Bojkoti, Topi: Opozita të pranojë dialogun
Kreu i shtetit, Bamir Topi, do të vazhdojë të inkurajojë dialogun politik mes mazhorancës dhe opozitës, por pa mundur të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit politik të momentit si shkak i bojkotit të opozitës ndaj Parlamentit. Ai lë të kuptohet qartë se opozita duhet të pranojë dialogun me mazhorancën me qëllim që t’i jepet fund bojkotit institucional. Presidenti Topi pohoi dje se nuk ka fuqi ndërmjetësimi tek palët duke thënë: “Mbetet në dorë të dy partive të mëdha gjetja e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund bojkotit dhe normalizimin e klimës politike”. "Respektoj në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike, i inkurajoj për dialogun, natyrisht nuk mund te interferoj. Besoj se klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Pa dyshim ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në Parlament janë reduktuar, që do të thotë që vullnetet politike nuk konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në Parlament", - theksoi Presidenti Bamir Topi. Nga selia e Presidencës, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun turk, kreu i shtetit bëri të qartë se nuk mund të tejkalojë kompetencat që i jep pozicioni i tij si kryetar shteti. Kundrejt kësaj ai vuri në dukej: “Në respekt të pozicionit të Presidentit, që është kushtetues dhe institucional, bëj apelin e nevojshëm dhe të domosdoshëm në limitin e mosinterferencës tek partitë. Unë i inkurajoj ato për dialog, por nuk mund të interferoj. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është esenciale për jetën e një vendi”. Më tej, kreu i shtetit e vuri theksin tek rënia drastike e përfaqësimit të partive politike në Parlament, gjë që, sipas tij, po të ishte ndryshe do të kishte një efekt më pozitiv. Z. Topi përmendi se dikur, mbi bazën e ligjit të vjetër elektoral, kishte një numër të konsiderueshëm partish parlamentare. Në gjykimin e z. Topi ligji i ri ka imponuar një reduktim të ndjeshëm të partive. “Ajo që dëshiroj unë, është që të rritet bashkëpunimi politik, por kjo varet nga vullneti i partive. Iu referova numrit të partive parlamentare, pasi kjo heshtje ka të bëjë direkt me to”, - shtoi z. Topi.