Rama-qytetarëve: Bëhuni pjesë e politikës
Kreu i PS-së, Edi Rama, vazhdon të jetë më aktiv me bordet qytetare të krijuara prej tij nëpër rrethe sesa në forumet e partisë. Duke tentuar ta shmangë fushatën e tij nga kornizat thjesht socialiste, për ta bërë të duket më shumë afër qytetarëve të thjeshtë, ai dje ka kërkuar prej këtyre të fundit që të mos jenë indiferentë ndaj politikës. Ndërkohë, PS ka tentuar të sqarojë se bordet qytetare janë struktura brenda PS-së dhe pse kanë epitetin qytetar. Megjithëse fushata për krijimin e tyre ngriti mjaft xhelozi brenda radhëve të partisë, duke u parë nga forumet tradicionale, si një tentativë për të paralelizuar punën e tyre, në njoftimin e djeshëm të PS-së thuhet se “bordet qytetare janë struktura autonome brenda PSSH-së”. Duke bërë një leksion të pastër “pse duhet politika”, kreu socialist ka theksuar se nuk mund të bëhet pa politikën dhe në këtë rast u ka bërë thirrje njerëzve që të jenë aktivë në këtë drejtim. Duke folur në një takim në Elbasan, në një nga bordet e qytetarëve, ai tha se “merresh apo nuk merresh me politikë, politika merret me ty çdo ditë. Do apo nuk do, politika është në koston e faturës së dritave, ujit, të shpenzimeve, është në cilësinë e arsimit, shërbimit shëndetësor, transportit, infrastrukturës, kudo. Duke lënë qytetarët politikën vetëm, e lënë jashtë kontrollit të tyre dhe politika siç ka një fuqi çudibërëse, në rast se është e ushqyer nga energjia pozitive, qytetare dhe profesionale, ashtu mund të ketë fuqi shkatërruese në rast se është jashtë kontrollit të qytetarëve”. Më tej, Rama tha se “duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar tek komuniteti nevojën, për të pasur memorien lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet t’ua japim votën”.