E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundër OSBE: Ambasadori nuk e njeh Shqipërinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha dje në “5 pyetje nga Babaramo” se, ambasadori i OSBE në Tiranë, Wollfarth, nuk e njeh realitetin shqiptar dhe po bën deklarata të kundraligjshme. Ruçi për herë të parë renditi dhe tre kushtet e PS-së, për të hyrë në zgjedhje që ishin, listat e votuesve, kartat e identitetit dhe ndryshimi i KQZ.

Kërkesën për zgjedhje të parakohshme e keni të panegociueshme?

Siç ka ardhur problemi, kërkesa për zgjedhje të parakohshme është në tavolinë. Është e vetmja zgjidhje që mund t’i bëhet kësaj pike ku e ka çuar vendin mazhoranca. Me vazhdimin e aksionit tonë politik, në vend që kjo mazhoranca dhe ky parlament të provonte se ishte në gjendje të përmbushte misionin e saj, mori notën negative nga Komisioni Europian. Në opinion konstatohej mungesa e parlamentarizmit, roli i spikeres së Parlamentit dhe kontrolli i Kryeministrit. Pavarësisht nëse ky parlament ka apo jo legjitimitet të cunguar, ai është jashtë funksionit. Seanca parlamentare, në vend që të forcojë parlamentarizmin, do të ketë një të ashtuquajtur vendim, përmes rregullores së Kuvendit, vendimi i dytë është për t’i mbyllur gojën opozitës.

Ndërkombëtarët kanë thënë se zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet.....

Problemi i zgjedhjeve është problem i klasës politike dhe popullit, por jo ndërkombëtarëve. Kushtetuta përcakton se zgjedhjet zhvillohen në katër vite, por ajo njëherësh lejon që kur problemet politike dhe institucionale ekzistojnë, ato mund të bëhen edhe vit për vit. Ky është problem i politikës dhe opinionit publik, jo ndërkombëtarëve. Nuk përcaktojnë ata datën e zgjedhjeve. Natyrisht që ka shumë elementë për t’i provokuar zgjedhjet dhe ai e ka mekanizmin që të pranojë zgjidhjen politike, që e propozon opozita. Nuk është hera e parë që zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Ja ku kemi për shembull Maqedoninë dhe menjëherë pati vullnet politik dhe Kryeministri i bëri ofertë opozitës së atjeshme, hajde bëjmë zgjedhje. Në këtë situatë të krijuar, përveç manipulimit të zgjedhjeve dhe pas mosfunksionimit të institucioneve, shtohet edhe elementi tjetër që ky pushtet u gjakos duke vrarë katër njerëz të zakonshëm. Ky pushtet la fëmijë jetimë pa asnjë arsye, në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e funksionimit demokratik. Ky pushtet ka mbaruar së qëni.

Zoti Berisha ka thënë se në një grusht shteti, mund të vriten edhe 300 persona....

Ai deklaron ato që ka bërë vet në fakt. Sigurisht që ai mendon se mbrojtja më e mirë është sulmi, ndaj sulmon. Ai e quan goditjen e Kryeministrisë si grusht, por ajo godinë është godina e qeverisjes dhe jo kulla e tij. Ajo godinë nuk u cenua asnjë centim nga protestuesit. Edhe nëse do ndodhte, siç ka ndodhur kur ishte zoti Berisha protestues, nuk kishte asnjë të vrarë. Ai mori edhe televizionin, por nuk u vra njeri, u plagos komandanti i gardës. Atëherë nuk u përdor pushka, pasi nuk përdoret pushka ndaj popullit. Kjo ndodh vetëm në vendet diktatoriale. Demonstruesit nuk rrezikuan asnjë zyrtar shqiptar dhe asnjë institucion.

Nuk tentuat ta merrnit pushtetin përmes dhunës?

Për fat të mirë, në këto 20 vite demokraci, kemi median tanimë. Ky njeri nuk duhet marrë seriozisht. Ky njeri deklaroi, përmes një zëdhënësi të tij, në Spitalin Ushtarak sikur vrasjet ishin bërë mes demonstruesve. Më pas, doli vet ai dhe tha këtë version. Falë kanalit tuaj dhe mediave të tjera, që dhanë pamjet si ishin vrarë këta njerëz, gjithçka u sqarua. Ata ishin vrarë kur ishin me duar në xhepa, as çadër nuk kishin. Akuzoi gjithë ata djem e vajza, burra e gra, që i etiketoi të droguar dhe të paguar, arrestoi mbi 130 vetë. Në asnjë rast nuk doli të vërtetoheshin akuzat e tij. Nga 30% e të arrestuarve nga qyteti i Tiranës, asnjë nuk ishte anëtar i Partisë Socialiste.

Pse ky miting ishte i dhunshëm?

Në të gjitha mitingjet që kemi bërë, kemi shërbyer si një tapë që të mos shprehej pakënaqësia që ekzistonte ndaj pushtetit. Ky miting nuk u organizua nga ne, pavarësisht se ne bëmë ftesën. Kemi thënë se ishte një protestë e qytetarëve shqiptarë dhe kemi ftuar këdo që nuk ishte i kënaqur me qeverisjen, kushdo që ishte i pashpresë. Ne ishim një në 200 mijë, dhe deputetët e Partisë Socialiste ishin protestues si gjithë qytetarët e thjeshtë. Populli i ballafaqua me dhunën e pushtetit dhe gjeti përpara kamxhikun e policisë. Ky pushtet që flet për grusht shteti, kush dhe ku janë të inkriminuarit. Ku është skenari? Kjo polici është e këtij shteti? Pse përdori policia gaz neuroparalizues? Ishte një ballafaqim, si rezultat i provokimit që bëri Policia e Shtetit.

KQZ mori vendimin për të shpallur vakant vendet tuaja në KZAZ, ndërsa ambasadori i OSBE-së e përshëndeti këtë…

Do ta nisë nga kjo e fundit, pra deklarata e ambasadorit të nderuar të OSBE-së. Sigurisht më çuditi dhe habiti deklarata e tij sepse është jashtë funksionit të tij. Funksioni i përfaqësisë së OSBE, në një vend anëtar të kësaj organizate, është të promovojë tre gjëra, parametrat e demokracisë së një vendi, funksionimin e parlamentarizmit të atij vendit dhe të shtetit të së drejtës. Të vijmë te problemi konkret, për zgjedhjet. Është një nga funksionet kryesore që ka misioni i OSBE-së në Tiranë, të shikojë, të monitorojë dhe të kontribojë. Më vjen keq që Ambasadori i ri i OSBE-së, nuk ka ardhur akoma në Shqipëri, është akoma në Gjermani, vend për të cilin unë kam respektin më të madh. Do t’i kërkoja publikisht ambasadorit, që të më jepte parametrat e Gjermanisë dhe unë do të isha plotësisht dakord me të. Them se s’ka ardhur akoma në Shqipëri, sepse akoma s’ka njohur ende realitetin shqiptar, s’ka njohur realitetin në një parlament që nuk funksionon, që s’ka asnjë parametër dhe nuk është as në hyrje të Bundestagut gjerman. Dhe sot e kësaj dite nuk kemi dëgjuar një koment nga ky përfaqësim, sepse mungon parlamentarizmi shqiptar, sepse parlamenti shqiptar bëhet pengesë për marrjen e ftesës së vendit kandidat të Shqipërisë. Këtu hiqen imunitetet e deputetëve dhe nuk gjykohen ministra. Pra në Shqipërim nuk ka penguar imuniteti i politikanëve si pengesë...

I keni kërkuar shpjegime ambasadorit për këtë deklaratë…

Do vij dhe aty, por dua të them dhe një herë se nuk funksionon shteti i së drejtës. E treta është se këtu nuk funksionon mekanizmi i zgjedhjeve. 20 vjet demokraci nga vet konkluzionet e OSBE, nuk ka plotësuar standardet e kërkuara. Tjetra është se Ambasadori nuk njeh Kodin Elektoral të Shqipërisë. E gjithë fryma e Kodit është bashkëjetesa e dy palëve, pozitës dhe opozitës. Kështu është ndërtuar Kodi Elektoral shqiptar. Dhe e fundit fare është se ajo deklaratë është e kundraligjshme sepse dhe vet vendimi i KQZ-së është i kundraligjshëm. Pra kur bëhet një vendim i komisionit, apo një ligj, bëhet referencë ligjore. E dëgjuat KQZ-në si tha, meqë nen ku të bazohemi s’kemi, po i referohemi një neni tjetër për analogji. Ky Komision ka shkelur tre gjëra të mëdha: ka shkelur Kodin Elektoral. Nuk do ishte Shqipëria në këtë krizë që është, nëse ky komision do kishte zbatuar një nen të këtij Kodi. Ai, qoftë dhe për këtë arsye, duhet shkrirë një orë e më parë, se është shkaktar i kësaj krize politike, i moszbatimit të frymës dhe neneve në shkronjë dhe në germë.

Ju nuk hyni në zgjedhje me këtë komision?

Absolutisht, as që bëhet fjalë me këtë komision, dhe nuk ka zgjedhje në Shqipëri me këtë komision.

Pra e keni kusht për të hyrë në zgjedhje?

Para se të vemi te kushtet, dua të them se janë disa kushte të tjera. Por, para se të vij këtu, dua të nënvizoj se ky komision ka shkelur ligjin dhe për këtë duhet të shkarkohet me ceremoni. Shumë veta thonë se e bëtë bashkë Kodin me Berishën. Po është e vërtetë që e bëmë bashkë, por kishim disa garanci në Kod, që ky komision zgjedhor nuk i zbatoi, siç ishte dhe ai që kur dy anëtarë kërkojnë rinumërim të votave, kjo bëhet e detyrueshme. Shkelja e dytë që ka bërë ky komision, është se mjaft vendime të rëndësishme të KQZ-së merren me shumicë të cilësuar. A e dini se vendime të kësaj natyre duhen marrë me 5 me 2. A e di ky ambasador se këto vendime merren me 4 vota të mazhorancës, duke shkelur nene përkatëse të këtij Kodi. Gjithashtu, të gjitha aktet nënligjore që nxjerr KQZ duhet të nënshkruhen nga kryetari dhe nënkryetari. Pra ishte një garanci që i jepej opozitës dhe që nuk është zbatuar. A dini pse anëtarët e opozitës nuk janë në komision sot? Nuk janë se ata nuk duan të bëhen bashkëautorë dhe bashkëfajtorë të shkeljes së ligjit.

Cilat janë garancitë që kërkoni për zgjedhjet?

Janë disa elementë të rëndësishëm. E para, që të ketë zgjedhje duhet të ketë lista të besueshme zgjedhore. Ka një fshehje të plotë.

Pushtetin lokal e keni ju…

Nuk është kështu, pushtetin lokal vërtet e kemi ne, në qytetet e mëdha, por nuk janë vetëm qytetet që bëjnë zgjedhje. Së dyti, ka një bazë qendrore, ku përpunohen listat e zgjedhësve dhe që monitorohen nga pushteti qendror, nga Lulëzim Basha, nga Poni dhe që opozita nuk ka asnjë akses. Dhe këtij ambasadori që më përmendët ju, lidershipi i PS-së i ka kërkuar dhe ai ka premtuar se po, do keni akses. Kushti i dytë janë kartat e identitetit, të cilat ne i kemi deklaruar se janë prodhuar karta fallso. Kam deklaruar se mbi 50 për qind e votuesve shqiptarë kanë votuar pa dokument identifikimi. Çfarë duhet të ndodhë më shumë në këtë vend, ndaj çfarë garancie do kemi për këto karta dhe çfarë garancie do kemi që votuesit shqiptarë do votojnë sipas parimit, çdo votues një votë. Elementi i tretë është institucioni që menaxhon dhe administron zgjedhjet. Çfarë besueshmërie do kemi ne te ky institucion, që në mes të ditës shkel me të dyja këmbët kodin elektoral. Çfarë garancie kemi ne tek ky komision, që merr vendime të njëanshme.

A mund të konfirmoni se kërkoni shkrirjen e kësaj KQZ-je dhe një përbërje 3 plus 3, dhe anëtari i shtatë të zgjidhet nga Presidenti?

Qartë u shpreha, që janë një tok elementësh që të jepen garancitë përkatëse, që në Shqipëri të bëhen zgjedhje. Pra garanci për listat, garanci për kartat dhe garanci për KQZ-në. Pra duhen garanci ligjore për secilën.

Garanci është fjalë e përgjithshme, por në detaje çfarë kërkoni?

Absolutisht, nëse do të ketë vullnet politik, ne kemi propozimet tona konkrete për të gjitha këto që thashë unë, duke filluar për aksesin në listat e zgjedhësve. Kemi propozime konkrete ligjore përsa i përket kodit elektoral. Kemi propozime konkrete edhe për KQZ-në dhe absolutisht kjo KQZ nuk ka asnjë lloj besimi dhe të drejte morale, dhe jo më institucionale. Ky komision duhet të shkrihet dhe duhet të jepen garanci nëpërmjet përbërjes së këtij komisioni dhe elementëve që do të zgjidhen në këtë komision për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Nëse kjo nuk ndodh, ju s’do merrni pjesë në zgjedhje?

Kjo përgjigje, asnjëherë s’ka marrë përgjigje negative. Ne do jemi barrikadë që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›