PS-ja kërkon ndërprerjen e aplikimit me pasaportë
Partia Socialiste kërkoi dje ndërprerjen e aplikimit për pajisje me pasaportë për të gjithë shtetasit shqiptarë deri më 28 qershor. Në kuadër të disa propozimeve për kartat e identitetit, dje kryetari i kësaj partie, Edi Rama, propozoi që deri në 28 qershor aplikimet “e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 qershor dhe një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë”.
Në bazë të këtij propozimi deri më 28 qershor duhet të ndërpritet pajisja më pasaportë edhe për ata shtetas të cilët mund të kenë nevojë për të e, kryesisht emigrantët për t’i hapur rrugë procesit të pajisjes me kartë identiteti të atyre shtetasve që nuk kanë pasaportë. Ndërkohë që qeveria shqiptare vijon me të dyja proceset, edhe më pajisjen me pasaportë, edhe me karta identiteti. Rama bëri dje disa propozime të tjera që, sipas tij, do të shpëtojnë situatën parazgjedhore në vend. Ai i ka paraqitur në formën e një projektligji, duke kërkuar që të kthehen në ligj sa më parë.;
Rama kërkoi që të gjithë shtetasit pa pasaportë që aplikojnë para datës 28 qershor, duhet t’i marrin ato falas, pasi sipas tij, kjo shtresë përbën edhe më të varfrën në vend. Rama ka paraqitur dje një ekspoze të selisë rozë për ecurinë e pajisjes me karta identiteti, ndërkohë që pretendimeve të selisë rozë për këtë proces, Ministria e Brendshme u është përgjigjur me sqarime të mëtejshme. Kjo ministri bën të ditur se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike po ecën normalisht dhe është mbështetur nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas të njëjtës ministri, deri para disa ditësh stacionet e aplikimit janë instaluar dhe po vazhdon procesi në bashki e komuna që përbëjnë rreth 80% të popullsisë së vendit dhe brenda muajit mars do të instalohen edhe në 117 komuna të tjera, duke mbuluar një popullsi prej 3 923 958 banorë ose afërsisht 92% të popullsisë.
Rama nuk ka aplikuar ende për kartë identiteti
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ka aplikuar ende për t’u pajisur me kartë identiteti, pavarësisht se njësia vendore, minibashkia numër dhjetë, i ka dyert e hapura për këtë proces. Më parë kanë aplikuar dhe shumë figura të tjera të njohura të politikës si ish-Kryeministri Nano apo dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke e shfrytëzuar rastin që t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij procesi.
KQZ, sot vendimi për selitë e KZAZ-ve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim sot projektvendimin “Për caktimin e njësive administrative ku do të vendosen selitë e KZAZ-ve”.
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, në nenin 93 dhe 94, përcakton disa nga kriteret që duhet të plotësojnë ambientet për krijimin e KZAZ-ve. Duke marrë për bazë kriteret ligjore, përvojën e krijuar në vite, përparësitë logjistike, distancën nga qendrat e votimit, transportin rrugor, afërsinë me ambiente të cilat plotësojnë kushtet për VNV dhe hapësirave të objekteve të mundshme, Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore ka propozuar njësitë më të mëdha administrative si vendndodhje për krijimin e selive të KZAZ-ve. Disa nga zyrat e KZAZ-ve janë propozuar jashtë territorit të ZAZ-së, por brenda Zonës Zgjedhore.
Dervishaj: KSHC, jo garante e ligjit
Partia Socialiste akuzoi dje Komisionin e Shërbimit Civil se është kthyer në institucion që certifikon vendimet arbitrare të qeverisë. Sipas deputetit të kësaj partie, Besnik Dervishaj, është diçka e njohur që Shërbimi Civil gjatë viteve të qeverisjes së PD-së ka degjeneruar në dëm të krijimit të një administrate publike në shërbim të shtetit e qytetarëve. Në këtë këndvështrim, edhe KSHC-ja nuk ka mundur të sigurojë rolin e garantit dhe mbikëqyrësit të zbatimit të Ligjit të Shërbimit Civil. “Mungesa e funksionimit të këtij mekanizmi për administratën publike, ka rritur deri në alarm shqetësimin e anashkalimit të procedurave të përcaktuara në ligj të meritës e të karrierës në shërbim civil, kryerjen e emërimeve të motivuara mbi baza të anësive politike apo në shkëmbim të shërbimeve të modelit “mbërtheckë”, që i shkon për shtat kësaj qeverie”, - tha Dervishaj.
Meta, takime me veteranët në Skrapar
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, ishte dje i pranishëm në festimet që u zhvilluan në Skrapar, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Brigadës VII Sulmuese dhe kontributit që kjo brigadë dha në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare. “Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem i pranishëm në 65- vjetorin e krijimit të një prej brigadave më heroike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, atë të krijimit të Brigadës së VII Sulmuese”, - u shpreh Meta.
Me këtë rast, z. Meta falënderoi në mënyrë të veçantë Komitetin e Veteranëve të Skraparit, Bashkinë e Skraparit dhe të gjithë komunitetin e Çorovodës, për angazhimin e tyre që tregojnë jo vetëm për të pritur ish-partizanë dhe ish-partizane, por në mënyrë të veçantë, për përkujtimin solemn që i bëhet kësaj date historike për vendin tonë. Ai shprehu besimin e tij se në të ardhmen, kjo festë do të përkujtohet po me kaq madhështi edhe në 100-vjetorin e krijimit të saj.