E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja të mos paralizojë miratimin e reformave dhe nisjen e negociatave për pranimin në BE”

07-10-2011 / Gazeta 55

Një javë para dorëzimit të Opinionit të Komisionit Evropian, asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës diskuton projekt-rezolutën për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i bën thirrje klasës politike në Shqipëri të mos bllokojë procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh bllokimin e reformave nga PS-ja, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i kërkon kësaj force politike që të mos vijojë të paralizojë miratimin e reformave dhe nisjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Apeli vjen përmes draft-rezolutës që asambleja e KiE ka përgatitur me bashkë-raportuesit për Shqipërinë M. Jirsa et M. Petrenco dhe Bjorn von Sydow.
Raportuesi Bjorn von Sydow ka hartuar draftin për Shqipërinë duke vënë theksin në zgjedhjet vendore të 8 majit, ku qytetarët shqiptarë ushtruan si qytetarë evropianë të drejtën e tyre kushtetuese. Në prag të publikimit të progres-raportit për vitin 2011, asambleja e KiE paraqiti në diskutim draft-raportin për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën. Veçanërisht, europarlamentarët u ndalën në situatën politike në Shqipëri dhe pasojat e bojkotit 2 vjeçar të Partisë Socialiste. 
KiE thekson se bojkoti i parlamentit nga opozita ka sjellë regres në kursin e integrimit Evropian.
“Duke pasur parasysh që shumica qeverisëse nuk ka tre të pestat e parlamentit për të miratuar ndryshimet kushtetuese dhe të disa ligjeve, ky bojkot ka ndikuar negativisht në zbatimin e një serë reformash të rëndësishme e të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian, i cili është edhe një nga prioritetet kryesore politike në vend”, thuhet në raportin e përfaqësuesve të Këshillit të Evropës.
Asambleja thekson se merr parasysh angazhimin e liderit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit të partisë së tij në Parlament, duke inkurajuar të gjitha palët për të bashkëpunuar për normalizimin e situatës në vend dhe fillimin e dialogut politik në Parlament lidhur me prioritetet dhe reformat e nevojshme që duhet të kryhen me qëllim integrimin e vendit në BE. Por rezoluta e KiE në pikën e fundit të saj kujton se qëndrimet politike s’duhet të bllokojnë miratimin e ligjeve dhe reformave, pasi një gjë e tillë do sillte pengesa në procesin e integrimit.
“Është shumë e rëndësishme që qëndrimet kundër në politikë të mos vijojnë të paralizojnë procesin legjislativ e miratimin e reformave që janë të nevojshme për vendin, duke përfshirë edhe nisjen e negociatave për pranimin në Bashkimin Europian”, thuhet në pikën 42 të draft-rezolutës për Shqipërinë.
Asambleja e Këshillit të Europës thekson më tej se mirëpret marrëveshjen e kohëve të fundit arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të proceduar me reformën zgjedhore dhe i bën thirrje palëve që të punojnë për të siguruar një reformë që trajton problemet që janë ndeshur në zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe rrit mundësitë për partitë e vogla për të hyrë në parlament dhe t’i japë fund bipolarizimin e politikës.

Projekt - rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për Shqipërinë:

34. Shqipëria ka përjetuar kohët e fundit një krizë serioze politike pas rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, e cila në vetvete ka qenë e rrënjosur në krizën politike që pasoi zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009.
35. Duke pretenduar se manipulimi kishte ndodhur në një numër rrethesh, PS apeloi kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës në KQZ dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor. Në të dy rastet, kërkesat e PS u hodhën poshtë. Në shenjë proteste ndaj rezultatit të zgjedhjeve, PS vendosi të bojkotojë punën në Parlament, si dhe në një numër të institucioneve shtetërore. Duke pasur parasysh që shumica qeverisëse nuk ka 3/5 e Parlamentit për të miratuar ndryshimet kushtetuese dhe të disa ligjeve, ky bojkot ka ndikuar negativisht në zbatimin e një sërë reformash të rëndësishme e të nevojshme për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian, i cili është edhe një nga prioritetet kryesore politike në vend. Përfundimisht, PS i dha fund bojkotit të Parlamentit dhe e zëvendësoi atë me një "lidhje të kushtëzuar me parlamentin". Ky vendim ishte i udhëhequr pjesërisht nga dëshira për të mos humbur mandatet parlamentare, të cilat do të kishin humbur në qoftë se deputetët socialistë nuk do të betoheshin brenda gjashtë muajve pas zgjedhjeve. Ndërsa PS u kthye zyrtarisht në parlament, në realitet stanjacioni politik dhe qëndrimet kundër vazhduan. Kjo preku përgatitjet për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 8 maj 2011.
36. Pas zgjedhjeve lokale, Lulzim Basha (PD) u shpall zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, më 23 qershor 2011, me një diferencë prej 93 votash ndaj rivalit, Kryebashkiakut në detyrë Edi Rama (PS). Vendimet e KQZ u kundërshtuan me force dhe disa apelime u ngritën kundër rezultateve. PS kërkoi nga Kolegji Zgjedhor ripërsëritjen e zgjedhjeve. Megjithatë, këto ankesa dhe kërkesa janë refuzuar nga anëtaret e Kolegjit Zgjedhor. Në 1 gusht 2011, Lulzim Basha nisi punën si Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës.
37. Sipas informacionit të dhënë nga ana e Komitetit të Monitorimit të bashkë-raportuesve për Shqipërinë, z. Jirsa dhe z. Petrenco, gjatë vizitës së tyre të fundit fakt-mbledhës në Tiranë (30 qershor-1 korrik) konkluduan se zgjedhjet lokale të 2011 në Shqipëri kanë përfunduar zyrtarisht dhe rezultatet e tyre janë pranuar nga populli shqiptar, edhe pse jo nga të gjithë liderët politikë.
38. Në një zhvillim të mirëpritur, komuniteti ndërkombëtar ka vepruar në unison nën koordinimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe OSBE. Kjo ka qenë e rëndësishme për të shmangur përshkallëzimin dhe ndërkombëtarizimin e krizës si dhe ka kontribuar në pranimin përfundimtar të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga palët zgjedhore të interesuara, duke përfshirë, më të rëndësishmit, votuesit shqiptarë.
39. Udhëheqësi i PS, Edi Rama, në mënyrë eksplicite premtoi se partia e tij nuk do të bojkotojë sërish Parlamentin dhe do të rikthehet në pune pas pushimeve të verës. Tani është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të angazhohen në një dialog politik në parlament në kuadër të prioriteteve të vendit si dhe të kenë parasysh vizionin e bisedimeve për pranimin në BE.
40. Unë kam mirëpritur marrëveshjen e arritur kohët e fundit midis PD dhe PS për të proceduar me reformën zgjedhore me qëllim adresimin e problemeve që janë hasur në proceset e fundit zgjedhore, parlamentare dhe lokale. Një reformë e tillë duhet të synojë rritjen e mundësive për partitë e vogla që të kenë akses në Parlament. Kjo do të rriste përfaqësimin dhe pluralizmin dhe do të ndalonte bipolarizimin politik i cili ka shënuar politikën shqiptare për dekada si dhe ka frustruar popullin shqiptar. Është po aq e rëndësishme t`i jepet fund praktikës së negocimeve mbi ndryshimin e Kodit Zgjedhor në prag të çdo procesi zgjedhor.
41. Në këtë kontekst, mund të vihet re se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës u ka shkruar autoriteteve shqiptare, duke i informuar ata për qëllimin e tij, për t`i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion mbi mangësitë e vërejtura gjatë procesit të zgjedhjeve lokale të cilat të mund të shmangen në të ardhmen. Kjo u pa nga disa prej bashkëbiseduesve të raportit të përbashkët si një ndërhyrje në proceset gjyqësore të vendit. Megjithatë, sipas mendimit tim, qëllimet e Sekretarit të Përgjithshëm u keqkuptuar dhe unë e mbështes plotësisht propozimin e tij i cili kërkon të përmirësoje dhe të sqarojë Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme.
42. Unë e kuptoj se bashkë-raportuesit e Komisionit të Monitorimit do të rikthehen në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2011 për të vlerësuar përparimin e bërë në respektimin e spektrit të plote të detyrimeve e angazhimeve për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Është shumë e rëndësishme që qëndrimet kundër në politikë të mos vijojnë të paralizojnë procesin legjislativ e miratimin e reformave që janë të nevojshme për vendin, duke përfshirë edhe nisjen e negociatave për pranimin në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›