“Legjitimiteti” i Mustaf Nanos është sinonim i anarkisë dhe i kaosit!
Ky gazetar nuk ka arritur në paroksizmin e kolegut të tij S. Ngjelës i cili, i vetëquajtur si ithtar i demokracisë liberale, kërkon që të përmbysë qeveritë legjitime, me dhunë! Megjithatë mendimet e M. Nanos dhe të S. Ngjelës janë të përafërta. Por synimi i të dyve për të arritur të njëjtin qëllim, pavarësisht nga mjetet që përdoren, - siç shkruhet në „Princin” e Makiaveli, - është i njëjtë. Pavarësisht se këtë tipar, Makiaveli e shpreh si mendësí për veprim të sundimtarëve tiranikë, makiavelizmi i këtij autori është një term që atij vetë nuk i kishte pëlqyer. Sepse synimi për t’i realizuar qëllimet, nuk shenjtërohet nga mjetet, përveçse nga të pabesët dhe nga tiranët,- siç përligjej autori i “Princit”.
Sidoqoftë, duke përdorur termin e përhapur, mund të thuhet se, në mënyrë makiavelike, Mustafa Nano vë shenjën e barazimit ndërmjet zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996 me ato të 29 qershorit të vitit 1997! Ta fillojmë nga fundi:
* * *
K.Sh.P. (Komitetet e Shpëtimit Publik) të Vlorës u njëjtësuan me gardistët e kuq të Mao Ce Dunit, në kohën e revolucionit kulturor. Në disa raste nuk dihej kush ishin më shumë apo më pak terroristë. Mjaftojmë të shohim kokat e prera me sëpatë të oficerëve të rendit, si i ndjeri Lekë Qoku, që u dekorua, post mortem, nga parlamenti. Ai nuk kishte bërë as krimin më të vogël. Por homologu i Muçit, kryetari i Komisionit Parlamentar për ’97-n, nuk kishte sy në ballë që t’i shihte dhe t’i interpretonte si humanist këto foto në të cilat, ajo e ndërmjetmja, është e mbuluar në 50 % të saj, nga blana gjaku viktimash të pafajshme. Shikojini mirë, o njerëz. Dhe gjykoni. A mos ishin më mizorë agucinët e Enverit, që ua mbathnin këpucët me gozhda me maja së brendshmi, para se t’i çonin të dënuarit me vdekje, për ekzekutim? Ata e kishin përvetësuar për bukuri, maksimën e Enverit për Llazar Fundon: “Të torturohet, pastaj të ekzekutohet!”. Por edhe këta të ’97-s enversitë ishin! Shyti ishte shprehur, për fushatën zgjedhore: “Po erdhi në Vlorë Berisha, do ta rrjepim të gjallë”! (22.03.’97). Në kasetën e regjistruar nga “Teleblu” shihet e dëgjohen fjalët e njërit prej terroristëve të K.SH.P.-së, drejtuar kryetarit demokrat të Bashkisë së Vlorës: - “Ose jep dorëheqjen, ose do të të djegim të gjallë, me gjithë bashkinë! Në të vërtetë kryebashkiaku demokrat i Vlorës shpëtoi për mrekulli me gjithë familjen, atë natë terrori, duke u strukur familjarisht nënë shtratet, ndërsa xhamat dhe shenjat e predhave të automatikëve lanë shenjat e gjurmëve të tyre mortore në xhamat, që u bënë copë, si edhe në të gjitha faqet e mureve të dhomave. Në prag të ditës (29 të zgjedhjeve), në shumë qytetthe jugore, - që u quajtën ironikisht domene në “pronësi” të komitetsave - u vunë nëpër pemët litarë me lakun që do të shtrëngonte qafat, për ata demokratikas, që do të kishin guximin të vinin e të bënin fushatë zgjedhore! Në një intervistë të B.Malos nga Cerriku, shkruhet më 13 mars: “Nuk bëhej fjalë për kandidaturë të PD-së në Cërrik. Aq shumë u manipulua... sa askush nuk mund ta vinte kandidaturën përveç Rexhep Mejdanit, që s’kishte nevojë as të shkonte në Cërrik, se ishte i fituar me 100 %!”. Ja ç’ishin zgjedhjet e 29 qershorit! Është pak të thuhet: një farsë. Por një farsë tragjike, për më tepër. Të gjitha janë të dokumentuara në gazetat e kohës. Në njërën nga këto, shkruhej: “Këtë gazetë e shohim drejtpërdrejt si zëdhënëse të terrorit, vëllavrasjes, luftënxitjes, si edhe të thirrjeve të përditshme për gjak” (“Skaner, 1997”, f.573). Në të njëjtën vepër, në f. 589, lexojmë: “Komisioni parlamentar u kryesua nga deputeti legalist (!) Spartak Ngjela. Raporti përfundimtar ishte mjaft i paqartë dhe i njëanshëm”. Tani, ish-kryetari i këtij komisioni, jo më legalist, as pëadist, as pëdëist (si zëdhënës i saj, mos ta harrojmë!), por si antipëdëist i dhunshëm, kërkon të rrëzohet qeveria për tri ditë! Dhe shpreson, i shkreti, si Tartarini i Taraskonit se, sapo të formohet qeveria e re me kryeministër legjitimistin E. Rama, ky do ta emërojë menjëherë ministër të drejtësisë! Kur të bashkohet dielli me hënën! Rama e di qysh tani se ky arrivist liliput është i drejtë, tamam siç është litari në thes!
Tani mund ta kuptojmë më mirë edhe titullin e përçartjeve të Mustafa Nanos, “Rreziqet që vijnë nga legjitimiteti i munguar”. Duke folur për zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, (shih tre asteriskët më sipër) ai duhet të ketë parasysh një gjë, që është aksiomatike: Nëse zgjedhjet e 26 majit 1996 janë të qortueshme, ato të 29 qershorit 1997 janë katastrofike, të tupshme, të pangjara as në vendet më të prapambetura afrikane. Nëse ato të 26-s duheshin përsëritur në disa zona, këto të 29-s ishin zgjedhje nën terror. Nëse ato të 26-s, - me çfarëdo përsëritje zonash, ishin thellësisht të fituara, në krahun demokrat,- këto të 29-s ishin zgjedhje me vetveten, zgjedhje pa kundërshtarë! Nëse ato të 26-s u bojkotuan nga socialistët, se e panë diellin që në sabá, këto të 29-s ishin “zgjedhje” domenesh, me domethënien e territoreve të lëna në trashëgim nga baba Enveri, ku nuk duhej të shkelte këmbë demokrati, as për fushatë!
Por demagogjia s’ka brirë! Demagogët shihen edhe në këtë bojkotim të tanishëm, me kërcënime për pjesëmarrje, me bakshishe jo si me lezet, nën dorë, por hapur fare, ashiqare; me garda bashkiakësh të paguar që, me lista në dorë, në kuadrate si në kohën e Enverit, shohin se mos ka guxuar të ikë ndonjëri, se mos mungon dikush ndër kuadratet! (Edhe folja e nënvijëzuar, në titullin e Mustafës!). Sokol Balla mund të dëshmojë se, kur intervistoi Ramën në sheshin e ngujimeve treditore, për një pyetje tri sekondash, merrte përgjigjen prej 3000 sekondash; ndonëse Balla ngrinte dorën të shihte orën, por të intervistuarit kaq i bënte! Ishte stili demagogjik i E. Hoxhës, që përsëriste gjer në marrëzi të njëjtat argumente, po ato dhe po ato, që të na bindte se Haxhi Qamili duhet të zinte kreun e historiografisë shqiptare!
I njëjti stil edhe për të përsëritur gjer në shurdhëri të timpanit, 26 maji, 26 maji, 26 maji! 29 qershori u mbyt, kështu, nën refrenin bezdisës të demagogjisë!
Por mua do të më falet blasfemia që ta nxjerr viktimën nga varri. “Pushteti i Berishës ishte jo legjitim, pasi kish dalë nga votat e grabitura të 26 majit të vitit 1996”- lexojmë në shkrimin e M. Nanos. Por nga votat e 29 qershorit sa pushtete ilegjitime dolën? A e di Muçi se janë vrarë komisionerë demokratë nga fanatikë të përhënur (mbiemri, i Kadaresë) në zgjedhjet pasardhëse të asaj 29-s skandaloze? Legjitime mund të quhen zgjedhje të tilla? Apo sukseset e majtizmit tonë i ndriçoka dielli, kurse dështimet i mbulon dheu?
Muçi flet edhe për demokracinë liberale. Na kujtohet, kështu, “liberalizmi” i Ngjelës, i mbrujtur me dhunë! M. Nano vazhdon: - “Por ka edhe më të rëndësishme se kjo demokraci liberale. Në gjuhën angleze quhet “legitimacy”. (Në fjalorët anglisht 35.000-fjalësh, nuk ekziston ky term, ndonëse e ka frëngjishtja dhe italishtja: légitimité; legittimità. As në fjalorët e hershëm të shqipes legjitimiteti nuk gjendet. Si duket diktaturën e hante meraku që pushteti i saj nuk ishte legjitim!). Edhe ata që kanë marrë huqet e diktaturës, veprimtarinë jolegjitime e kanë në gjak. A mos ishte legjitime thyerja e nenit 28 të statusit të PS-së nga Edvin Rama? Po të ishte i tillë, Fatos Nano nuk e jepte dorëheqjen! Prandaj u gjet ai rebusi se zgjedhjet e 28 qershorit, të ligjëruara nga organet kompetente (komisionerë socialistë, KZAZ-të, KQZ-ja), na qenkan jashtë standardeve, kur këtë dyfjalëshin e fundit e thotë vetëm Rama, si edhé lakenjtë e tij. Monitoruesit ndërkombëtarë i kanë cilësuar njëzëri si më të mirat, në krahasim me të gjitha të mëparshmet. Jo vetëm monitoruesit, por edhe institucionet euroatlantike janë të njëzëshëm. Mos duhet t’ju citojmë dhjetë emra menjëherë? Vetëm një zë i vetmuar foli paksa ndryshe për numërimin në disa zona. Dhe kjo u bë lajtmotiv, vath në vesh! Dinakëri për syleshë! Mos i dhimbset më tepër PS-ja Mustaf Nanos se numri në rritje i zërit të Lëvizjes për Mendimin e Lirë në PS, që shprehet se zgjedhjet janë humbur nga personalizimi i Edit? Autoritarizmi i Ramës u shpreh edhe në debatin për këtë çështje: Salla të hermetizuara, arrogancë ndaj gazetarëve, përdhunim kameramanësh që kërkonin të bënin detyrën e pasqyrimeve politike, ndryshim skandaloz të anëtarësisë për të arritur në përfundime të 93 %-shit, (si “zgjedhjet” e Sadam Hyseinit të Irakut, me 100 % fitues!). A përligjet legjitimiteti këtu? Apo është përdhosur kryekëput, vetëm e vetëm për të uzurpuar kryetarllëkun? Kjo fraza e fundit është epiqendra e atij artifisi dhe asaj katrahure, me prapashtesën si pasojë, për të ngritur një tymnajë të tërë për bllokim parlamenti, që ka kuptimin se “nuk i njohim zgjedhjet”! Po zgjedhjet-farsë të 29-s, ajo parodi zgjedhjesh, pse u njohën? Po zgjedhjet e 29-s, me deputetë/e Drakulat injorantë/e që pinin gjak viktimash të pafajshme, pse u njohën? Po zgjedhjet e 29-s.... Po zgjedhjet e 29-s... Le ta bëjmë edhe ne lajtmotiv... Po zgjedhjet e 29-s, në krahasim me të cilat zgjedhjet e 26-s do të ishin të shkëlqyera, të mrekullueshme, të hatashme, e nuk po e zgjas me cilësorë të shumtë superlativë, pse u njohën? Që të kuptoni se nuk po e teprojmë në krahasime, le t’ju bëjmë të ditur se në bashkësinë e numrave natyrorë nga 1-shi te 100-a cilido numër i kësaj bashkësie, pjesëtuar me zero, n/0, s’ka kuptim. Por ama, herësi i një numri tepër të vogël të kësaj bashkësie, 6-ta për shembull , për shembull, përmbi (pjesëtuar me) një variabël infinitezimal (që ka për limit zeron), shkon në infinit! Pra, çfarëdo vlere të kenë zgjedhjet e 26-s, ato janë pambarimisht të mëdha, në krahasim me ato të 29-s, që janë pambarimisht afër zeros! Domethënë vetëm emrin e kanë zgjedhje! Po të kuptohet ky arsyetim, çdo njeri duhet të kafshojë gjuhën para se të shprehet për zgjedhjet e 26 majit, të cilat nuk të çonin kurrsesi në ndryshim të përfundimit se cili është humbësi, e cili është fituesi. Është tjetër punë, pastaj, se ju - majtistët ekstremistë shqiptarë – keni ndjekur taktikën e përsëritjeve dhe të ripërsëritjeve, me atë fyellin tuaj që nxjerr tingull nga një vrimë e vetme, për të indoktrinuar njerëzit mirëbesues (të leshtë), si në atë kohë që na ka lënë, si për një ogur të keq, paragjykimet dhe mendësinë e saj të kobshme, gjer në ditët tona, si në asnjë vend tjetër të rruzullit demokratik, që i kanë vënë kryq totalitarizmave, sipas vendimit të AP-së së KE-së. Përse nuk shkruan, më mirë, o Muç, një artikull për ato karagjozllëqet (dramatike, në të vërtetë) që mbajnë autorësinë e Edvinit në Pezë, çdo 16 shtator!
Pa na përmend, o Mustafë, edhe Rusoin, me një frazë të papërputhshme me temën tënde, në të cilën fjalën obedience (në frëngjisht shkruhet obéissance) e përkthen sipas qejfit tënd. Apo Zhan Zhak Rusoi nuk është francez?. Veçse edhe në anglisht, - siç e ke shkruar ti, - e shohim: bindje, dëgjesë;dhe më tej: in obedience (to) në pajtim, në përputhje, sipas. (Fj. angl-shq, i Prof. Dr. Ilo Stefanllarit, f.261). Nëse kërkon të mbështetesh te frëngjishtja , në të cilën obedience nuk ekziston, atëherë le të hapim fjalorin 1200 faqesh të Vedatit, në fjalën obéissance, (f. 710), ku gjejmë shpjegimin: bindje dhe shembullin “bindje e fëmijëve ndaj prindërve”. Kaq.
Ty ta do interesi që ta përkthesh nënshtrim . Sepse “qeverisja kërkon (ose duhet) të bindë të tjerët” (të indoktrinuarit nga Rama, në të vërtetë), nuk është asfare e njëjtë me “qeverisja kërkon të nënshtrojë të tjerët”; hane Shan, hane Bagdad! Pra, e ke dhënë filozofin e sh. XVIII, Rusoin, në një frazë sipas oreksit tënd, mbase nga “Kontrata shoqërore” e tij, duke manipuluar mendimin e këtij filozofi.
Nuk mund të përligjesh as në paskajoren, në frëngjisht: obéir (bindem). Kjo folje është zgjeruar në 13 rreshta fjalori. Vetëm në rreshtin e parafundit, shembulli jep një kuptim të dytë: ndjek modën. Kurse në rreshtin e fundit, l’outil obéit à la main, janë dhënë dy shpjegime: vegla i bindet dorës, por edhe “i nënshtrohet vullnetit të saj”. Veçse kjo ka të bëjë me dhënien e një lokucioni në shqip, në rreshtin e fundit, jo me termin thelbësor të fjalës. Atëherë, përse shkruan nënshtrimin (obedience), për të kaluar nga emri (angl.) në foljen (fr.), për një autor që s’është anglez? Një lëmsh i vërtetë! Që synon të justifikojë një mori nonsensesh. Mos, vallë, për t’i dhënë rëndësi shkrimeve të tua, që paguhen si frëngu pulën ? (E ke rrogën 3000 euro në muaj, - i ke thënë Edi Palokës, në një panel!).
Tani së fundi, na u dha lajmi se kjo bllokadë treditore, në shesh, u mbyll për dy ditë. Mjaft u mbajt dhe kaq, me paterica. Madje edhe me kërcënime, që të mos ikte askush. Shumëkush kishte thënë se “lipsur qofshin edhe paret që na u dhanë!”. Njëra, një fshesaxhie e bashkisë, kishte thënë se donte të ikte me të katërtat, por kisha frikë se më pritej rroga dhe më mbeteshin fëmijët pa bukë !”
... Dhe, bashkë me mbarimin para kohe të mbarimit të bojkotit rrugor, mbaroi edhe legjitimiteti i titullit të shkrimit të Mustafa Nanos!