E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kritikon buxhetin 2012. Bode: Drafti konservator

TIRANE-Ministri i Financave Ridvan Bode ka prezantuar sot në Komisioni e Ekonomisë draftin për pr/buxhetin 2012. Bode deklaroi se hartimi i draftit u bë duke marrë në konsideratë zhvillimet aktuale në vend dhe në Europë dhe per kete e cilesoi buxhet konservator. Por, deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, e Arben Malaj janë shprehur se edhe vite të tjera qeveria ka prezantuar buxhet konservator, por që sërish draftet nuk kanë rezultuar aq optimistë sa i ka prezantuar fillimisht qeveria.

“Buxheti eshte nje buxhet konservator. Ka marrë në konsideratë zhvillimet aktualen dhe potencialet e ekonomisë. Është marrë parasysh dhe kriza në Eurozonë dhe potencialet e ekonomisë sonë”, tha sot Bode ne Komisionin e Ekonomise.

Ministri gjatë prezantimit garantoi se vitin e ardhshëm me këtë buxhet të hartuar parashikohet që papunësia të ulet me 13% ndërsa rritja ekonomike në masën 4%.

Bode tha gjithashtu se shpenzimet kapitale për vitin 2012 parashikohen në masën 69.7 miliardë lekë, ose 5% të PBB.

Sa i përket investimeve, Bode u shpreh se vazhdojnë të përzgjidhen ato projekte të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë.
Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm, ashtu edhe të huaj, do të vazhdojnë të përqëndrohen në sektorët prioritare të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural.
Me konkretisht, Bode sqaroi se investimet me burime të brendshme parashikohet të jenë 1.97% të PBB. Ndërsa, investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin e 3% të PBB, nga 2.5% e PBB që kanë qënë në buxhetin e rishikuar 2011. Bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritare.
Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2% të PBB, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.6% të PBB. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.5% të PBB, ndërkohë që 3.05 % e PBB parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës.

Kundershtite
Por, deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, e Arben Malaj janë shprehur se edhe vite të tjera qeveria ka prezantuar buxhet konservator, por që sërish draftet nuk kanë rezultuar aq optimistë sa i ka prezantuar fillimisht qeveria.
Ata u përqëndruan tek plani i të ardhurave që sipas tyre nuk pritet të realizohet vitin e ardhshëm sipas parashikimeve të qeverisë si dhe për borxhin.

Anëtarja socialiste në Komisionin e Ekonomise, Mimi Kodheli në diskutimin e saj për pr/buxhetin 2012 solli argumenta që sipas saj, qeveria nuk ka patur aspak në vëmendje krizën në eurozonë duke hartuar këtë buxhet.
Kodheli tha se në draft nuk sheh të pasqyruara rekomandimet e FMN, ndërsa shtoi se rrezik përbën borxhi publik. Sipas Kodhelit, borxhi publik sot është në shifrat 59.4 % ndërsa në vitin 2012, tha ajo, do kapërcejë 60%.
Kodheli përfundoi fjalën duke thënë se buxheti nuk është aspak entiziaste për shifrat e paraqitura nga Bode dhe i theksoi ministrit se janë të mëdha mundësitë që vitin tjetër qeveria ti rikthehet për rishikim pr/buxhetit që kërkon të miratojë këtë vit.

Diskutimet për pr/buxhetin 2012 pritet të vijojnë dhe gjatë ditëve të ardhshme në Komisionin e Ekonomisë dhe më pas të kalojëpër miratim në parim në Parlament.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›