E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Rrezikohet procesi, partitë po shkelin ligjin

Pesë ditë para zgjedhjeve të së dielës, partitë politike vijojnë ende të shkelin ligjin, duke mos çuar emrat e përfaqësuesve të tyre në komisionet e qendrave të votimit. Kreu i KQZ, Arben Ristani, bëri sërish thirrje për subjektet politike, pasi, sipas tij, në rast të kundërt zgjedhjet vihen në rrezik.

"Nuk bëhet më fjalë për shkelje të ligjit, sepse e keni shkelur me të dyja këmbët, por ndërkohë na kanë dështuar dhe dy trajnime të organizuara nga KQZ dhe të keni parasysh që pa komisioner të trajnuar do të cenohen standardet. Prandaj merrni masa urgjent, për anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit", tha ai.

Ngritja e komisioneve të qendrave të votimit është kthyer në një çështje serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati është tejkaluar në shumë ditë. Një javë më parë, kreu i KQZ bëri apelin e parë që partitë të respektojnë afatet, pasi ligji parashikon që konstituimi i këtyre komisioneve duhej bërë 20 ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë, KQZ-ja vazhdoi me miratimin e ambienteve private që do të shërbejnë si qendra votimi më 28 qershor. Kjo është një tjetër çështje që ka shkaktuar debate mes përfaqësuesve politikë të subjekteve dhe anëtarëve të KQZ. Pakënaqësi janë shprehur kryesisht nga Partia Socialiste, e cila vëren se sipas verifikimeve të bëra në terren, janë 55 qendra votimi të propozuara nga krerët e njësive vendorë, pronarët e të cilave janë militantë të Partisë Demokratike. Në një prej këtyre mbledhjeve, Gjonçaj ka paraqitur në foto se si një zyrë elektorale e Partisë Demokratike u propozua nga kryetari i kësaj njësie vendore që të kthehej në qendër votimit. Prej disa ditësh, KQZ ka marrë në shqyrtim një draft, i cili parashikon se 504 qendra votimi do të ngrihen në objekte private.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›