E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja bllokon shqyrtimin e ligjit të Gjykatës së Lartë. Shtyn funksionimin e Gjykatës Administrative

05-09-2012 / Gazeta 55

Reagon Rusmali: Kalendarin e ka përcaktuar Konferenca e Kryetarëve për datën 13 shtator në Këshillin e Legjislacionit

Në mbledhjen e tij të parë për sesionin e ri të kuvendit, në Komisionin e Ligjeve opozita kërkoi të shtyhej shqyrtimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili është planifikuar që të jetë në rend dite në seancën plenare të datës 13 shtator. Kërkesa për shtyrje sipas nënkryetarit socialist të Komisionit Xhafa, vjen se ligji për Gjykatën e Lartë, është edhe në varësi të shqyrtimit të nismës së opozitës për reformën në drejtësi, në të cilën kërkohet që anëtarët dhe krerët e institucioneve të drejtësisë, për rrjedhojë dhe të Gjykatës së Lartë, të zgjidhen me shumicë të cilësuar votash. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Xhafaj deklaroi se shtyrja shqyrtimit duhet të bëhet derisa sa të diskutohet nisma e opozitës për ndryshimet kushtetuese. “Meqë amendamentet tona kanë lidhje drejtpërsëdrejti me ligjin “Për Gjykatën e Lartë mendoj që kjo të shtyhet pak në kohë sa të fillojë ky proces”, deklaroi deputeti Xhafaj.
Ndërkohë shtyrja nuk është në dorë të Komisionit të Ligjeve theksoi kryetari i Komisionit të Ligjeve. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, solli në vëmendjen e opozitës se nuk është në tagrin e komisionit të dalë mbi kalendarin e përcaktuar nga konferenca e kryetarëve, për me tepër kur nisma e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës shqyrtohet nga Këshilli i Legjislacionit më datë 6 shtator, kurse ajo për Gjykatën e Lartë shqyrtohet në seancë plenare më 13 shtator. “Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar kalendarin për Këshillin e legjislacionit për amendamentet kushtetuese, shqyrtimin ditën e enjte më datë 13. Jemi të detyruar t’i bindemi vendimit të parlamentit dhe Konferencës së Kryetarëve, do të thotë që opsionet tona janë që ky projektligj të trajtohet ose ditën e hënë ose ditën e martë, opsione të tjera ne nuk kemi”, u theksoi kryetari i komisionit të Ligjeve, Rusmajli. Kërkesa për shtyrjen e ndryshimeve në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë është e vjetër nga ana e opozitës. Pr/ligji “Për Gjykatën e Lartë”, miratimi të cilit kërkon dhe votat e opozitës, është prioritar në axhendën parlamentare. Për shkak të saj ligji që lidhet ngushte është me vënien në funksion të Gjykatës Administrative, nuk u miratua në sesionin e kaluar të Kuvendit, por u kërkua të shtyhej për në shtator. Vonesat në miratimin e tij vështirësojnë ngritjen e Gjykatës Administrative, aq të nevojshme për biznesin dhe sipërmarrjen e lirë.
Para disa ditësh ishte ministri i Drejtësisë, Halimi që shprehu shqetësimin se mosmiratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë bllokon ngritjen e gjykatave Administrative. “Ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm për faktin se Gjykatat Administrative nuk mund të krijohen pa u miratuar ligji për Gjykatën e Lartë. Kjo nëse nuk është një lojë e opozitës, duhet të jetë një qëndrim serioz, i përgjegjshëm dhe profesional i saj në Parlament”, deklaroi ministri Halimi.
Në shenjë të vullnetit të mirë për reforma, Halimi ka nxjerrë kështu çështjen e Gjykatës Administrative, por duke nënvizuar se sjellja e opozitës mund ta kthejë atë në një handikap të ri për Integrimin e Shqipërisë. “Nëse nuk do të jap konsensusin, kjo sigurisht do të sjellë pastaj dhe mungesën e krijimit të Gjykatave Administrative dhe kjo është mjaft e rëndësishme për procesin e integrimit në të cilën ndodhet Shqipëria, përpara kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat”- theksoi ministri i Drejtësisë, Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›