Topi: Obama, garanci inkurajuese për Shqipërinë
Tirana zyrtare përshëndeti dje momentin e zgjedhjes së Barak Obamës në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me besimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të forcohen përgjatë mandatit të ri të Presidentit Obama, shteti shqiptar beson tek vijimësia e mbështetjes amerikane në proceset integruese. Ajo e sheh Barak Obamën si një garanci inkurajuese për proceset integruese të vendit tonë. Në emër të popullit shqiptar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e zgjedhjes në detyrën e tij. Në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë, por dhe në emrin e tij personal, përmes një mesazhi, Bamir Topi i përcolli Presidentit të ri amerikan urimet më të mira e më të përzemërta për fitoren historike. Në mesazhin e tij, Presidenti Topi shkruan: “Më lejoni Zoti President që me këtë rast, të ritheksoj besimin tim, se niveli i shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës suaj, do të forcohet dhe zhvillohet më tej, në dobi të dy popujve tanë miq”. Topi shkruan më tej se “angazhimi i SHBA-së në mbështetje të popullit tim, përgjatë gjithë proceseve të brendshme demokratike-reformuese dhe sfidave atlantike-integruese, është për ne garanci inkurajuese për vazhdimësinë dhe kryerjen e suksesshme të tyre”. Duke e cilësuar si një fitore historike zgjedhjen e z. Obama në krye të SHBA-së, në mesazhin e tij Presidenti Bamir Topi përmendi: “Më lejoni, Zoti President që me këtë rast të ritheksoj besimin tim, se niveli i shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës suaj, do të forcohet dhe zhvillohet më tej, në dobi të dy popujve tanë miq”. Z. Topi siguroi zotin President të SHBA-së “për angazhimin tim dhe të vendit tim, si aleatë e partnerë të besueshëm përkrah popullit amerikan, në trajtimin e politikave të përbashkëta rajonale dhe globale, me synim paqen, stabilitetin dhe zhvillimin, për një bashkëjetesë harmonizuese mbarëbotërore!”. Kryetari i shtetit shqiptar, e mbyll mesazhin e tij me fjalët: “Me urimet e mia më të mira dhe me përshëndetjet më miqësore, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”. Drejtuesit e shtetit shqiptar, qeveria dhe mbarë politika në vend, ndoqi më shumë vëmendje ceremonialin madhështor, ku Barak Obama dha betimin e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z. Obama mori zyrtarisht postin e Presidentit të 44-t të Amerikës, duke u bërë Presidenti i parë më ngjyrë në historinë amerikane. Pikërisht në orën 18:05, Barack Obama bëri betimin mbi Bibël dhe Kushtetutë si Presidenti i radhës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën vëzhgimin e miliona syve në mbarë botën.
Basha: Zgjedhja e Obamës, ditë historike
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, e quajti dje si historike momentin kur Barak Obama u betua si Presidenti i 44-t i SHBA-së. Shefi i diplomacisë shqiptare, Basha, duke folur për ceremoninë e inaugurimit të Obamës si president ka bërë dhe lidhjen mes vendit tonë dhe SHBA-së. Ai vlerësoi kontributin e rëndësishëm të SHBA-së në rajon, në Shqipëri, e veçanërisht në Kosovë pasi sipas ministrit të Jashtëm, amerikanët u shndërruan në mbrojtësit më të fortë të pavarësisë së Kosovës. Sipas Bashës, marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të përmirësohen tashmë që në krye të Shtëpisë së Bardhë vjen Presidenti Obama. Ndërkaq ministri Basha i bëri dhe jehonë fushatës së jashtëzakonshme elektorale mes Obamës dhe McCain, duke bërë edhe analogji me PD-në dhe aspiratat e saj. Ai nuk ka nguruar të vërë në dukje se i gjithë faktori politik shqiptar ka qenë gjithmonë i bashkuar për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
PDK: Presidenti Obama, shpresa e re e shqiptarëve
Partia Demokristiane përshëndet dhe uron në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për mbarë botën dhe në veçanti për Shqipërinë, si vend mik dhe aleat i SHBA-ve, Presidentin e ri, z. Barak Obama, kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, konsideroi dje zgjedhjen e tij si presidenti i 44-t i SHBA-ve, një fitore të madhe të politikes amerikane, të qytetërimit amerikan, të vlerave të shenjta të lirisë dhe të barazisë që shoqëria amerikane ka krijuar dhe mbrojtur në gjirin e saj, duke u shndërruar në model frymëzues për të gjithë njerëzimin. Ne këtë ditë të jashtëzakonshme, PDK përmes kryetarit Nard Ndoka i uron Presidentit Obama suksese në krye të shtetit më të fuqishëm të botës, në të mirë të qytetarëve amerikanë, në të mirë të konsolidimit të paqes dhe të lirisë, në të mirë të bashkëpunimit dhe miqësisë së shenjtë që lidh Shqipërinë dhe shqiptarët me SHBA-në.
Majko: Obama, simbol optimizmi për krizën
Ish-kryeministri Pandeli Majko është shprehur dje se Obama është kthyer në një simbol optimizmi në një periudhë ku e gjithë bota ndodhet në krizë ekonomike. Fitorja e Obamës është fitorja e tij si fenomen u shpreh Majko. Politika e vjetër dhe politika e re bashkohen në një qëllim që ka veç një emër SHBA u shpreh Majko. Sipas Majkos, SHBA-së çdo punë që ka nisur e ka çuar deri në fund, duke përmendur kështu integrimin e Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO.