Pas bashkëpunimit me revistën e Sigurimit të Shtetit, Edi Rama e Ilir Beqja u nisën me mision për në Gjermani
Bashkëpunimi i Edi Ramës me revistën e Sigurimit të Shtetit në vitet ’80 rezultoi i suksesshëm, prandaj autoritetet enveriste shtuan emrin e tij dhe të partnerit në skuadër, Ilir Beqja, për t’i nisur si “supervizorë” pranë ekipit kombëtar të basketbollit, i cili do të ndeshej në Bon me RFGJ-në
TIRANE - Vitet kalonin dhe i riu Edi Rama, pas bashkëpunimit të kohë pas kohshëm, me revistën e Sigurimit të Shtetit “Në Shërbim të Popullit”, ku karikaturizonte sa të ishte e mundur “armiqtë e popullit”, ata që dilnin sadopak kundër regjimit enverist, ishte rritur dhe e kishte mbaruar shkollën. Nuk vonoi shumë dhe partia e pa. E emëroi në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa si sportist vazhdonte të ishte pjesë e ekipit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, “Dinamo”.
Nga kjo kohë intensiteti i besimit ndaj organeve të armës së dashur të partisë rritet tej mase te djaloshi Rama. Jo vetëm që është zgjeruar bashkëpunimi me revistën e njohur të Sigurimit, të mbushur me tregime për diversantët, por edhe dinamika sa vjen e rritet.
Lapsi i tij rrëshqet më me shpejtësi për hartime portretesh të operativëve në tregime.
Në vitin 1988 ai dëgjonte në familje se si deputeti i Durrësit, Kristaq Rama ishte ngarkuar nga partia të bisedonte me pjesëtarët e familjes Popa, brenda ambasadës italiane dhe të merrte vesh edhe se ç’ishte biseduar aty. Sigurisht nuk mund ta kapërdinte faktin që të shahej regjimi i kohës, strofkulla e sa e sa privilegjeve të familjes dhe çelësi i rrugëve që ai kishte pasur në jetë.
Në pranverë të vitit 1989, kur kontributi i tij brenda ekipit të “Dinamos” ishte rritur së tepërmi në drejtim të shpartallimit të grupeve armiqësore, “misioni” zgjerohet më tej, duke shënuar si stacion udhëtimin drejt Gjermanisë Federale. Në një grup basketbollistësh që duheshin ruajtur të pastër, vijnë e futen edhe sportistë të tillë, aspak të spikatur, si 26 vjeçari Edi Rama dhe 19 vjeçari Ilir Hamit Beqja. Ndoshta pakkush e di se Beqja që është sot një prej sekretarëve më të besuar të kryetarit të Partisë Socialiste, ka qenë në një “ekip” me Edi Ramën në ato vite. Sidomos vizita në Republikën Federale të Gjermanisë, në një shtet që shikohej me xhelozi nga regjimi komunist i Tiranës. Për këtë arsye zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, pasi kishte parë pëlqimin e Degës së Punëve të Brendshme Tiranë, miratonte më 29 prill 1989, dërgimin e sportistit Edi Rama jashtë vendit.
Gjithsesi, nga një analizë e thjeshtë, mund të merret vesh se Edi Rama e Ilir Beqja u dërguar në Gjermaninë Federale, sepse ishte gjykuar se në gjirin e ekipit tonë kombëtar të asaj kohe kishte edhe sportistë për të cilët kishte dyshime se diçka mund të bënin atje.