E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna e demonstruesve dhe pyetjet për përdorimin e forcës

Komisioneri i Këshillit të Europës, për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, ka publikuar dje raportin e tij në lidhje me ngjarjet e 21 janarit në Tiranë. Thomas Hammarberg ishte në Shqipëri, më 13-15 shkurt 2011, për të vlerësuar aspektet e të drejtave të njeriut dhe funksionimit të shtetit ligjor, sa i takon ngjarjes së 21 janarit dhe spirales së mëvonshme që erdhi pas kësaj ngjarjeje. Qëllimi kryesor i vizitës ishte për të diskutuar me aktorët përkatës, çfarë hapash janë duke u marrë dhe çfarë mund të bëhet për të hetuar këto zhvillime. Në përfundim të raportit të vetë Komisionerit, Thomas Hammarberg ka kërkuar qartësisht që palët politike të japin mbështetje të pakufizuar për organin e prokurorisë, duke nxitur madje dhe mbështetjen ndërkombëtare për këtë institucion. Gazeta “MAPO” boton pjesët më kryesore të këtij raporti, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.

Ngjarjet e 21 janarit

Më 21 janar 2011, pasi demonstruesit u mblodhën para Zyrës së Kryeministrit, përleshje të dhunshme kanë ndodhur në mes të një grupi prej disa qindra njerëzish dhe policisë të vendosura para ndërtesës qeveritare. Ka pasur perceptime të ndryshme dhe kontradiktore rreth asaj që ka ndodhur me të vërtetë dhe se si situata evuloi dhe doli jashtë kontrollit. Blloqet politike ofrojnë variante të kundërta, në lidhje me çështjen se kush e provokoi përplasjen mes policisë dhe demonstruesve. Sipas autoriteteve qeveritare, protesta u organizuan nga opozita, në mënyrë për të rrëzuar qeverinë me forcë, ndërsa opozita pohon se ishte policia që provokoi protestuesit, pothuajse menjëherë pas demonstrimit të filluar. Duket qartë se një grup i demonstruesve kanë kryer akte të dhunshme kundër policisë dhe Gardës së Republikës, duke hedhur gurë dhe duke përdorur shkopinjtë e parrullave, për t’i goditur ato. Disa protestues kanë djegur edhe makinat e parkuara në afërsi të vendit të demonstratës. Në përgjigje, policia ka përdorur një shumëllojshmëri mjetesh të tilla, si shkopinj gome, ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Si rezultat i përleshjeve të dhunshme, midis demonstruesve dhe policisë, pati dhjetëra të plagosur nga të dyja palët. Në një fazë të mëvonshme gjatë demonstratave, janë përdorur armët e zjarrit nga anëtarë të Gardës së Republikës. Katër protestues kanë vdekur dhe disa persona të tjerë pësuan lëndime të shkaktuara nga armë zjarri, e cila ngre pyetje për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës.

Hetimet

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka filluar hetimet për ngjarjet më 21 janar 2011. Fokusi i parë ishte të kuptohet se si ka ndodhur vdekja e katër personave, të cilët janë goditur me plumba. Në mëngjesin e datës 22 janar, nga Prokuroria e Përgjithshme u lëshuan urdhër-arrestet për paraburgim, në lidhje me gjashtë oficerë dhe shefin e Gardës së Republikës, me qëllim për të marrë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Urdhrat nuk ishin ekzekutuar nga autoritetet e policisë, deri më 8 shkurt 2011, kur gjashtë oficerët dhanë deklarata për prokurorët. Në kohën e vizitës të Komisionerit të Shqipërisë, ka pasur disa anëtarë të Gardës së Republikës që ishin nën ndjekjen penale, brenda kontekstit të hetimit të të shtënave. Disa prej tyre u arrestuan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ofruar ekspertizë teknike për Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ambasadori amerikan i tha Komisionerit se një ndihmë e tillë do të jetë në dispozicion tani e tutje, nëse kërkohet. Disa përparime janë bërë, mesa duket tashmë, me hetimet balistike të të shtënave vdekjeprurëse, nga anëtarë të Gardës së Republikës. Megjithatë, komisioneri ka përshtypjen se për të bërë gjithçka të qartë, do të duhet bashkëpunim i mëtejshëm me të gjitha palët në fjalë. Komisioneri ka marrë informacion për nëntë ankesat individuale, të paraqitura për keqtrajtimin e të dyshuarve. Ka shpresa se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të hetojë aktet e dhunshme të demonstruesve dhe ata që ishin ngarkuar për të kryer krime. Për më tepër pritet që të zbulohet që nëse kjo dhunë ka qenë e inkurajuar, apo mbështetur nga dikush, dhe se kush e ka mbështetur dhunën në rast se vërtetohet. Një tjetër çështje për të cilën priten hetime është pyetja se kush në të vërtetë e filloi dhunën, demonstruesit apo policia. Ka një numër të konsiderueshëm të materialeve filmike, që do të ndihmonin hetuesit për këtë. Rezultantja e kësaj situate të krijuar është fakti se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është përballur me një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Fokusi duhet të jetë në përgatitjen e ndjekjeve penale, kundër atyre që dyshohet se kanë kryer krime. Duhet të njihet fakti se disa nga aktet e kryera në këtë ditë janë krime, pavarësisht nga klima politike apo faktit se kush e nisi i pari spiralen negative të dhunës.

Konkluzione

Ekziston një nevojë për hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme, në shkeljet e të drejtave të njeriut që në ngjarjen e 21 janarit 2011. Ata që janë përgjegjës për aktet e dhunshme dhe të tjera shkelje të të drejtave të njeriut, duhet të mbahen parasysh. Kjo është e nevojshme, në mënyrë që të vendoset drejtësia, por edhe për të parandaluar zhvillime të tilla të rënda në të ardhmen. Komisioneri mirëpriti faktin se përfaqësuesit e të dy blloqeve politike, kanë deklaruar se hetimet duhet të ndërmerren nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithatë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ka qenë në shënjestër nga deklaratat shumë kritike politike. Kjo duhet të shmanget nga tani e tutje.

Natyrisht, polarizimi i thellë politik e bën detyrën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm veçanërisht delikate dhe të vështirë. Është e rëndësishme që të gjithë të shmangin ndërhyrjet në hetimet në vazhdim dhe që autoritetet përkatëse, përfshirë edhe policinë, të bashkëpunojnë plotësisht dhe menjëherë me Zyrën e Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›