E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, kujdes nga faza e dytë

Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë kategoritë më vulnerabël që të ruhen në këto ditë të ftohta

Sipas Ministrisë se Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, zyrtarisht jemi në sezonin e epidemisë numër dy.
Pas muajit nëntor, ku u shënuan edhe rastet më të shumta të të infektuarve nga viroza, gripi i parakohshëm, por edhe virusi i gripit të derrit AH1N1, një periudhë tjetër e “rrezikshme” është në fillim. Muaji shkurt, i parashikuar si më problematiku që nga shtatori i 2009-s, pritet të shënojë edhe numrin më të lartë të infeksioneve dhe të prekurve nga gripi. Piku i qarkullimit të viruseve, por edhe të të sëmurëve të fazave të lehta dhe të rënda pritet të ketë me “shumicë” pikërisht gjatë këtij muaji.Në këtë kohë shërbimet e urgjencave në spital janë të mbushura plot, përgjatë 24 orëve. Urgjencat e pediatrisë, kardiologjisë dhe infektivit çdo ditë presin e përcjellin pacientë me grip, viroza, apo dhe të dyshuar për grip derri. Për dy muaj, shkurt, mars, secili duhet të bëjë kujdes për t’u ruajtur nga gripi e mbi të gjitha për të mbajtur sistemin imunitar në ritme të larta.
Mjekët këshillojnë regjimin, ushqim të pasur me vitamina, proteina, frekuentimi i ambienteve të ngrohta, jo me shumë njerëz dhe evitimi i orëve të gjata pranë mjediseve publike të mbipopulluara. Frutat, perimet dhe gjumi i rregullt ndihmojnë organizmin të jetë në “formën” më të mirë.
Po ashtu fëmijët e vegjël, pacientët kronikë dhe të moshuarit duhet të bëjnë kujdes, të respektojnë rregullat dhe këshillat e mjekëve për të mos pasur shqetësime shëndetësore. Ulja e temperaturave, qarkullimi i gripit dhe piku i “lundrimit” të infeksioneve në ajër janë armiqtë kryesorë të shëndetit tonë.
Sakaq, sipas Institutit të Shëndetit Publik, në këtë kohë kur në Shqipëri janë prekur mbi 500 qytetarë nga gripi i derrit, është e rëndësishme të mbahet nën kontroll situata e qarkullimit të virozave, të raportohen rastet e rënda, e mbi të gjitha të monitorohet situata nëse në ajër ka kombinime të viruseve apo mutacione të AH1N1.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›