E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuma totale e investimeve në HEC-e arrin vlerën e rreth 6 miliardë lekë – krijohen vende të reja pune

05-09-2012 / Gazeta 55

Qeveria jep me koncesion edhe 7 HEC-e të tjera

Në kuadrin e punësimit gjithnjë e më të madh të shqiptarëve dhe nismës “Shqipëria një superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon”, kryeministri Berisha firmosi dje dhënien me koncesion edhe për 7 hidrocentrale. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Kryeministrit Erla Mëhilli konfirmoi se nga dhënia me koncesion e tyre krijohen vende pune. “Konkretisht hidrocentrali Qarr dhe Kaltanj, në rrjedhën e sipërme të Osumit, hidrocentralet Babjen dhe Lozhan 2 si dhe Kasollet e Selcës në rrjedhën e mesme të lumit Devoll, hidrocentrali Guri i Kuq në degët e lumit Osum, hidrocentrali Driza në ujërat e lumit Bistricë, hidrocentrali Potam në degën e lumit Pavlës dhe hidrocentrali Denas në lumin e Cemericës”- deklaroi Mëhilli. Sipas saj shuma totale e investimeve arrin vlerën e rreth 6 miliard lekë ndërkohë që punësojnë rreth 1500 punonjës të profesioneve të ndryshme. Energjisë së rinovueshme këto hidrocentrale i shtojnë kapacitetin e prodhimit me 18 megavat.
Me këto 7 hidrocentrale numri i hidrocentraleve të dhëna me koncesion në Shqipëri arrin në 332, kapacitetit prodhues në tërësi arrin 1450 megavat, ndërsa vlera e investimit të tyre është mbi 2 miliardë euro.
“Këto rritje kapacitetesh energjie të rinovueshme po realizohen jo më para publike, por janë investime 100 për qind private të nxitura dhe mbështetura nga klima e favorshme investuese e krijuar nga qeveria shqiptare. Në të gjitha hidrocentralet e dhëna me koncesion që do ndërtohen parashikohet të krijohen mbi 25 mijë vende pune në të katër anët e vendit”- vijoi më tej zëdhënësja e kryeministrisë, e cila i konsideroi përpjekjet për të dekurajuar biznesin dhe interesin e tij për koncesione në fushën e energjisë si anakronike, ziliqare dhe keqdashëse.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›