E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS ka përdorur forma diskriminimi për zonat që janë fituar nga opozita

03/06/2005  Kandiati i PD-së Bamir Topi shprehet se projektet e PD konsistojnë në zhvillimin e vendit

Zoti Topi, keni ndonjë platformë konkrete, me të cilën ju do të hyni në këtë fushatë elektorale?

Së pari, doja të thoja se këto janë zgjedhje të përgjithshme, politike dhe duhen diferencuar qartë nga zgjedhjet administrative, apo lokale. Secili përfaqësues, një emër konkret, vjen me një linjë ta caktuar politike dhe ka në sfond një emër të caktuar subjekti elektoral. PD ka tetë vjet që është në opozitë dhe gjatë gjithë kohës ka zhvilluar një debat publik, në institucione, në komunikim me median dhe elektoratin, duke denoncuar hapur plagët më të thella që PS në pushtet prej tetë vjetësh ka krijuar në mbarë shoqërinë shqiptare, gjë që evidentohet qartë edhe në zonën time elektorale. Aty ku kanë drejtuar përfaqësuesit socialistë ka një vëmendje më të madhe, aty ku zonat kanë qenë tradicionalisht demokrate, ka një mungesë të theksuar të vëmendjes nga qeveria socialiste. Për t'u futur në zonën ku unë kandidoj, refleksi i dështimit të kësaj qeverisje evidentohet qartë në diferencimin e theksuar të zonës suburbane, me zonën urbane që vjen deri në qendër të Tiranës. Mund të them se zona suburbane është e populluar, sidomos gjatë viteve të qeverisjes socialiste, nga komunitete të ndryshme, banorë që kanë ardhur nga Dibra, Kukësi, Tropoja, nga juglindja e Shqipërisë dhe do të thoja që këtu nuk realizohen as standardet minimale të një zone të caktuar, aq më shumë brenda metropolit shqiptar. Mund t’ju them se në zonën suburbane, nuk ka një shkollë tetëvjeçare apo shkollë të mesme, mungon asistenca shëndetësore dhe fëmijët e kësaj zone detyrohen të bëjnë dy tre kilometra për të ardhur te shkolla, "7 Marsi", "Sami Frashëri" apo "Harri Fullc".

Cilat janë avantazhet tuaja në zonën 31?

Unë mendoj se kandidoj në këtë zonë jo vetëm si banor i saj tradicional, por unë rrjedh nga dy familje të vjetra të njohura të Tiranës, që kanë marrë pjesë në themelimin e Tiranës, Topi dhe Karapici, familje që vazhdojnë të jetojnë në këtë zonë. Arsimimin deri në përfundim të shkollës së mesme “Sami Frashëri“, e kam mbaruar në këtë zonë dhe kam pasur mundësi të kem një lidhje të gjerë familjare, farefisnore e shoqërore, por kam njohur dhe në mënyrë të detajuar problemet që ka kjo zonë. Natyrisht, aktiviteti im politik ka mundësuar që unë të mos njoh vetëm pjesën e vjetër të qytetit, por të futem me shumë interes edhe në problemet që ka zona, e cila shtrihet deri te Bregu i Lumit. Zona ka probleme të ndryshme, jo vetëm me infrastrukturën, por me probleme të mentalitetit dhe të integrimit të komuniteteve të ndryshme. Kjo është e papranueshme, nga ana e njësisë bashkiake numër nëntë, e cila i ka braktisur këto komunitete, të cilat nuk kanë shkollë, qendër shëndetësore, ka varfëri dhe 60 për qind papunësi, ka emigraciona të ndjeshëm.

Kjo është një zonë e fituar nga PD në zgjedhjet e 2001. Mund të na jepni një opinion mbi punën e paraardhësit tuaj?

Po, unë kam avantazhin se kjo zonë ka qenë tradicionalisht e djathtë. Në zgjedhjet e 2001-it ka fituar Spartak Ngjela, por për shkak të diskriminimit nga pushteti qendror dhe ai lokal, kjo zonë demokrate, është lënë e harruar. Kryebashkiaku i Tiranës dhe stafi i tij, këto zona i ka lënë jashtë investimeve. Besoj se eksperienca ime administrative e gjatë, si drejtues i institucioneve dhe ish-ministër, sikurse dhe funksionet politike, deputet në dy legjislatura, do të ndihmojë ta nxjerr këtë zonë nga kjo situatë.

Si e shikoni kundërshtaren tuaj në këtë zonë?

Së pari, unë e shoh një nga kundërshtaret e mia në zonë, si një pjesë të një alternative qeverisëse të dështuar, të një klase politike të korruptuar, mbështetëse të monopoleve. Si pjesë e pushtetit lokal, ajo bën pjesë në atë qeverisje që nuk ka menduar aspak për komunitetet e ardhura rishtaz në Tiranë, për integrimin dhe investime harmonike në të gjithë Tiranën. Nuk kam menduar asnjëherë të futem në parametrat individualë, pasi kundërshtarin tim, unë e shoh si një rival politik. Interesant është edhe sondazhi i NDI-së që sjell rezultatin se edhe në këtë zonë ka nxjerrë fitues kandidatin e PD-së.

Çfarë garancish i jepni zgjedhësve tuaj dhe a keni ndonjë mesazh për ta?

Garanci është e gjithë retrospektiva ime politike. Unë kam qenë në çdo moment, në çdo moment të mandatit tim të mëparshëm pranë zgjedhësve, por edhe pranë publikut shqiptar me anë të aktivitetit publik në parlament, në media. Një moment tjetër që zgjedhësit mund t’i referohen është pikërisht ajo që unë kam bërë për zonën time, kur unë edhe aktualisht jam deputet. Kjo zonë ka qenë shumë e përfaqësuar dhe ka qenë ndër zonat ku është investuar në arsim, në rrjetin energjetik, në infrastrukturë dhe besoj se këto kanë ardhur jo si vëmendje e qeverisë, por si pasojë e përpjekjeve të mia për t’i mbajtur nën presion. Unë mendoj që duke ardhur në qeverisje PD, edhe pozicioni im individual do të jetë i tillë që do të ketë shkaqe shumë më të mëdha për investime dhe konsideratë.

Kush është Bamir Topi

Lindur në Tiranë, në vitin 1957 nga dy familje tradicionale, Topi dhe Karapici, themeluese të qytetit. I martuar me dy fëmijë.

Arsimi i lartë në ciklin e mjekësisë veterinare, dhe më pas, në studimet kërkimore-shkencore në biologjinë e aplikuar.

Pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Tri vjet doktoraturë në universitetin e Romës dhe Torinos në Itali

Drejton Institutin e Kërkimeve Veterinare për katër vjet, kohë kur merr titullin profesor doktor 1992-1996

Autor i 30 botimeve, si autor i vetëm dhe me bashkautorë

Pjesëmarrës në simpoziume të ndryshme në SHBA, Zvicër etj.

Dekoruar nga Instituti Amerikan i biografive

Në vitin 1996, emërohet ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit

Dy herë përfaqësues i PD-së në parlament, nënkryetar i partisë, anëtar Kryesie dhe kryetar i Grupit parlamentar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›