LSI: Topi, Berisha dhe Topalli, të papërgjegjshëm, shkelën protokollin
Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj shkeljes që i është bërë Protokollit të Shtetit nga ana e presidentit, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, të cilët kanë braktisur vendin në të njëjtën kohë.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, e vlerësoi këtë akt si një papërgjegjshmëri ekstreme. Sipas tij, sot Shqipëria ndodhet pa drejtim shtetëror, pasi krerët më të lartë të shtetit shqiptar kanë zgjedhur ta lënë atë në dorë të Zotit, duke qenë jashtë vendit që të gjithë. “Moskoordinimi, papërgjegjshmëria dhe mungesa e pashembullt e seriozitetit e ka lënë vendin pa asnjë pikë referimi kushtetuese shtetërore. U kujtojmë zotërinjve që kanë marrë përsipër të qeverisin këtë vend se duhet t’u kthehen sa më parë zyrave të tyre, të cilat i kanë braktisur prej kohësh, se populli nuk i ka zgjedhur dhe nuk i paguan sa frëngu pulën ata që të flladiten të gjithë bashkë rrugëve të botës, se është Shqipëria ajo për të cilën duhet të përgjigjen”, - tha Vasili.
Akuzat
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së deklaroi se gjendja në vend është me të vërtetë shqetësuese. Sipas Vasilit, si të mos mjaftonte papërgjegjshmëria e krerëve të shtetit, vendi po vuan edhe mungesën e bashkëpunimit shtetëror për shkak të përplasjeve institucionale. “Indiferenca, moskokëçarja, moskoordinimi dhe thyerja e përbuzja flagrante e Protokollit të Shtetit nga drejtuesit më të lartë të tij janë vërtet shumë shqetësuese, gjithashtu edhe karshillëku arrogant reciprok që i bëjnë njëri-tjetrit është provë e qartë e mungesës së plotë të sinkronizmit politik dhe e bashkëpunimit shtetëror në nivelet më të larta të shtetit shqiptar. Pikërisht ky mosinteresim i plotë për gjithçka që ndodh në këtë vend bën që të mos ndalet ofensiva e turpshme e ndërmarrë ndaj figurave kombëtare të shkëlqyera dhe që janë krenaria e këtij kombi, siç është heqja e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës”, - tha Vasili.
Universiteti i Vlorës
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së e quajti antishqiptar dhe antikombëtar vendimin për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. Vasili i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për të ndalur atë çka ai e quajti sulm antikombëtar. “Kryeministri Berisha, zv/kryeministri, ish-ministër i Arsimit dhe ministri aktual i Arsimit vazhdojnë të sillen me papërgjegjshmëri të plotë duke luajtur indiferentin, a thua se bëhet fjalë për një figurë historike diku mijëra kilometra tutje Shqipërisë e jo për një nga figurat si Ismail Qemali, që me emrin dhe veprën e tij të paçmueshme patriotike ka bërë të ndihet mirë çdo shqiptar. Qeveria duhet të ndalë menjëherë këtë sulm antikombëtar të ndërmarrë nga një rektor i papërgjegjshëm për të cilin Shqipëria është një vend i huaj dhe ta pezullojë atë urgjentisht, për të mos e shndërruar universitetin “Ismali Qemali” në Vlorë në një institucion arsimor që kultivon hapur me anë të veprimeve të rektorit të gabuar të tij ndjenja të rrezikshme antikombëtare”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.
Berisha merr pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike
Në orën 20:00 (ora lokale) u hapën në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, me një ceremoni madhështore, Lojërat Olimpike 2008. Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm 101 personalitete të rëndësishme botërore, të ftuar për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave të 29-ta Olimpike në Pekin.
Në këto Lojëra, Shqipëria përfaqësohet me një ekip të përbërë nga 11 sportistë, që do të garojnë në 6 disiplina sportive, duke qenë ekipi më i madh shqiptar që ka marrë pjesë ndonjëherë në kompeticione të tilla. Gjatë parakalimit të tij, ekipi shqiptar është përshëndetur nga tribuna e personaliteteve nga kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Berisha.
Ekipi olimpik shqiptar u përshëndet një ditë më parë nga kryeministri Berisha, në një pritje të organizuar në selinë e Ambasadës Shqiptare në Pekin. Kryeministri Berisha, duke u uruar sportistëve tanë suksese në këto Lojëra, shprehu besimin se rezultatet e tyre do të jenë shumë të mira, sepse në këtë ekip marrin pjesë sportistë dhe sportiste me shumë eksperiencë, të cilët kanë arritur rezultate të larta në nivel europian e botëror.
9 Gusht 2008