E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit: Topi të dekretojë “hapjen e dosjeve”



Ish-të përndjekurit i kërkojnë kreut të shtetit, Bamir Topi, dekretimin sa më të shpejtë të ligjit për hapjen e dosjeve. Nisur nga fakti se hapja e dosjeve është zvarritur përgjatë 18 viteve, ish-të përndjekurit politikë insistojnë për hapjen e dosjeve në mënyrë urgjente. Ata apelojnë në adresë të kryetarit të shtetit, që ta dekretojë sa më shpejt ligjin. Ndërsa e vetmja deklaratë që ka ardhur nga Presidenti i Republikës, Topi, lidhur me ligjin që ngjalli aq shumë kritika nga faktori ndërkombëtar dhe opozita, është se do të respektojë Kushtetutën. Drejtori i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, i bën thirrje për dekretimin e këtij ligji. Vetë kreu i shtetit, Bamir Topi, ka deklaruar se vendimin për të dekretuar ose jo ligjin për hapjen e dosjeve do ta marrë në respekt të ligjit themeltar të shtetit. Edhe pse kanë kaluar 17 ditë nga 20 që Kushtetuta i njeh Presidentit si afat për të dekretuar një ligj, kreu i shtetit ende nuk ka marrë asnjë vendim për ligjin që u miratua me votat e mazhorancës, pa konsensusin e opozitës. Ish-të përndjekurit kanë konsideruar se ligji që mori votat në Kuvend është i butë krahasuar me diktaturën e ashpër që sundoi për afro 50 në Shqipëri, por gjithsesi ata kanë përshëndetur vendimin e Parlamentit. Qëndrimi i shprehur nga Shoqatat e ish-të Përndjekurve Politikë se ky ligj është i butë, është pranuar edhe nga Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, modeli i zgjedhur për t'u aplikuar në Shqipëri është edhe varianti më i zbutur i nismave evropianeve për proceset e lustrimit. Kryeministri Berisha ka shpjeguar se ky ishte edhe modeli çek, i cili mund të konsiderohej një nga modelet më të zbutura krahasuar me ato të vendeve të tjera, ku ishin zbatuar regjime totalitare. Ish-të përndjekurit e konsideruan të vonuar ligjin përgjatë 18 viteve të ndërtimit të sistemit demokratik. Megjithëse të entuziazmuar se më në fund emrat e persekutorëve të tyre do të bëhen publikë, të përndjekurit shprehin keqardhjen se dhe këtë radhë ligji nuk u shpëton interesave politike. Sipas tyre, “politika e ka penguar”. Por ligji i cili autorizon largimin e ish-spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të regjimit nga postet aktuale në administratën publike, duke filluar nga Presidenti deri tek drejtorët e shkollave, a vendos drejtësi? Për këtë, Besim Ndregjoni ka pohuar se “për ish-të përndjekurit janë hapur dosjet. I ka hapur ligji i dëmshpërblimit dhe ish-të përndjekurit e dinë se kush i ka spiunuar, e dinë se kush i ka dënuar, e dinë edhe se kush i ka ekzekutuar dhe i kanë publikuar. Dhe politika ka heshtur përpara publikimit të këtyre individëve. Për të përndjekurit politikë të mos merakoset politika. Politika të hapë dosjet e saj. T’i hapë një me një”.

Berisha uron bektashinjtë për festën e Ashures

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Z. Berisha i përcolli kryetarit të Kryegjyshatës, Baba Dede Reshat Bardhi dhe të gjithë besimtarëve bektashinj urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Uroj të gjithë bektashinjtë shqiptarë, të gjithë besimtarët shqiptarë, në këtë ditë të bardhë, ditë të madhe, ditë të shenjtë, siç është Dita e Ashures. Ju uroj këtë ditë bektashinjve, të cilët, pas besimit tek Zoti, virtytin më të madh kanë shpirtmadhësinë e tyre, tolerancën, mirëkuptimin dhe frymën e pafundme njerëzore. Le të jetë kjo ditë dhe ky vit, viti më i mirë për bektashinjtë shqiptarë dhe për të gjithë shqiptarët!”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›