E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS jo kukull e aleancës Berisha-Meta-Nano”

26/09/2009  Kreu në detyrë i PS-së u kundërpërgjigjet akuzave të ish-paraardhësit të tij

Rama: Detyrimi ynë të përballemi me forcën e me inercinë e së vjetrës

Oli Xhilaga

“Sot më shumë se kurrë Partia Socialiste ka dhe ndien detyrimin që të përballet me forcën e me inercinë e së vjetrës, e cila materializohet në aleancën e paskrupullt të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos për ta kthyer Shqipërinë në skemë të mbyllur interesash, ku pushteti të bëjë ç’të dojë me votën e popullit dhe opozita të bëhet kukull në prehrin e pushtetit”, - ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili një ditë para zgjedhjeve për kryetarin e ri të kësaj partie mbrojti sërish linjën zyrtare të saj mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në konferencën e djeshme për shtyp Rama preferoi që t’u kundërpërgjigjej dhe deklaratave të ardhura nga ish-kryetari socialist Fatos Nano në adresë të tij. Kështu, duke zgjedhur që kundërpërgjigjja e tij të përfshinte në të si Metën e Berishën, ashtu dhe Nanon, Rama e cilësoi si krejtësisht të drejtë qëndrimin e partisë që ai drejton ndaj zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre. Për këtë arsye, përmes një qëndrimi të prerë kreu socialist shprehu qartë detyrimin që ka tashmë PS-ja. “Partia Socialiste ka dhe ndien detyrimin që të luftojë me të gjithë fuqinë e saj për rivendosjen e ligjit e të drejtësisë në këtë vend, ku interesat e një grushti njerëzish në pushtet janë ngritur mbi ligjin, gjykatat, mbi shtetin e së drejtës. Kur opozitës i ndalohet hapja e kutive të zgjedhjeve, megjithëse këtë e thotë ligji, dhe kur qytetarët s’gjejnë dot drejtësi as kur pushteti u vret të afërmit si në Gërdec, e jo më kur duhet të zgjidhin një çështje me shtetin në gjykatë, kur qeveria është kthyer në strehë njerëzish që kërkohen nga drejtësia e nga populli për vepra penale apo për mashtrime publike, ne na takon të bëjmë gjithçka që ligji e drejtësia të rivendosen”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Ndërkohë, në po këtë linjë kundërvënieje kryetari në detyrë i PS-së nuk harroi të vinte në dukje një tjetër aspekt të keqqeverisjes. Sipas tij, Shqipëria po përjeton një krizë të thellë të politikës, të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano dhe shërbëtorët e tyre duan me çdo kusht ta gjunjëzojnë Partinë Socialiste e përditë bëjnë çmos të fajësojnë opozitën për këtë gjendje të padurueshme. “Detyra jonë është të vëmë publikisht përpara përgjegjësisë morale fajtorët për gjendjen e rëndë ekonomike e shoqërore ku ndodhen shqiptarët, të cilët as nuk lëvizin dot lirisht në Europë si fqinjët tanë”, - vlerësoi Rama. Ai i ftoi të gjithë ata që kërkojnë të ndryshojnë një situatë të tillë të shprehin me çdo mënyrë refuzimin e vet ndaj një gjendjeje të tillë.

Kundërshtarët e Ramës

Deputetët socialistë që janë pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS zhvilluan dje një takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, zotin Lars Freden. Gjatë këtij takimi është biseduar lidhur me vendimin e marrë nga PS-ja për të bojkotuar Kuvendin, vendim ky që është kundërshtuar nga diplomati suedez. Në përfundim të këtij takimi Ben Blushi, një nga deputetët përfaqësues të kësaj lëvizjeje, është ndalur si në një çështje të tillë, ashtu dhe në zgjedhjet që zhvillohen sot në PS. “Ne mbetemi të shqetësuar për dy elemente: në radhë të parë për zgjedhjet e Partisë Socialiste. Ka sinjale nga të gjitha rrethet se këto zgjedhje nuk po menaxhohen siç do të duhej për të krijuar një diferencë mes mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri më 28 qershor dhe zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste”, - vlerësoi Blushi. Ndërsa sa i takon pjesës tjetër, sipas Blushit, kjo lëvizje do të vazhdojë të flasë për të bindur anëtarësinë e Partisë Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste se duhet t’i kthehen Kuvendit. “Nëse ka një faktor politik që përfiton nga mungesa e opozitës dhe nga dobësimi i opozitës në përgjithësi, ky është Sali Berisha dhe qeveria, e cila ka sot luksin të flasë e vetme në Parlament, të marrë çdo nismë ligjore antidemokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është një gjë që mund të frenohet nëse ne jemi në Parlament. Për sa kohë që nuk jemi në Parlament, besoj se qeveria është e favorizuar, dhe këtë luks nuk mund t’ia japim më Sali Berishës”, - sqaroi deputeti socialist.

Zgjedhjet në PS

Partia Socialiste do të zhvillojë sot garën për zgjedhjen e kreut të ri të saj. Sikundër është deklaruar, në këtë garë marrin pjesë vetëm dy kandidatë dhe konkretisht përballë njëri-tjetrit janë kryetari në detyrë i PS-së Edi Rama dhe anëtari i asamblesë kombëtare Maqo Lakrori. Madje, ishte sekretari për organizimin në PS Blendi Klosi ai që gjatë një komunikimi me mediet ftoi “të gjithë socialistët shqiptarë që të shtunën e 26 shtatorit të shkojnë në votim në qendrën e bashkisë apo të komunës së tyre për të shprehur me votë mendimin për rrugën ku duhet të ecë Partia Socialiste në 4 vjetët e ardhshëm dhe për liderin që duhet ta udhëheqë atë drejt fitores së sigurt me pushtetin e korruptuar të çiftit Berisha–Meta, të cilët me votat e grabitura të 28 qershorit po e zhytin Shqipërinë në një krizë të thellë politike e ekonomike”. Sipas tij, të gjithë socialistët duhet të votojnë për cilindo nga kandidatët në garë, duke garantuar një proces të lirë e të ndershëm. Ndërkohë Klosi bëri me dije lidhur me procedurat e votimit. “Procesi do të jetë transparent. Do të zhvillohet pranë çdo bashkie dhe komune. Bëhet fjalë për 400 qendra votimi në gjithë Shqipërinë. Ftohen në votime rreth 82 mijë socialistë, të cilët do të votojnë me parimin “një anëtarë, një votë” për kryetarin e ri.

Orari i votimeve do të jetë 8:00-16:00. Rezultati do të dalë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, që do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me mediet”, - sqaroi Klosi lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›