Rama borën dhe tërmetin e di si 21 janarin
Kreu i PS-së ka nxjerrë në fushë të gjithë arsenalin e tij antishtetëror e apatrid, duke shqiptuar ëndrra të përngjashme me ardhjen në pushtet përmes 21 janarit. Ai e di se fatkeqësitë natyrore dhe vdekjet mund të përdoren për grusht shteti, e se viktimat mund të përdhosen për të njëjtat qëllime
Berisha: Në Europën e mbuluar nga dëbora, Rama, i vetmi korb që përpiqet të nxjerrë kapital politik
Edi Rama demonstroi dje, me daljen e vetë publike, por edhe me nxjerrjen Mimi Kodhelit, se borën dhe tërmetin ai e di si 21 janarin. Ndaj, me gjithë pamundësinë e rrokjes së një mendje, guximshëm e shprehu dje, se beson se i ka në dorë edhe borën e tërmetin, dhe beson edhe tjetrën se me to mund të bëjë grushte shteti, mund të përdhosë të bllokuarit e mund të keqpërdorë viktimat.
Deklaratat e Edi Ramës, por edhe të Mimi Kodhelit, nuk kishte si të mos kalonin pa komentuar edhe nga Kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzoi dje kreun e PS-së se po shfrytëzon situatën e vështirë si rrjedhojë e motit për të përfituar politikisht. Sipas Berishës, Edi Rama është i vetmi që bën korbin, dhe është unik kur bën kallogjerin, apo kasandrën e së keqes. Për Berishën, Edi Rama ka një pasion të çmendur për të përdhosur të vdekurit dhe për të përfolur të vdekurit. Akuzat e tij Kryeministri Berisha i bëri gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave, në të cilën evidentoi se prioritetet më madhore në këtë sitat, janë shpëtimi i jetëve njerëzore dhe hapja e akseve rrugore.
Duke marrë shkas nga deklarata e djeshme të kreut të PS-së, Berisha u shpreh midis të tjerave se, “më duhet ti them Edi Ramës që bën ciu-ciu nga mëngjesi deri në darkë, se emergjencat janë çështje e burrave dhe e grave të përkushtuar dhe të vendosur dhe kurajoz. Ti je unik në Europë sot, në Europën e mbuluar nga dëbora, je i vetmi që bën korbin, je i vetmi që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë, je i vetmi dhe unik që bën kallogjerin, Kasandrën e së keqes, që na thua se pas borës do vijë përmbytja dhe pas përmbytjes do vijë dita e fundit. Pra ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformomi të paskrupullt me telefonata, njofton se këtu u shembën 10 shtëpi, se në 4 shtëpi janë zënë brenda gjithë të tjerët dhe më e keqja në raportin e tij fatal me vdekjen, ky njeri ka kulturë të vetmen përdhosjen e Kodit të Vdekjes”, u shpreh Berisha.
Në këtë linjë kreu i Qeverisë tha se kur bënte bilancin e situatës në vend, Edi Rama citonte një familje të nderuar, sipas të cilit nëna e tij kishte mbetur mbi dhe dy ditë pa varrosur, ndërsa tha se kryesocialisti, “ka një pasion të çmendur për të përdhosur të vdekurit dhe për të përfolur të vdekurit”.
Ai tha se nuk i ndërhyhet tjetrit në fatkeqësi, dhe se Edi Rama duhet ta dijë se ky komb është komb tradite.
Berisha tha se, “ndodhi që nëna e këtij qytetari të nderuar ishte varrosur sipas të gjitha përcaktimeve por se i duhej Edi Ramës, kjo sepse pasioni i tij për manipulimin me vdekjen është i papërmbajtshëm ashtu si atëherë kur i përplasën shaminë në surrat edhe kur shpalli të vrarë Kostra Trebickën”.
Kryeministri u shpreh më tej se, “i them atij se kodin mortor duhet ta respektosh si kushtin më kryesor për të qenë njeri i qytetëruar, ky kod është përcaktues dhe ndarës midis njeriut primitiv dhe të qytetëruar, por meqë nuk je i zoti të ndihmosh, shpif sa të duash por me të vdekurit mos u merr, nuk mund të bëhen ata në asnjë rast e asnjë rrethanë objekt politizimesh. Rrethanat mund të ndodhin e duhet të ulesh kokën përpara dhimbjes njerëzore e jo të dalësh si korb e të ndjellësh zi e kjo është në kundërshtim me frymën e socialistëve në gjithë vendin”.
Sipas kryeministrit Sali Berisha, asnjë socialist nuk e përkrah qëllimin e Edi Ramës, por shtoi se kryetari i Partisë Socialiste duket sikur lexon librat e atit të tij shpirtëror që thoshte “ato që thotë kjo mendja ime, e ashtu do ndodhë’.
Kryeministri theksoi se nuk ka lider opozite në botë që manipulon me të vdekurit, që shkelmon mbi mundin e djersën të mijëra burra e grave që janë angazhuar në këto operacione ndihme e zhbllokimi, por se Rama është unik.
“Shpëtimi i jetëve njerëzore dhe hapja e rrugëve, objektivat më madhorë”
Ndërkohë, në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Kryeministri Sali Berisha u shpreh se për përballimin e situatës së vështirë në veri dhe verilindje të vendit prej dëborës, janë ndërmarrë operacione të jashtëzakonshme për të përballuar situatën e dëborës e cila ka paralizuar trafikun në vend dhe jetën.
Me këtë rast Kryeministri Sali Berisha, falënderoi shumë përzemërsisht “mijëra burra e gra, qytetarë të zonave të mbuluar nga bora, punonjës të administratës, së qeverisë vendore dhe qendrore, të policisë, emergjencave, rezervave të shtetit, kompanive private që kanë ndërmarrë e organizuar një ndër operacionet më masive në historinë e vendit, për të përballuar me sukses pasojat e një situate bore masive, në më shumë se gjysmën e territorit të vendit, borë e cila ka mbuluar në tërësi Europën, ka paralizuar trafikun në vende të mëdha dhe të fuqishme, por mbi të gjitha ka shkaktuar mbi 620 viktima dhe numri i tyre vazhdon të rritet”.
Ai tha se dje ka qenë një ditë më e qetë se pardje dhe ai kishte ndjekur në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore nga Korça në Vermosh ku anëtarët e komitetit kanë qenë sot gjatë gjithë ditës në krye të detyrës në qarqet e probleme dëbore.
Berisha theksoi se ministri Nishani ishte në Korçë dhe Pogradec, ministri Olldashi në Kukës, Haxhinasto në Pukë dhe të gjithë anëtarët e komitetit janë shpërndarë në zona në mënyrë që të bashkërendojnë më mirë veprimet e ndërmarra në tërë territorin.
Sipas tij, qëllimi i parë dhe më kryesor i operacioneve të emergjencës është shpëtimi i jetëve njerëzore. Sipas tij, ky është objektivi i parë dhe më madhor.
“Qëllimi i parë dhe më kryesor të operacioneve të emergjencës, është, shpëtimi i jetëve njerëzore. Vetëm sot (dje), me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe me mjete të tjera rrethanore, janë transportuar një numër jo i vogël të sëmurësh, mbi 10. Janë shpëtuar jetët e të sëmurëve, sikundër sot (dje) gjatë transportit nga një fshat i Rrapës i Pukës ka ndërruar jetë një qytetar, një 85 vjeçar i cili vuante nga probleme kardiake kronike. U ndërmor një operacion për shpëtimin e jetës së tij, por sëmundja e tij ishte kronike. I shprehim ngushëllime familjes së tij”, u shpreh Berisha.
Më tej në fjalën e tij, Kryeministri u ndal edhe te puna e madhe që po bëhet për hapjen e rrugëve dhe bërjen e tyre të qarkullueshme.
“Janë bërë përpjekje të mëdha për hapjen e rrugëve kombëtare. Është siguruar një kalueshmëri më e mirë në Rrugën e Kom bit, pasi mbrëmë (parmbrëmë) gjatë orëve të natës, është punuar me intensitet të madh për pastrimin e borës, në të dy pistat e autostradës. Në aksin Bajram Curri - Fierzë, në të dy drejtimet, kanë rënë ortekë. Shpresohet që nesër (sot), ky aks të bëhet i kalueshëm, me qëllim që Tropoja të ketë një mundësi kalimi. Është punuar intensivisht në aksin Kukës - Peshkopi, por ende nuk është hapur. Ka një përparim të madh në largimin e borës, në segmente të tëra të këtij aksi. Është punuar dhe po punohet me intensitet në aksin Pukë - Fushë Arrëz, në të dy drejtimet. Nesër (sot) ky aks, besohet dhe shpresohet që do të jetë i hapur. Po punohet në drejitm të Qafë - Malit, ku trashësia e borës është shumë e madhe”, vijoi Berisha.
Duke bërë një panoramë të komunave të bllokuara, në qarqet Kukës, Dibër, Korçë, apo në rrethet Librazhd e Gramsh, Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti se “objekti ynë i dytë madhor, pas emergjencës shëndetësore, është hapja e rrugëve. Në këtë përpjekje janë angazhuar qindra mjete, të rrugëve, forcave të armatosura, kompanive private dhe mjete të tjera. Ditët që vijnë shpresojmë të jenë si e sotmja dhe të japin mundësi kalueshmërie e qarkullimi më të madh në këto zona”, u shpreh Berisha.
Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave, Kryeministri vlerësoi edhe masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas tij, “Ministria e Shëndetësisë sot (dje) është marrë me urgjencën shëndetësore dhe u është përgjigjur të gjitha rasteve. Ajo ka përgatitur paketat e medikamenteve mjekësore dhe nesër (sot) do të shpërndahen nëpër çdo qendër komune”.
Duke ripërsëritur apelin për pastrimin e çative të shtëpive nga bora, Kryeministri bëri të ditur se, “sot (dje) ka pasur një angazhim më të madh të banorëve të këtyre zonave, për të pastruar çatitë e shtëpive të tyre”
Pjesë e evidentimit të Berishës në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Emergjencave ishte edhe masat e marra për shpërndarjen e pakove me ndihma ushqimore.
“Janë realizuar një numër i madh fluturimesh nga Regjimenti i Helikopterëve të vendit. Nga ana tjetër, ushtria ka përgatitur që të stacionojë nga aeroporti i Kukësit dhe i Gjadrit, paketat e ushqimeve, që të mundësojë një shpërndarje më të mirë të ndihmave në drejtim të zonave verilindore dhe veriore të vendit. Komiteti po e ndjek me vëmendje më të madhe situatën”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.