PS këmbëngul: Kandidatët me poste zyrtare duhet të japin dorëheqjen
Partia Socialiste këmbëngul që kandidatët për deputetë, të cilët mbajnë poste në administratë, duhet të japin dorëheqjen. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, kërkoi nga Komisioni Qendror që të detyrojë kandidatë të cilët janë në shkelje me Kushtetutën, që të japin dorëheqjen, pasi në këtë mënyrë gara nuk është e ndershme. Por kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u përgjigj se nuk është detyrë e institucionit që ai drejton të merret me një problem të tillë. Një çështje e tillë është diskutuar edhe disa ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku Partia Socialiste kërkoi që ky institucion t‘i vinte në dijeni kandidatët për detyrimin kushtetues që ata kanë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, pranoi shqetësimin e ngritur nga ky subjekt politik, duke bërë të ditur se përmes një letre do u kërkonte këtyre kandidatëve dorëheqjen. Ndërsa përfaqësuesi juridik i Partisë Demokratike në komision, Njazi Kosovrasti, vërejti se shqetësimi i PS nuk është i drejtë. Sipas tij, mandati i tyre do të jetë i vlefshëm dhe kërkesa për këtë verifikim duhej bërë që në momentin kur listat e kandidatëve mbërritën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Megjithëse shumë prej kandidatëve vijojnë ende të mbajnë poste të larta në administratë, si rasti i Gerti Bogdanit, si kryetar i njësisë numër 10 në Tiranë; ai i Lefter Maliqit, si kryetar i Komunës Otllak në Berat etj. Ndërsa janë disa kandidatë të tjerë që kanë dhënë dorëheqjen, si rasti i Mesila Dodës si kryetare e KKRT-së; dhe dy prefektëve, Shahin Bejdaj në Fier dhe Elfrida Zefi në Korçë.