Të dënuarit s’falen para zgjedhjeve
Erald Kapri
Opozita kërkon me ligj që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe çdo pasues i tij, të mos falë të burgosur 3 muaj para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme. Në Komisionin e Ligjeve vijoi dje diskutimi nen për nen i projektligjit "për faljen", i cili përcakton kritere të reja për faljen e të dënuarve, nga ku opozita paraqiti disa mendime të projektligjit të Qeverisë. Në nenin 10 të projektligjit, opozita ka kërkuar që kreu i shtetit të mos të falë të dënuar para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, 4 nenet e para të këtij projektligji kaluan me konsensus nga të dyja palët në Komisionin e Ligjeve. Sot do të vijojë diskutimi për amendimet e tjera të opozitës dhe projektligjit, ku pritet të vendoset edhe për mendimin ndaj kreut të shtetit. Parimisht maxhoranca është shprehur dakord. Tre deputetët e opozitës Armando Subashi, Ermonela Felaj dhe Vasilika Hysi kanë dorëzuar në Kuvend disa mendime të këtij projektligji. Ata u shprehën në komision se, nëpërmjet këtyre mendimeve kërkojnë që të rrisin transparencën e dhënies së faljeve nga kreu i shtetit. "Rritjen e transparencës së Ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës ndaj gjithë këtij procesi, duke pasur detyrimin që në çdo rast të përcjelljes së praktikave për tek Presidenti ato të bëhen publike", thuhet në relacionin e deputetëve të opozitës. Në thelb, ashtu siç deklaruan këta të fundit në komision, amendimet e tyre janë më konservatore dhe vendosen kritere të forta për ata që kërkojnë faljen e Presidentit për vitet e burgut ose për të lënë qelinë.
Amendimet
Deputetët e opozitës, ndryshe nga projektligji i Qeverisë, kërkojnë që një i dënuar duhet të ketë vuajtur minimalisht gjysmën e viteve të burgut, për të bërë kërkesën për falje të dënimit të mbetur. Projektligji i Qeverisë përcakton vetëm 1 të 3 e dënimit. Nga ana tjetër, tek kriteret ndaluese, opozita ka shtuar veprat penale, të cilat ndalojnë të burgosur të kërkojnë falje. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, trafikimi i personave, shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese, trafikimi i femrave, trafikimi i të miturve, vjedhja me pasojë vdekjen, dorëzimi i terrorit, dorëzimi i forcave të armatosura, atentati, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikimi i narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale janë disa nga vepra penale që përjashtohen nga falja e viteve të burgut.
Amendamentet e PS për projektligjin “për faljen”
Në nenin 4 shtohet pika:
Personi i dënuar ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit të dhënë. (Projektligji parashikon 1 të 3 e dënimit para se të kërkojë falje).
Në nenin 5 shtohet pika në kriteret ndaluese:
Personi që është dënuar për veprën penale të gjenocidit, krime kundër njerëzimit, krime lufte, vrasje me paramendim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç, rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, trafikimi i personave, shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese, trafikimi i femrave, trafikimi i të miturve, vjedhja me pasojë vdekjen, dorëzimi i terrorit, dorëzimi i forcave të armatosura, atentati, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikimi i narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, organizata kriminale.
Në nenin 6 shtohet pika:
Kërkesa për falje e dënimit bëhet nga personi i dënuar ose mbrojtësi i tij, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe në rastin e të dënuarve të mitur nga njeri prej prindërve, nga kujdestari ose nga mbrojtësi i caktuar, kryesisht ose i zgjedhur me prokurë.
Në nenin 7 shtohet pika:
Kërkesa për faljen duhet të përmbajë: mendim me shkrim të dëmtuarit nga vepra penale në rastet e veprave penale kundër personit dhe familjarëve të viktimës.
Neni 9 pika 1 ndryshon si më poshtë:
Ministri i Drejtësisë brenda 60 ditëve nga momenti i dërgimit të dokumentacionit nga Presidenti dhe pasi plotëson dosjen përkatëse sipas neneve të mësipërme është i detyruar t'ia përcjellë Presidentit së bashku me propozimin e tij për pranimin ose refuzimin e kërkesës për falje. Propozimi i ministrit duhet të jetë i argumentuar ligjërisht. Ministri i Drejtësisë duhet të bëjë publik çdo propozim të tij përpara se të dërgojë praktikën tek Presidenti i Republikës.
Neni 10, pika 2 ndryshon si vijon:
Presidenti nuk mund të dekretojë faljen e një të dënuari 3 muaj para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme të dekretuara prej tij.
Nenin 11 pika 1:
Presidenti dekreton faljen e të dënuarit brenda një afati prej 1 viti nga momenti i paraqitjes së praktikës përkatëse nga ministri i Drejtësisë. Me kalimin e këtij afati kërkesa për falje konsiderohet e rrëzuar dhe ministri njofton të dënuarin.
Neni 13 ndryshon si më poshtë:
Në arkivin e Ministrisë së Drejtësisë mbahet një kopje e plotë e dosjes së faljes për çdo kërkues, e cila përmban sipas rastit edhe dekretin e Presidentit për faljen e dënimit dhe njoftimin e Ministrit të Drejtësisë.
Deputetët propozues
• Armando Subashi
• Ermonela Felaj
• Vasilika Hysi
Dekretet e gjyqtarëve, javën tjetër nis shqyrtimi
Dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e 3 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë do të shqyrtohen javën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve. Shqyrtimi i këtyre kandidaturave do të bëhet sipas rregullores së re të Kuvendnit, e cila pritet që të miratohet ditën e enjte, parashikon 8 javë afat për shqyrtimin e tyre si dhe do të votohen me votim të hapur në Kuvend. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, informoi dje anëtarët e komisionit se u janë drejtuar pyetje me shkrim disa institucioneve si Prokurorisë, KLD-së, Dhomës së Avokatëve etj. në lidhje me të kaluarën e tri kandidaturave të Presidenti Medi Bici, Sokol çomo, Vexhi Muçmata. Ai tha më tej se 3 kandidatët do të zhvillojë veçmas seancën dëgjimore nga ku mund të pyeten nga deputetë për përvojën dhe të kaluarën e tyre profesionale e më tej. Rsumali u kërkoi më tej deputetëve që mund të kërkojnë më tej informacion për kandidaturat dhe performancën e tyre në vitet e kaluara. Deputeti i opozitës, Armando Subashi, kërkoi mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve. Kreu i Komisionit të Ligjeve nuk e përjashtoi këtë mundësi, ndërsa shtoi se secila prej kandidaturave do të zhvillojë seancë dëgjimore veçmas me anëtarët e Komisionit të Ligjeve.