PS, kritika qeverisë për politikat ndaj universiteteve
PS akuzoi dje qeverinë se me politikat e saj po mbyll universitet tradicionale. Sipas kryetares së Komisionit të Edukimit në PS, Ledi Shamku, vendimi i Ministrisë së Arsimit për të financuar fakultetet mbi bazën e numrit të të regjistruarve çon në rrënimin financiar dhe mbylljen e qendrave universitare. “Shqiptarët nuk po i dëgjojnë më fanfarat e rrejshme të kësaj qeverie. Vendi sot drejtohet nga çeta Adhamudhësh që shërimin e kanë kuptuar si eliminim të të sëmurit”. Shamku paralajmëroi se vendimi i Ministrisë së Arsimit për të financuar fakultetet mbi bazën e numrit të të regjistruarve po i çon universitetet në katastrofë. “Kështu po veprohet edhe me fakultetet e qyteteve tona tradicionale, për të cilat Ministria e Arsimit sapo shpalli se do t'i financojë mbi bazë matematike, pra sipas numrit të të regjistruarve. Në fakt, ajo zyrtarizoi një praktikë që ka mbi tre vjet që e ushtron, e që ka si efekt rrënimin financiar dhe mbylljen e qendrave universitare më të rëndësishme të vendit siç po ndodh me universitetet e Gjirokastrës, Elbasanit apo të Shkodrës”. PS thekson se këto masa do të kenë dhe pasoja fatale. “Pasojat e këtij vendimi do të jenë mbipopullimi i skajshëm i Tiranës dhe braktisja e qyteteve tona kryesore nga rinia. Të parat që largohen janë elitat, e më pas afërmendsh qytetet”, - tha Shamku, duke shtuar se përkundër masave të tanishme, PS kur të vijë në qeveri do të aplikojë një politikë më të përgjegjshme, për t’i dhënë vendit “figura dalëzotëse”.