Zgjedhjet, Meta takon misionin e ODIHR-it
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me misionin e ODIHR-it. Gjatë këtij takimi, Meta deklaroi se vonesat në Kodin Zgjedhor vunë në rrezik standardet e zgjedhjeve. “Qeveria duhet të angazhohet, përmes një fature të caktuar, për të subvencionuar kartat e identitetit për të gjithë ata qytetarë, për të cilët është e pamundur nga pikëpamja e kostos që përfaqëson një kartë”, - tha ai. Pas takimit, kreu i LSI-së u shpreh për mediat se me ekipin e ODIHR-it u shkëmbyen mendime lidhur me ecurinë e deritanishme të standardeve të zgjedhjeve. “Ata kanë shprehur vullnetin e tyre për monitorimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve, që nga përgatitjet paraprake, e deri në ditën përfundimtare. Por, ajo që dua të theksoj me shqetësim, është pikërisht që vonesa e jashtëzakonshme, që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor, thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive, ka sjellë tashmë një kolaps për sa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti”, - tha Meta duke shtuar: “Koha që ka mbetur në dispozicion, është tepër e ngushtë, më pak sesa dy-tre muaj, ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë, që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti”.