E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, gjyq Ramës për dështimin

Dështimi flagrant i protestës ka sjellë krijimin e një aleance të re në PS, mes kritikëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe si dhe kundërshtarëve të rinj të Ramës, të cilët po ndjejnë se po u shkatërrohet karriera politike, për shkak të mbetjes jashtë institucioneve. Edvinin e ka zënë qysh dje paniku, pasi dy herë brenda ditës, e nxori zëdhënësen për të përgënjështruar fjalimet e veta dhe për të urtësuar grupet e zemëruara të deputetëve. Tani pritet ta ketë radhën prishja e vendimit për bojkotin si dhe mocioni i mosbesimit, ndaj një kryetari që në fillim humbi zgjedhjet, e më pas diskreditoi edhe nocionin e protestës me shpërdorime folklorike si qoftet dhe ëc-të ambulante

Tashmë e mori vesh e gjithë njerëzia se protesta qe një fiasko e vërtetë, se populli i bojkotoi masivisht dacibaot e Edvinit, prandaj edhe përfundimi i tre ditëve të hajgares në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të shoqërohet me nisjen e gjyqit për humbjen e dytë të madhe të Edi Ramës. Kryetari mandatprerë i Partisë Socialiste, sot e gjithë ditën uzurpues i atij funksioni, regjistroi brenda pak muajsh humbjen e dytë madhore, pas humbjes së 28 qershorit, regjistroi edhe delegjitimimin e bojkotit si aksion politik dhe qesharakëzimin e protestës gjithashtu si mjet për të arritur qëllime të caktuara politike. Eksponentë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, kanë njoftuar se qysh në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar do të kërkojnë llogari për protestën-paçavure, e cila i diskreditoi krejtësisht dhe i izoloi, jo vetëm nga zgjedhësit, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Por përveç tyre, edhe donatorë e mbështetës të fortë të protestës tashmë kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë, dhe mund të çlirohen njëherë e mirë, nga një politikan që po bëhet pengesë për faktorizimin e PS-së si opozitë. Shpërdorimi i fondeve dhe kakofonia e kërkesave që u lëshuan për tre ditë me radhë në protestën e socialistëve, do të sjellë gjyqin e pritshëm në PS, një kurban që do të vijë bash nga vatha e besnikëve, bash nga njerëzit që janë thirrur tash së voni në PS, si “gjaku i ri” që mund të rigjallërojë nomenklaturën.
Njoftimet e ditës së djeshme, duke nisur nga afrimi i orës së mitingut, prej orës 18 në orën 13, për të shmangur leximin e qartë të dështimit të protestës, por edhe urdhri i lëshuar për t’u trukuar kronikat televizive në televionet-vegla, përmes montimit të pamjeve të fjalimit të djeshëm me pamje të protestuesve në mesditën e 20 nëntorit, u shoqëruan pasdite me sjellje demaskuese të vërteta dhe me paranjoftime për furtunën që po troket në selinë e PS-së. Pakënaqësia dhe dështimi politik ka sjellë nxjerrjen e beftë para ekraneve të zëdhënëses ende në detyrë të Edvinit, e cila u komunikoi mediave dhe ndërkombëtarëve se socialistët nuk kërkonin hapjen e kutive të votimit (motivi kryesor në fakt, për të cilin edhe u thirr protesta treditore), por vetëm krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Përgjigjia e demokratëve erdhi dinjitoze, dhe jo cinike, siç mund ta kërkonte rasti, duke rikofirmuar se ishin krejt dakord që të ngrinin menjëherë strukturën parlamentare sipas kushtëtutës, bile duke garantuar edhe shumicën (jozyrtare) të socialistëve, por detanta kishte zbuluar edhe kotësinë e protestës, paqartësinë e Edvinit dhe angazhimin e tij vetëm në gjueti shtrigash brenda grupit parlamentar.
Atëhere, Edvini ka kërkuar sërish kohë për të shmangur gjyqin politik në kryesi dhe në grupin parlamentar, duke ripërspëritur, sërish nëpërmjet zëdhënëses së tij private, këtë herë në orën 21, se Partia Socialiste vërtet kërkonte hetim parlamentar, por me këtë nënkuptonte në radhë të parë hetimin e kutive të votimit, përmes hapjes së tyre dhe verifikimit të fletëve që gjenden brenda tyre.
Situata groteske nuk mund të mbyllet me shprehjen proverbiale “po kjo ishte lojaaaa”. Brenda vitit u bënë dy humbje të rëndësishme, dhe të pakënaqurit e vjetër të PS-së kanë të gjitha arsyet të bashkohen tashmë me të pakënaqurit e rinj, me ata që paguan lekët e protestës dhe kuptuan se po e shkatërrojnë karrierën politike ende pa e nisur mirë, për shkak të një bojkoti për motive krejt personale të Edvinit dhe për shkak të një paloproteste, e cila do t’u sjellë turpin e skuqjen për një kohë shumë të gjatë. Kjo shumicë e re do inicojë gjyqin ndaj Ramës që në fillim të javës dhe zbrapsja e lidershipit uzurpator do të nisë së pari duke anulluar vendimin për bojkotimin e parlamentit, më pas me ndaljen e gjuetisë së shtrigave në Grupin Parlamentar të PS e shumë shpejt edhe me mocionin e mosbesimit, që do të mund ta kthente opozitën e majtë në vendin që i takon, si një partnere të besueshme, jo vetëm për zgjedhësit, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›