Arvizu: “Për t’u admiruar progresi i Shqipërisë gjatë 20 viteve të demokracisë”
20 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh dje gjatë një konference me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, se 20 vite më pas Shqipëria dhe SHBA duhet të ecin së bashku në rrugën e demokracisë për të arritur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Është në duart tuaja, të shqiptarëve. I përket Shqipërisë ta përcaktojë të ardhmen dhe për këtë duhet të bëjmë zgjedhjet e drejta, në mënyrë që bashkërisht të shpiem përpara integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Arvizu.
Tani, theksoi ai, “sikurse vepruam 20 vite më parë, ne ju zgjasim dorën tonë, ju ofrojmë ndihmën dhe inkurajimin tonë për të bërë zgjedhjen për përparim të pandërprerë”.
Arvizu tha se mënyra më e mirë sesi mund ta nderojmë miqësinë tonë është të vazhdojmë përpara gjatë rrugës që shtruam në 1991-in.
“Ajo rrugë udhëheq drejt një demokracie të gjallë dhe të patundshme, institucione të forta dhe të pavarura, një shtet ligjor i fortë dhe begati ekonomike. Ajo rrugë udhëheq drejt integrimit ku Shqipëria i bashkëngjitet vendit të saj të drejtë si anëtare e plotë e BE-së, për të punuar së bashku me SHBA-të dhe së bashku me vendet e tjera demokraci-dashëse dhe liridashëse, për të përkrahur parimet demokratike në mbarë rajonin dhe botën”, tha ambasadori Arvizu.
Sipas tij, “kjo rrugë drejton tek qeverisja e mirë, aty ku qytetarët mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe zyrtarët e zgjedhur u shërbejnë popullit. Për 20 vite e kemi rrugëtuar këtë shteg së bashku dhe kemi bërë përparim të shkëlqyer, por Shqipëria nuk është ende aty ku ajo do që të jetë, ose ku e meriton që të jetë. Tani, 20 vite më pas, le të kuptojmë emocionin e rivendosjes së miqësive të vjetra dhe të vendosim të ecim përpara së bashku”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.