E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka hedh në treg kartëmonedhën e re 1000-lekëshe

 

Paraqitja është e njëjtë me atë të vitit 2001, por me më shumë elementë sigurie dhe ndryshim materiali

TIRANË- Duke filluar nga data 14 nëntor, Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim një prerje të re të kartëmonedhës 1000-lekëshe. Kartëmonedha e re është emetim i vitit 2007 dhe ka të njëjtën pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 1000-lekëshe, emetim i vitit 2001. Ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë, si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit. Vendimi më i fundit, është në përputhje me programet më të hershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin kartëmonedhës së prerjes 1000-lekëshe, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. “Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë që përdoren sot në këtë fushë dhe hedhja e saj në qarkullim, i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim”, citojnë burime nga Banka e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, Banka e Shqipërisë parashikon që të tërheqë nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Krahas elementeve të përhershëm të sigurisë që karakterizojnë kartëmonedhat, kësaj të fundit i janë shtuar edhe elementë të tjerë. Të tillë janë, elementi i qosheve të përforcuara; relievi i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave; zgjerimi i fillit të sigurisë. Gjithashtu është bërë edhe llakimi i saj për ta mbrojtur nga lagështia. Duke filluar nga 14 nëntor 2008, kartëmonedha e prerjes “1000 Lekë”, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese, paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›