PS, kundër pr/ligjit për Administratën Gjyqësore
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp lidhur me projektligjin për Administratën Gjyqësore. Sipas juristit të PS-së, Ylli Manjani, me projekt ligjin për administratën gjyqësore Qeveria bën një tjetër tentativë për të legjitimuar ndërhyrjen e politikës mbi pushtetin gjyqësor.
“Ky projektligj tenton t'i japë të drejtë Ministrit të Drejtësisë të normojë me akte normative veprimtarinë e gjykatave”- tha ai, sot përpara mediave.
Sipas tij, në mungesë të vizionit për një reformë reale dhe të thellë të sistemit të drejtësisë qeveria e Sali Berishës vazhdon të sjellë në kuvend arna të patolerueshme që cenojnë pavarësinë e këtij sistemi.
“Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të qenësishme, të thella dhe të plota, e jo për “arna” në formën e nismave gjysmake, të cunguara profesionalisht dhe të papranueshme parimisht, siç është edhe ky projektligj”- tha ai, duke shtuar se përkundër kësaj, vizioni i PS- së për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndërtimin e një shteti serioz shqiptar në rrugën e integrimit evropian, nuk ka asgjë të përbashkët me këtë projekt ligj.
Projektligj, që ai e ka cilësuar praktikën e arnimeve shkel e shko, që është e vetmja gjë që kjo qeveri e paaftë dhe ky kryeministër i papërgjegjshëm bëjnë tash 3 vjet në kurriz të shtetit e të shqiptarëve.
“Në vend që të ndërtojë një administratë gjyqësore të mirëfilltë në shërbim të publikut e të gjykatës, qeveria synon të mbajë nën mbikëqyrje gjykatat dhe vendimet që ato prodhojnë. Ky projektligj duhet të vinte si ndryshim në ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, ashtu siç sugjerohet me të drejtë edhe nga misioni i ekspertëve të BE-së për reformat në drejtësi”- përfundoi ai.