E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpërthimi” i dytë i Gërdecit,10 zyrtarë akuza të reja për vrasje

26/09/2009  Neni 292 i hap rrugë rihetimit të çështjes, familjarët hartojnë 26 kallëzime edhe për Mediun

TIRANE- Familjarët e 26 viktimave të Gërdecit do të depozitojnë ditën e hënë në Prokurorinë e Përgjithshme, 26 kallëzime penale ndaj 10 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo iniciativë merret për të detyruar organin e akuzës të rifillojë hetimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin pak kohë më parë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e çështjes. Avokatia e familjarëve të viktimave të Gërdecit Blerta Kraja, deklaroi se 26 familjet që humbën të afërmit e tyre nga shpërthimi i Gërdecit, do akuzojnë ish-ministrin Fatmir Mediu, Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, si dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Sipas saj, duke marrë shkas nga këto kallëzime, si dhe duke u mbështetur edhe në hapësirën ligjore që i jep neni 292 i Kodit të Procedurës Penale, përfaqësuesit e Prokurorisë do të mundin të rihapin sërish çështjen hetimore në ngarkim të Fatmir Mediut, si dhe 9 personave të tjerë që aktualisht janë duke u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Këta nëntë individë të tjerë që janë përzgjedhur nga familjarët e viktimave janë, katër personat që ndodhen të izoluar në burgun 313 Tiranë, gjeneralët më të lartë të ushtrisë shqiptare, si dhe disa ish- funksionarë të Ministrisë Mbrojtjes. Për rifillimin e çështjes të njëjtin plan kishte hartuar edhe Prokuroria e Përgjithshme, përfaqësuesit e të cilës janë shprehur pak ditë më parë se dosjen ndaj Fatmir Mediut, do ta rihetonin duke ju bazuar vetëm nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale. Mirëpo duke qenë se tashmë në zyrat e tyre do depozitohen 26 kallëzime, rruga për hapjen e dosjes “Gërdeci” bëhet akoma më e lehtë për Prokurorinë. Mësohet se kallëzimet penale të familjarëve të viktimave fillimisht do të analizohen dhe më pas do vendoset për regjistrimin e procedimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes apo jo. Në qoftë se akuza do pranojë këto kallëzime, atëherë ajo më pas do i drejtohet Parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ministrit aktual të Mjedisit Fatmir Mediu. Ndërkohë që avokatia e familjarëve të 26 viktimave Blerta Kraja është shprehur se vendimin absurd të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes “Mediu”, do e çojnë në gjykatën e Strasburgut. Në tryezën e diskutimit ishin të pranishëm disa juristë të njohur të vendit, familjarë të viktimave si dhe përfaqësues të disa ambasadave në Tiranë. Ajo që ra në sy ishte mungesa e përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›