Opozita bllokoi sërish dje votimin e ligjeve me 84 vota

Edhe seanca e djeshme e Kuvendit ishte pasqyrë e katër seancave të mëparshme, teksa Partia Socialiste vazhdon të refuzojë votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar.
Dje, deputetët e opozitës kundërshtuan përsëri futjen në rendin e ditës të projektligjeve me 3 të 5, ku ndër ta spikat edhe projektligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative, i cili vazhdon të mbetet në sirtarët e Kuvendit prej më shumë se 2 vitesh, në prije të konsensusit të opozitës. Pas një debati prej gati dy orësh në pikën e katërt të rendit të ditës së punimeve të parlamentit, ishte parashikuar votimi i p/ligjit “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ftoi deputetët të miratonin këtë p/ligj, të cilin ajo e konsideroi si mjaft të rëndësishëm.
“Ftoj të gjithë deputetët të votojnë, pa votat tuaja ky ligj nuk kalon”, iu drejtua Topalli opozitës të pranishme në sallë.
“Projektligjet me 3/5 e votave do të mbeten në rend ët ditës në çdo seancë plenare”, kryetarja e Kuvendit, duke theksuar se ligjet e rëndësishme janë pjesë e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Por, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, konfirmoi qëndrimin destruktiv të Partisë Socialiste, teksa deklaroi se opozita ka bërë një ofertë në plotësim dhe zbatim të atyre rekomandimeve që ka bërë Bashkimi Europian, sipas të cilës qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që në mënyrë transparente dhe kushtetuese të gjejnë rrugën e zgjidhjes drejt integrimit europian.
“Ne u kemi bërë një ofertë që të ngarkohet komisioni i Ligjeve të këtij parlamenti që brenda këtij sesioni që do të thotë deri në dhjetor, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstitucionalistësh, grupe interesi dhe ekspertë të BE-së rast pas rasti të gjitha projektligjet, sipas fushave, në një proces të hapur transparent dhe ne marrim angazhimin të japim dakortësinë me votën tonë të çdo rezultati që do të pjellë kjo procedurë”, tha Ruçi.
Megjithëse pritej një qëndrim ndryshe nga herët e kaluara, vlen të theksohet se roli dhe aksioni i opozitës në parlament, mbetet po ai i bojkotit 2 vjeçar. PS s’do reformë zgjedhore, refuzon zgjedhjen e krerëve të institucioneve kushtetuese dhe po ashtu refuzon ligjet dhe reformat e integrimit të vendit.
Gjithçka është organizuar në funksion të bllokimit të punës së parlamentit. Jo më kot Edi Rama ka hedhur në tregun politik, ndonëse më shumë në atë mediatik, paketën me 10 pika, thjesht e vetëm të errësojë 12 kërkesat e Brukselit dhe si rrjedhojë të gjejë alibinë e radhës për të justifikuar mungesën e nonsensit për reformat në Parlament.