E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e Policisë: Duam shpërblimet, ndryshe protesta

20/12/2011  Bujar Nishani: Individë të caktuar bëjnë politikë me postin. Rritëm pagat me 84 për qind

TIRANË- Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit kërkon shpërblimet e fundvitit për uniformat blu e në të kundërt kërcënon me tubime. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, për gazetën “Metropol”, ku deklaroi se do të vijojë rritja e pagave, ashtu siç ka ndodhur këto vite.

Kërkesat e sindikatës

Nëpërmjet kryetarit të saj Sadetin Fishta, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit deklaroi se “Bëjmë publike veprimet arbitrare të qeverisë, e cila ka bllokuar fondin prej 140 milionë lekësh, të akumuluar nga fondi i veçantë. Ky fond duhej të përdorej për të realizuar shpërblimet për punonjësit e policisë. Drejtori i Përgjithshëm ka kaluar kërkesat për shpërblime në fund të vitit për punonjësit e policisë. Por, Thesari i Shtetit, me urdhër dhe me vendim të qeverisë ka bllokuar fondin që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do ta përdorte në zbatim të ligjit për shpërblimet në fund të vitit. Si asnjëherë tjetër, punonjësit e policisë e ndjejnë veten në këtë fundviti mjaft të rënduar ekonomikisht, edhe për faktin që qeveria u ka borxh punonjësve të policisë përfitime si vjetërsia në punë apo trajtimi ushqimor”. Më tej Fishta shprehet se “për sivjet borxhi i qeverisë rritet edhe më shumë këtë vit për dietat e papaguara, të cilat prekin drejtpërdrejt buxhetin familjar të çdo punonjësi policie. Ky borxh, aktualisht arrin në shumën totale 80 milionë lekë. Gjithashtu, mbeten pa paguar edhe 50 milionë lekë për orët suplementare të papaguara, ndërkohë që Kryeministri ka deklaruar për rritje ekonomike në masën 4 për qind”. Në fund kjo deklaratë mbyllet me “kërcënimin” se “Për të kërkuar të drejtat tona do të përdorim të gjitha hapësirat ligjore, duke u bërë thirrje punonjësve të policisë për të refuzuar shërbimet si jashtë orarit të punës, ashtu edhe jashtë vendbanimit të tyre, deri në pagesën e tyre të plotë në kohën që parashikon ligji. Me kërkesën e anëtarësisë, Sindikata po përgatit edhe mundësinë e organizimit të tubimeve të punonjësve të policisë, një e drejtë e fituar me ligj, duke u mbështetur në këto tubime edhe nga Sindikata Evropiane e Policisë”.

Reagimi i Nishanit

I pyetur dje për gazetën “Metropol”, rreth kësaj deklarate të sindikatës, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se “Ligji për Policinë e Shtetit është shumë i qartë, për sindikatën është shumë i qartë, nuk ka vend për ekuivoke. Edhe Policia e Shtetit si gjithë administrata shqiptare përfshihet brenda një sistemi të caktuar shpërblimesh për fundin e vitit dhe po ju them që ky është një sistem që aplikohet vetëm në Shqipëri. Po të shikojmë vendet e tjera, sot, në momentet e një krize të tillë financiare nuk bëhet fjalë për shpërblime, nuk bëhet fjalë për rritje pagash, apo rritje pensionesh. Por sot bëhet fjalë për kufizime, shkurtime të pagave, shkurtime të pensioneve. Në Policinë e Shtetit, por edhe në administratën shtetërore shqiptare do të vijojë rritja e pagave, do të vijojë rritja e pensioneve, por prapë ne po implementojmë një masë të caktuar shpërblimi, kjo në ndryshim me disa vende të tjera. Natyrisht, nëse individë të caktuar i shfrytëzojnë apo gjejnë temat e caktuara për të dalë jashtë fushës që legjislacioni përkatës u përcakton tyre, që të kalojnë në veprimtari politike, duke shfrytëzuar pozicione të caktuara, kjo është përgjegjësi e tyre. Por unë po ju them që sot në Policinë e Shtetit një punonjës policie merr një rrogë bazë 84% më të lartë sesa merrte në vitin 2004”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›