E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paketa e Ramës, si rreng fëminor - hiqni postbllokun e integrimit!”

07-10-2011 / Gazeta 55

Astrit Patozi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar paktin prej 10 pikash të propozuar nga opozita, si rreng fëminor i kreut të saj, Edi Rama. Patozi theksoi se 10 pikat e paktit nuk janë gjë tjetër veçse hartimi i Edi Ramës i cili po e përdor si postbllok për të mos ecur përpara me reformat integruese të vendit.
“Ndonëse pa shumë dëshirë, sepse nuk është ndonjë kënaqësi të flasësh tre javë rresht për të njëjtën temë, jam i detyruar që të jap disa shpjegime, e theksoj, jo për ne që jemi në këtë sallë. Sepse ne e dimë, ashtu siç edhe ju e dini, por ta mësojnë edhe ata shqiptarë që mund ta kenë të vështirë të depërtojnë në gjuhën e drunjtë të Edi Ramës. 10 pikat e paktit të tij, në formë, në kohë dhe në përmbajtje janë qerrja, ku Edi Rama kërkon të hipë procesin e integrimit. Janë një dredhi naive ballkanase, një rreng fëminor për të larë duart me një detyrim të madh, me përgjegjësinë e opozitës në një proces jetik për vendin. I cili sigurisht që do të ketë fatin e të gjitha hileve të vogla që bëhen për të rrëzuar çështje të mëdha”, u shpreh Patozi.
Ai kërkoi nga deputetët e opozitës që të miratojnë ligjet me shumicë të miratuar si kush kjo për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Bashkimi Europian pret prej nesh një shkëndijë se më në fund do të nisin të plotësohen disa prej 12 rekomandimeve që kërkojnë kontribut të përbashkët, atë mazhorancës dhe të opozitës. Ato janë detyra konkrete shtëpie, janë ligje dhe reforma, nuk janë fjalë dhe premtime. Tre prej tyre janë sot në rendin e ditës së parlamentit, disa të tjera nuk i kaluam dot të enjten e shkuar, dhe e njëjta gjë u përsërit edhe përpara dy javësh. Por Edi Rama ka shkruar një hartim me 10 pika dhe e ka vënë atë si postbllok, duke thënë se pa kaluar atë, Partia Socialiste, e për rrjedhojë edhe Kuvendi i Shqipërisë, (sepse opozita zotëron pakicën bllokuese të shumicës së cilësuar), nuk do të bëjë asnjë hap para për integrimin. Kaq e thjeshtë është historia, të tjerat janë retorikë”, u shpreh Patozi.
Nënkryetari i Partisë Demokratike kujtoi se mazhoranca ka qenë e gatshme të diskutojë me opozitën për 12 pikat e Bashkimit Evropian, por Edi Rama ka refuzuar çfarë do lloj forme bashkëpunimi në funksion të integrimit.
“Gjatë këtyre tre javëve shqiptarët i kanë parë e dëgjuar me zë e me figurë qëndrimet të dy palëve. Për të disatën herë i kemi bërë të qartë Edi Ramës se ne jemi të gatshëm që të nisim punën pa humbur asnjë çast me 12 pikat që partnerët tanë europianë na i kanë lënë të shkruara e zeza mbi të bardhë që në tetorin e shkuar. Por Edi Rama bën sikur nuk e kupton shqipen e qartë dhe kërkon një gjoja përgjigje, që ai e quan zyrtare. Sigurisht kjo është një taktikë për të fituar kohë, ose më mirë për ta çuar dëm kohën në disfavor të integrimit, dhe për të treguar se Partia Socialiste ka ndryshuar, por ja që mazhoranca nuk po ia quan”, tha Patozi.
Deputeti demokrat vuri në dukje se përmes politikës bllokuese opozita refuzon reformën zgjedhore si dhe injoron 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR. Megjithatë, Patozi theksoi se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë propozimet e opozitës për reformën zgjedhore si dhe të shqyrtojë modalitetet më të mira evropiane për rregulloren e parlamentit.
“Ne jemi me dorën ngritur që tani për secilën nga 52 rekomandimet e raportit të OBE/ODIHR-it. Ne jemi plotësisht dakord për çdo standard të ri në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë që bazohet në atë të Parlamentit Europian. Kjo është përgjigja jonë, quajeni si të doni, zyrtare ose jo. Ne nuk vëmë kushte. Ashtu siç nuk kërkojmë të na ndiqni në vizionin tonë, i cili mund të jetë dhe ndoshta është diametralisht i kundërt me tuajin. Ne nuk ju imponojmë konceptet tona, por kemi një kërkesë: Nuk e kemi për vete. Nuk e kemi për qeverinë. Është në interesin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, demokratë e socialistë. Transmetojani Edi Ramës: Hiqni postbllokun e integrimit!”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›