PS jep informacione të detajuara për situatën
Thuajse në të njëjtën kohe me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Partia Socialiste ka dhënë, sipas saj, një informacion të plotë lidhur me situatën që ka shkaktuar moti i keq në të gjithë vendin. Në bazë të informacioneve të mbledhura nga deputetët dhe kryetarët e Partisë Socialiste në rrethet e prekura nga reshjet e dëborës, selia rozë jep këto të dhëna.
Kukës:
Informacion nga kryetarët e partisë dhe kryetarët e komunave përfaqësues të PS:
- Duke filluar nga pasditja e djeshme u bë e mundur qarkullimi në rrugën që lidh Kukësin me Tiranën.
- U morën masa për pastrimin e rrugëve brenda qytetit të Kukësit dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve.
- Vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe të pakalueshme akset rrugore që lidhin qytetin e Kukësit me qendrat e komunave Surroj, Arrën, Malzi, Zapod, Bushtricë, Kalis, Gryk Cajë, Ujmisht.
- Ka filluar puna për hapjen e rrugës që lidh Kukësin me Shishtavecin, por po ecet shumë ngadalë.
- Nuk ka patur ndihma për fshatrat dhe komunat e bllokuara të rrethit.
Has:
Sipas informacionit nga kryetari i partisë së rrethit:
- Funksionojnë akset rrugore Krumë- Kukës dhe Krumë- Qaf Prush.
- Vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët që lidhin komunat Fajzë dhe Gjinaj me qendrën e rrethit si dhe qendrat e komunës me fshatrat. Të bllokuar gjithashtu fshatrat Cahan e Kishaj ku trashësia e borës arrin deri në 2.5 m.
- Megjithë gjendjen e rëndë, nuk ka qenë deri tani prezent asnjë lloj asistence për të ndihmuar nga ana e qeverisë apo autoriteteve të prefekturës dhe qarkut për komunat dhe fshatrat e bllokuara.
Tropojë:
Informacioni nga kryetari i partisë së rrethit dhe kryetarët e partisë të komunave na njofton se:
- Për Tropojën situata është e tillë, që nuk bëhet fjalë për gjendje të vështirë, por është gjendje e jashtëzakonshme. Kur ka 2 m borë në qytet, duhet të përfytyrohet se si është gjendja në komunat e rrethit.
Pushtetarët e Tropojës nuk e paraqesin gjendjen reale, por gënjejnë !
- Komuna Lekbibaj e bllokuar totalisht. Nuk ka asnjë lëvizje e përpjekje për çbllokimin e situatës.
- Në komunën Margegaj, fshatrat Valbonë e Dragobi janë të bllokuara plotësisht.
-Mundësitë e komunikimit me fshatrat e komunës Lekbibaj, me fshatrat Valbonë e Dragobi janë të kufizuara dhe kontaktet që kemi tregojnë për emergjencë ushqimore, mungesë energjie elektrike etj.
- Vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe nuk po bëhet asnjë përpjekje për të ndërhyrë për lidhjen e qendrave të komunave me qendrën e rrethit.
- Gjendja në qytetin e Bajram Currit e vështirë. Nuk ka asnjë ndërhyrje për pastrimin e rrugëve, në të cilat qarkullohet me vështirësi nga njerëzit dhe mjetet.
- Këshilltarët e majtë në bashkinë Bajram Curri iniciuan vënien në lëvizje të një fondi 2 milion lekë nga fondi i emergjencës për familjet në nevojë të qytetit dhe akoma nuk janë shpërndarë.
- Kanë ardhur 300 pako ndihmë prej 3 ditësh dhe ende nuk janë shpërndarë nga institucionet përkatëse të rrethit.
- Në komunën Margegaj në fshatin Klysyrë ka rënë ortek dhe ka shembur një shtëpi. Dëme në njerëz nuk ka. Janë vrarë nga orteku 70 krerë bagëti.
- Në fshatin Dragobi 3 familje janë larguar nga shtëpia nga frika e ortekut e janë strehuar tek fqinjët. Po kështu edhe në fshatin Valbonë është shpërngulur nga frika e ortekut një familje.
- Në fshatin Cërnicë të komunës Llugaj 70 banorë janë pa ujë nga mungesa e energjisë elektrike dhe ngrirja e tubave të ujësjellësit.
- Në komunën Lekbibaj në fshatin më të largët të saj Bricë ka humbur kontakti me 9 familje, në fshatin Salc me rreth 20 familje, në Curraj i Epërm ka humbur kontakti me 3 familje.
Pukë:
Situata vazhdon të jetë shumë e rënduar si në qytetin e Pukës dhe në komunat e rrethit, si në drejtim të komunikimit, të lidhjeve, të furnizimit me ushqime, të emergjencave shëndetësore etj.
-Dje u bë e mundur hapja e aksit rrugor Pukë- Shkodër. Vazhdon puna për hapjen e aksit Pukë-Fushë Arrëz. Rrugët që lidhin qendrat e komunave me qendrën e rrethit të bllokuara plotësisht.
- Dje ka patur disa fluturime nga ajri për furnizim me ushqime për disa komuna të rrethit.
- Komunat Iballë, Fierzë, Blerim janë tërësisht të bllokuara. Mungon energjia elektrike.
- Dje ka patur një rast vdekje në fshatin Neçe. Megjithë alarmin e dhënë për rastin e të sëmurit prej 3 ditësh vetëm dje është bërë i mundur transporti i tij në spitalin e Pukës me anë të ajrit, por pa rezultat. I biri i viktimës është mjek në spitalin e Pukës.
Dibër: Pas kontakteve që kemi si me të zgjedhurit tanë në pushtetin vendor ashtu edhe me Kryetarët e partive në të 15 njësitë vendore që ka Rrethi i Dibrës, situata e orëve të fundit paraqitet si më poshtë:
o Që pasditen e djeshme kanë ndaluar reshjet e vazhdueshme të dëborës në të gjithë zonën, por ka një rënie të temperaturave dhe e gjithë zona është përfshirë nga akulli dhe ngrica e jashtëzakonshme. Trashësia e dëborës varion nga 1.5 m deri në 2.5 në zona të caktuara .
o Situata në Dibër deri në këto momente paraqitet si më poshtë:
1. Gjendja e rrugëve:
a. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë në aksin Peshkopi Qafa e Buallit kalohet me zinxhirë ndërsa deri në Burrel gjendja e rrugës vjen dhe përmirësohet, por gjithsesi është një kalimshe dhe paraqet vështirësi kalimi.
b. Aktualisht 140 fshatra që përbëjnë 14 Komunat e Dibrës nuk lidhen fare me qendrat e tyre të Komunave. Rruga nacionale Peshkopi Kukës nga krahu Peshkopi-Muhurr-Arras-Zall-Dradhë Rec është e kalueshme me shumë vështirësi dhe me zinxhirë deri tek Ura e Muhurit, kështu që Komunat Arras, Zall-Dardhë, Zall-Rec dhe Lurë janë tërësisht të bllokuara.
Ndërsa nga krahu Peshkopi-Kastriot-Sllovë-Kala e Dodës, aksi rrugor Peshkopi-Kukës është i kalueshëm me zinxhirë deri afër fshatit Shumbat të Komunës Sllovë dhe kësisoj komunat Sllovë dhe Kala e Dodës mbeten të bllokuara nga bora.
2. Sa i takon situatës shëndetësore dhe ushqimore në këto zona:
a. Fatmirësisht deri tani nuk ka jetë njerëzish të humbura por kjo falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të banorëve të zonës që për 5-10 orë në këmbë dhe me barela kanë arritur të sjellin në spital tre gra shtatzëna dhe një fëmijë të sëmurë nga Komunat Sllovë, Kastriot, Luzni dhe një rast sot në Kala të Dodës, ku një nënë e re që do të lindë për herë të parë u transportua me helikopter për në Tiranë, por ulja e helikopterit u bë e mundur vetëm për meritë të banorëve të zonës.
Ka mungesa ilaçesh për të sëmurët sidomos mosha e tretë. Vihet re shtimi i virozave tek fëmijët dhe ka shumë raste fëmijësh me temperaturë. Shërbimi mjekësor nëpër Komuna nuk funksionon absolutisht dhe nuk kanë asnjë lloj medikamenti deri edhe paracetamol.
Rreziku më i madh për gati 85 % të banorëve të këtyre zonave që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike është mungesa e ushqimeve bazë dhe për këtë nuk është e tepërt të thuhet se gjendja është katastrofike pasi dimri i ka kapur të papërgatitur. Rrugët tokësore për furnizime janë të bllokuara, ndaj duhet urgjent ndihmë ushqimore, por deri tani nga qeveria dhe pushteti lokal nuk ka asnjë shenjë pozitive.
Kritike paraqitet gjendja në tre fshatra të Komunës Luzni si Lishan i Poshtëm, Lishan i Epërm dhe Arap i Epërm ku dhjetëra familje sipas konfirmimit të Kryetarit të Komunës janë gati pa bukë pasi rezervat nuk u mjaftojnë as për dy-tre ditë.
Po ashtu disa fshatra në Kala të Dodës, në Zall-Reç, Zall-Dardhë, Sllovë dhe Fushë-Alije, por edhe në tre fshatra të Komunës Arras, Kryetarët e Komunave kërkojnë ndërhyrje urgjente me ndihma ushqimore pasi banorët janë në rrezik urie.
Me Komunën e Lurës ka filluar të vështirësohet edhe komunikimi me telefon, por sipas Kry