Shkolla e policisë, ngelin 140 efektivë
Ata shprehen se nuk u lejohet të rifuten në provim dhe rrezikojnë karrierën disavjeçare
Vetëm për pak kohë, 140 punonjës policie kanë humbur shansin e tyre të vazhdojnë karrierën në këtë shërbim, pasi kanë mbetur në provimet e shkollës së policisë. Të paktën deri tani atyre u është deklaruar se nuk kanë të drejtë të konkurrojnë sërish në Shkollën Bazë të Policisë, fazë që sipas standardeve të reja të rekomanduara nga ndërkombëtarët, duhet ta kalojnë të gjithë efektivët e policisë, të cilët nuk kanë mbaruar shkollën 3-vjeçare, siç është quajtur më parë “Akademia e Policisë”.
Pak kohë më parë nisën kurset e para për punonjësit e policisë, të cilët janë në detyrë dhe kishin të drejtë rroge pikërisht sipas gradës që mbanin. Megjithatë, problemi për ta ka ardhur më vonë. Sipas tyre, të gjithë që kanë hyrë në këtë kurs, duhet të kalojnë kufirin minimal të pikëve të vendosura nga Shkolla e Policisë, përndryshe mund të largohen nga policia. Sipas të dhënave, nëse një punonjës policie nuk e kalon teorinë, ku kufiri minimal i pikëve është 65 nga 100 të mundshme, atëherë ai nuk mund të vazhdojë praktikën. Megjithatë, kjo ndodh në çdo sistem arsimor, por e veçanta për ta është se nuk mund të marrin pjesë sërish në provime, pra nuk mund të kenë një shans të dytë. Efektivë policie, të cilët sapo kanë mbaruar fazën e teorisë në shkollën e policisë dhe prej më pak se dy javësh po kryejnë praktikën, tregojnë se atyre u është deklaruar se nëse nuk e kalonin kufirin minimal, ata do të ktheheshin në detyrat ku kanë qenë, derisa të gjenden zëvendësuesit dhe më pas do të largoheshin nga Policia e Shtetit, ose do të kalonin te Shërbimet Mbështetëse. Gjithashtu, atyre u është deklaruar se nuk kanë të drejtë të rifuten në provime për të provuar sërish aftësitë e tyre për të qenë në polici.
Burimet policore shpjegojnë se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në kursin e fundit, që sapo mbaroi teorinë, ku 40 persona “kanë ngelur në klasë”. Por, nuk janë vetëm këta 40 persona, pasi vetëm një kurs më parë nuk e kaluan teorinë edhe 100 efektivë të tjerë. Pra, për një hark të shkurtër kohor, 140 efektivë policie kanë humbur të drejtën të vazhdojnë karrierën e tyre në polici, sidomos në shërbimet operacionale. Kryesisht, këta persona janë dërguar në sektorin e policisë së ruajtjes së objekteve. Megjithatë, ende nuk ka një informacion zyrtar se çfarë do të bëhet me këta punonjës, të cilët prej shumë vitesh shërbejnë në polici dhe nuk kanë arritur t’i kalojnë provimet. Punonjësit e policisë shprehen se edhe këto dështime kanë ardhur për shkak të gjuhës së përdorur në literaturën e studiuar, pasi sipas tyre është “kopjuar” literatura e përdorur për Policinë e Kosovës.
Pikërisht në vitin 2007, Policia e Shtetit filloi një fazë të re për rekrutimin e punonjësve të saj. Deri në atë kohë, punonjësit e Policisë së Shtetit mund të përzgjidheshin pasi kalonin fazat e konkurrimit dhe kryenin studimin pranë akademisë së policisë “Arben Zylyftari”. Arsimimi në atë kohë ishte në dy mënyra, 3-vjeçar dhe 1-vjeçar. Ata që mbaronin arsimin 3-vjeçar për të hyrë në radhët e uniformave blu, dilnin në punë me gradën e vjetër “Nëninspektor”, ose siç quheshin oficerë policie. Ndërsa ata që mbaronin vetëm kursin 1-vjeçar, ishin kryesisht efektivë policie të rolit bazë, që mbanin gradat nga “Agjent”, deri te “Kryeasistent”. Por, në vitin 2007 sistemi i arsimimit për të hyrë në polici ndryshoi, që sipas politikave drejtuese ky veprim u krye për t’u ofruar kushte të barabarta gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit.
Shkolla bazë e policisë u nda në disa etapa, por që i ngjan më shumë një kursi disamujor. Faza e parë është ajo e teorisë dhe faza e dytë e praktikës. Kështu nisën kurset e para të të rekrutuarve, por vonë, nga drejtuesit e policisë dhe Ministrisë së Brendshme, erdhi edhe kualifikimi në këtë shkollë edhe për të gjithë punonjësit e policisë, pavarësisht se kishin shumë vite në punë. Në këto kushte, Policia e Shtetit deklaroi se këtë shkollë do e kryejnë gjithë punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë mbaruar Akademinë e Policisë me sistemin 3-vjeçar. Planifikimi për të kualifikuar gjithë këta punonjës policie u bë që të mbarojë afërsisht deri në vitin 2011, për shkak se nuk mund të lihen mungesa në shërbimet bazë të policisë.
#