. Rama të heqë dorë nga kutitë
Zëvendëskryeministri
Meta flet edhe për marrëveshjen e kufirit me Greqinë
Numri dy i qeverisë, Ilir Meta, akuzon opozitën se mban një qëndrim jo të sinqertë ndaj rezolutës së Këshillit të Europës. “Strasburgu ishte një dështim i madh për ta dhe evidentoi edhe politikën e tyre destruktive në dëm të vendit, sikurse ishte kërkesa e tyre për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, e cila nuk u mor në konsideratë për arsye se në rast se Shqipëria ka një problem, i cili është mosfunksionimi parlamentar i opozitës, ky është një problem i shkaktuar nga vetë lidershipi i saj”, theksoi Meta. Së dyti, vijoi ai, ne e kemi përshëndetur dhe e përshëndesim rezolutën, madje edhe kur ajo ka qenë një projekt-rezolutë, sepse në fund të fundit i gjithë thelbi i kësaj rezolute ka të bëjë me atë që mazhoranca i ka ofruar me kohë opozitës. “Ju e shihni qartë që ata vetëm i lexojnë mbrapsht rezolutat, duke mos pasur asnjë vullnet për dialog, duke qenë se nuk pranojnë një dialog që respekton Kushtetutën e vendit, çka është esenciale dhe e panegociueshme, por njëkohësisht vendosin kushte të cilat e zhvleftësojnë dialogun ende pa filluar. është me të vërtetë për të ardhur keq”, nënvizoi Meta. Sipas tij, qëndrimi i Kryeministrit ka qenë tepër korrekt dhe parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion një dialog, por padyshim që është shumë e rëndësishme që dialogu duhet të ndodhë mbi bazën e respektimit të Kushtetutës së vendit dhe kuptohet se në kushtet ku Edi Rama kërkon të vendosë një kërkesë anti-kushtetuese, ky lloj dialogu nuk mund të funksionojë dhe as nuk mund të ketë ndonjë rezultat.
#