E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Prioritet i Qeverisë, rritja e të ardhurave për çdo shqiptar

07-10-2011 / Gazeta 55

Kuvendi miraton me 71 vota “pro”, buxhetin faktik 2010

Pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar me shumicë votash buxhetin faktit për vitin 2010. Pas votimit në tërësi, votimi elektronik ka vulosur miratimin e buxhetit me 71 vota “pro” dhe 53 vota kundër.
Gjatë diskutimit të buxhetit faktik për vitin 2010 në seancë, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi shkëmbyen akuza me njëri-tjetrin.
Kryeministri Berisha u shpreh nga foltorja e Kuvendit se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë janë shndërruar në para për xhepat e tyre, në investime infrastrukturore, në shkolla të reja dhe projekte të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit. “Qeveria, para së gjithash dhe mbi të gjitha, i shndërroi ato në para për kontot dhe portofolat e 810 mijë familjeve shqiptare. Ky është zëri i parë i buxhetit. Në një kohë kur qeveritë e tjera u detyruan të fusin gërshërën në xhepat e kontot e qytetarëve të tyre, qeveria shqiptare derdhi në kontot e xhepat e qytetarëve shqiptarë, direkt në monedhë, një pjesë të mirë të buxhetit të saj. Kjo qeveri, e ndjeshme dhe e vetëdijshme se investimi tek njeriu është investimi kryesor, e dhimbsur dhe e ndjeshme për faktin se akoma sot janë jo të paktë shqiptarët që përballen me dhimbjet e varfërisë, se sot sërish janë një numër familjesh shqiptare që qajnë çdo ditë me lot mjerimi, ka vendosur si përparësi madhore të saj rritjen e pensioneve, të rrogave dhe ndihmës ekonomike. Dhe kjo rritje erdhi në kundërrymë të plotë, në një kohë kur të tjerët pakësuan me 40 për qind pensionet, në një kohë kur të tjerët pakësuan me 30 për qind ndihmën ekonomike, në një kohë kur të tjerët zvogëluan me 20 deri në 40 për qind rrogat. Kjo qeveri, e një vendi të vogël, ia doli të rrisë rrogat e pensionet dhe t’u japë qytetarëve të saj rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve, në tërë historinë e tyre. Ndaj përse gjithë ky negativizëm që po bëhet pothuaj kongjenital. A nuk keni ju pensionistë në elektoralin apo rrethin tuaj, a nuk ju thonë ata se pensionet e tyre janë rritur në mënyrën më të ndjeshme? Në 8 vite që ju qeverisët keni vendosur në rrogat e pensionet vetëm 13 miliardë lekë, ndërsa sot janë vendosur vetëm në pensione 56 miliardë lekë. Ju keni pasur një fond pensionesh prej 50 miliardë lekë dhe sot, ky fond është 106 miliardë lekë”, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se 6 vjet më parë paratë e taksapaguesve shqiptarë përfundonin në llogaritë e ofiqarëve të pushtetit të socialistëve.
“Kam qenë i ulur në këto banka në opozitë dhe kisha vetëm një pyetje: ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Dhe unë i gjeja ato në rrogat stratosferike të ofiqarëve, në rrugë që nuk ndërtoheshin kurrë, në çakëll që hidhej në lumë e jo në rrugë, në tavane që binin edhe në kryeqytet”, tha ai.
Duke theksuar 5 vite më parë fondi për pensionet ishte vetëm 50 miliardë lekë, kryeministri tha se në 2011-ën ky fond është 106 miliardë lekë, ndërsa s’ka pensionist me pension mujor nën 120 dollarë. Berisha fajësoi deputetët e opozitës se kanë votuar në Kuvend kundër rritjes së pagave dhe pensioneve.
Po ashtu krye kryeministri solli në vëmendje se deputetët socialistë votuan në Kuvend edhe kundër ndërtimit të tunelit të autostradës Tiranë-Elbasan, duke treguar qartë se nuk duan progresin dhe zhvillimin e shqiptarëve.
“Të gjithë sentimentet që keni ndaj meje dhe për këto unë nuk kam asgjë, nuk ju qortoj aspak, ju ia vishni realitetit, por nuk duhet t’ju pengojë ndjenja për kundërshtarin, për të parë realitetin ashtu siç është, se do të mbetet në historinë e këtij parlamenti, e shkruar në muret e tij me germa të zeza dhe jo të arta, vota juaj kundër tunelit të Kërrabës, që po lëshon shtat çdo ditë e më shumë. Tuneli që bashkon Elbasanin me Tiranën dhe që u shkurton 1.2 milionë shqiptarëve një orë në rrugën e tyre drejt kryeqytetit, që ju e votuat kundër dhe prapë nuk shkoni. Unë ju garantoj se sapo të mbarojë tuneli, po vazhduat kështu, do detyroheni të ngjiteni në Qafë-Kërrabë dhe të mos hyni në tunel. Bëni një autokritikë, thoni që bëmë gabim që e mbajtëm parlamentin dy ditë kundër tunelit”, theksoi më tej Berisha.
Kryeministri i premtoi qytetarëve shqiptarë se Qeveria do zbatojë çdo politikë efiçente për të luftuar varfërinë në vend.
“Varfëria ekstreme do të goditet në mënyrë përfundimtare”.
Duke u ndalur në propozimet fundit të PS-së për TVSH-në e ilaçeve, Berisha u shpreh se kjo është demagogji, pasi nga ulja e TVSH-së përfitojnë vetë të pasurit dhe shumë prejt tyre janë në Partinë Socialiste.
“Ju shpenzonit për ilaçet e qytetarëve shqiptarë 5 miliardë lekë subvencion, ndërsa sot shpenzohen 25 miliardë lekë subvencione. Mos do të thoni se i sëmuri demokracia njerëzit, mund ta thoni edhe këtë, por nuk ua beson kush. Pra, vetëm për ilaçet shpenzohen 250 milionë dollarë subvencione, nga 50 që shpenzonit ju”, theksoi kryeministri, duke iu drejtuar deputetëve socialistë.
Bode: Në vitin 2010 Shqipëria shënoi një rritje ekonomike më të madhe se në Eurozonë/“Ekonomia e Shqipërisë nuk është prekur nga kriza botërore, megjithëse kjo e fundit ka prekur edhe dy vendet kryesore partnere të saj, Italinë dhe Greqinë”.
Kështu u shpreh dje ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare, mbi projektligjin për miratimin e buxhetit faktik 2010. Sipas tij, ekonomia shqiptare sipas vlerësimeve të ndërkombëtarëve dëshmoi një qëndrueshmëri të admirueshme. Si pasojë e treguesve pozitivë, rritja ekonomike vjetore e vendit tonë do jetë në shifrën 4.5 për qind, çka tregon dukshëm epërsinë ekonomike të Shqipërisë mbi vendet e rajonit. Sipas raportit të fundit të shtatorit 2011 të FMN pas një rigjallërimi të ekonomisë globale për gjatë vitit 2010, këtë vit ajo po përballet me një fazë të re, të vështirë dhe të rrezikshme. Aktiviteti global është dobësuar, pabarazia në rritjen ekonomike është zgjeruar, besimi i agjentëve ekonomik ka rënë ndjeshëm si dhe janë shtuar risqet negative. Në Shqipëri, eksportet njohën rritjen e tyre më të fuqishme dhe ishin pikërisht ato që udhëhoqën rritjen ekonomike të vendit. Edhe kushtet e tregut të punës janë përmirësuar në tre-mujorin e fundit, ku norma e papunësisë shënoi rënie, deri në 13.5 për qind.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›