E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundër BE, shpall zyrtarisht platformën e bllokimit të Presidentit

28-05-2012 / Gazeta 55

Komisioneri Stefan Fyle deklaroi në fillim të këtij muaji në Tiranë se nuk duhet të përzihet kërkesa për përfundimin e reformës zgjedhore, rregulloren e Kuvendit dhe heqjen e imunitetit, me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Por Edi Rama ka axhendën e tij personale dhe sërish vendos interesat e oborrit të tij mbi domosdoshmërinë e marrjes së statusit të vendit kandidat në 100 vjetorin e pavarësisë


Zgjedhja e Presidentit nuk është pjesë e 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian, por gjithsesi ecuria pozitive e procesit dhe kompletimi i tij me konsensus të gjithëpranuar, sigurisht që do shërbente si vlerësim politik i mirëfilltë nga ana e Brukselit. Kjo do rriste pozitivitetin e klasës politike shqiptare në lupën e vazhdimit të BE. Në fillim të këtij muaji, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle u shpreh nga Tirana se reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare duhet të përfundojnë brenda 24 majit. Ky afat nuk ishte i prerë dhe vendimtar, por do shërbente si katalizator për të vënë në punë Partinë Socialiste, e cila duhet pranuar, prej më shumë se 4 javësh është vënë në shërbim të bllokimit të hartimit të ligjit zgjedhor. E njëjta situatë vlen edhe për reformën në rregulloren e parlamentit, ku Edi Rama kërkon t’i kufizojë kohën Kryeministrit dhe t’ia shtojë vetes. Heqja e imunitetit ka qenë dhe është një nga nismat më të vjetra të Partisë Demokratike, që edhe sot e kësaj dite, prej më shumë se 6 vitesh qëndron në sirtarët e Kuvendit, në pritje të konsensusit të opozitës. Plot 3 javë pas vizitës së zyrtarit të lartë të Brukselit, nga opozita s’ka asnjë shenjë reflektimi. Vazhdon të jetë e njëjta sindromë anti-integrim, duke paralajmëruar bllokada nga më të pazakontat, thjesht e vetëm për të zvarritur reformat dhe për të mos i dhënë vendit Presidentin e Republikës. Jo më larg se dje, PS demonstroi haptazi prirjen e saj destruktive, duke u faktuar kryekëput si trashëgimtare e nomenklaturës komuniste kur hodhi poshtë pa u menduar dy herë rekomandimet e Fyles, për bërjen e reformës zgjedhore dhe atë parlamentare. Gramoz Ruçi, ish ministri i fundit i regjimit hoxhist, hodhi dje një paketë propozimesh, për të nisur dialogun me mazhorancën. Zgjedhja e Presidentit kushtëzohet në mënyrë absurde me diskutimet e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe heqjes së imunitetit. Ky kushtëzim që s’ka asnjë rrjedhë logjike, ligjore apo Kushtetuese, është sa absurd aq edhe problematik për ecurinë e mëtejshme të sfidave të klasës politike. Kuptohet se PS vazhdon me të njëjtin insistim kundër rekomandimeve të ndërkombëtarëve, thjesht e vetëm që të investohet si përgjegjëse e bllokimit të integrimit dhe e cenimit të raporteve me Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›