E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kërkon transparencën e pasurisë së qeveritarëve

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, theksoi se të vetmit individë që pasurohen janë ministrat dhe qeveritarët e lidhur me kryeministrin, ndërkohë që sipas tij, shqiptarët varfërohen përditë e më shumë.

“Natyrisht, ne kemi respekt për të gjithë ata individë, të lidhur ose jo me kryeministrin, të cilët kanë sens të spikatur biznesi aq sa të fitojnë mijëra e miliona euro edhe në kohë krize, përfshirë këtu edhe djalin e tij,
i cili vetëm gjatë këtij viti ka fituar 200.000 euro. Por, kemi edhe të drejtën të kërkojmë sqarim të detajuar për t’i bërë publikut të qartë se kush na qeveris”, deklaroi deputeti Tahiri gjatë një konference për shtyp.

Tahiri solli si fakt deklaratën e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, sipas të cilit vitin e kaluar krimi i organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja, kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve, dhe se po këta qeveritarë, sot vazhdojnë ende të mbajnë lidhje të ngushta me sponsorizuesit e tyre.

“Për këtë çështje ka marrë dijeni Kryeministri dhe Presidenti i Republikës, por asnjëri nga këta të dy, ende sot nuk ka marrë asnjë masë ndaj këtyre qeveritarëve e politikanëve që i emëron e i përdor mafia, krimi i organizuar dhe agjenturat e huaja”, deklaroi z. Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›