Bush shoqëron pasardhësin, më pas kthehet në fshat
Ish-Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i dha fund 8 viteve të tij të qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë. Puna e tij e fundit kishte të bënte vetëm me një qëllim, shoqërimin e Presidentit të ri Barak Omaba. Bushi shoqëroi Obamën gjatë pjesës më emocionuese të ditës së djeshme ku Obama u betua. Ai po e shoqëronte dhe i qëndroi afër pasardhësit të tij, Barak Obama, në Kapitol Hill, për përurim. Pas betimit në biblën 150-vjeçare të përdorur për betim edhe nga Presidenti Abraham Linkoln, Obama mbajti fjalimin e tij të parë si President i SHBA-ve për 20 minuta. Bushi po i qëndronte afër Obamës edhe gjatë fjalimit të tij, duke mos i larguar sytë për asnjë çast nga pasardhësi. Pas fjalimit, Obama përcolli Bushin në sheshin afër Kapitol Hillit ku e priste helikopteri ushtarak. Bushi u përqafua me Obamën dhe u nis në fermën e tij në Teksas, ku me sa duket, do të fillojë pensionin e tij. Helikopteri me sa duket, ishte objekti i fundit që i përket Presidentit të SHBA-ve të cilin Bushi e përdori për herë të fundit. Emocionuese ishte edhe përcjellja e zonjave të para. Mishelë Obama i tha mirupafshim zonjës Laura Bush e cila nga ana e saj i dha urimet e veta. Zëvendëspresidenti Bajdën përcolli Dik Çenin, i cili ndodhej në një karrocë me rrota.
1 milion njerëz ndjekin në të ftohtë betimin e Obamës
Më shumë se 1 milion njerëz qëndruan e ndoqën drejtpërdrejt betimin e Presidentit të ri, Barak Obama. Ngjarja historike, ku pritej të betohej Presidenti i parë me ngjyrë në SHBA, nuk i ka ndaluar këta njerëz që të durojnë temperatura ngrirëse. Sipas mediave amerikane, temperaturat ishin vërtet të ulëta dje në Uashington, por kjo nuk pengoi që ceremonia të ishte madhështore. Njerëzit në sheshin e Kapitol Hillit, ndonëse kishin ftohtë, ndoqën fjalimin entuziast të Obamës. Ndonëse po e niste detyrën me miliarda dollarë të humbur nga kriza ekonomike dhe afërsisht 11 milionë amerikanë që kanë humbur punët, Obama dha shpresë përtej frikës. “Duke qëndruar sonte, ne duhet t’i kujtojmë vetes se duhet të nisim nga puna për të ringritur Amerikën”, - tha Obama përpara qytetarëve në shesh të cilët po shtrëngonin duart nga të ftohtit.
Dora e Obamës në Biblën e Linkolnit
Presidenti i ri, Barak Obama, zgjodhi një bibël të veçantë, mbi të cilën bëri betimin. Ai vuri dorën mbi të njëjtën bibël që përdori edhe ish-Presidenti Linkoln, gati 150 vite më parë. Mbi të njëjtën bibël, Obama tha: "Do ta garantoj, ruaj dhe mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara". Dita e përurimit nisi herët për Obamën dhe bashkëshorten e tij, Mishelë. Së bashku me zëvendëspresidentin e zgjedhur Xho Bajdën dhe familjen e tij, ata morën pjesë në një shërbesë kishtare në Kishën Episkopale të Sh. Xhonit. Më pas, ata pinë një kafe në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush dhe zëvendëspresidentin Dik Çeni. Presidenti i ri Barak Obama bëri një tur 4-ditor, i cili ishte pjesë e ceremonisë së përurimit. Përurimi historik i Barak Obamës si Presidenti i 44-t i SHBA-ve pati edhe surprizat e tij. Të shtunën, Barak Obama dhe Xho Bajdën shkuan në një tur me tren që nisi nga Filadelfia, vendlindja e demokracisë së shtetit amerikan. Të dielën, Obama ndihmoi ceremoninë e përurimit, duke hapur një eveniment në memorialin e Linkolnit, ku ftoi artistë të shumtë si grupin irlandez U2, Brus Springstin, Asher e shumë të tjerë. E hëna ishte dita e Martin Luter Kingut. Gjenerali Kolin Pauell drejtoi një promovim në komunitet për të ngritur lart vlerat e një Amerike të bashkuar. Obama dhe Bajdën së bashku me familjet, morën pjesë në Uashington në ceremoninë e veçantë në nderim të Martin Luter Kingut. Një koncert për fëmijët u zhvillua atje dhe më pas një darkë private ku mori pjesë edhe ish-rivali Xhon Mekejn. E marta ishte dita e përurimit dhe përfshiu një ceremoni të gjatë së bashku me një paradë të madhe. Ato filluan që nga ora 10 e mëngjesit e deri në orën 7 pasdite.
Sondazhi, bota optimiste për presidencën e re
Bota është optimiste se presidenca e Barak Obamës do të përmirësoje marrëdhëniet e SHBA-së me shtetet e tjera. Sipas një sondazhi të zhvilluar nga sesioni botëror i BBC-së, ku janë intervistuar me shumë se 17 mijë njerëz nga 17 vende, rreth 67 për qind e tyre janë shprehur se Obama do të forcojë marrëdhëniet e SHBA-së me botën. Sipas sondazhit, njerëzit presin gjithashtu që kriza ekonomike të jetë prioriteti i tij, i pasuar nga tërheqja e trupave nga Iraku, ndryshimet e klimës dhe ndërmjetësimi për paqen në Lindjen e Mesme. Më optimistët ishin shtetasit evropianë, ku 80 për qind e të pyeturve u shprehën me nota optimizmi për presidencën Obama.